Më 12 dhjetor 2025, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë në fushën e transportit ajror, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Sh.S.Znj. Artemis Malo, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kanada, dhe nga Znj. Sarah Phillips, Kryenegociatore në detyrë e Qeverisë së Kanadasë për bashkëpunimin në fushën e transportit ajror.
Ky dokument krijon kuadrin ligjor dhe institucional për vendosjen dhe operimin e linjave ajrore direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, duke hapur rrugën për fluturime të drejtpërdrejta mes dy vendeve.
Nënshkrimi i marrëveshjes përfaqëson përmbylljen e një procesi të gjatë konsultimesh dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet dy qeverive. Ajo pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, në mbështetjen e diasporës shqiptare në Kanada, si dhe në nxitjen e shkëmbimeve turistike, akademike dhe kulturore.
Ky zhvillim konsiderohet një moment historik që forcon lidhjet mes Shqipërisë dhe Kanadasë dhe krijon mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen.
