E hënë, 20 Prill, 2026

Linda Rama: Nuk qëndroj pas Edit, jam krah tij

Share

Bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Lind Rama, mori pjesë në një forum me titull “Lidershipi përballë një bote në transformim” në Katar, ku mbajti bisedoi me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Sesioni u organizua nga Qatar Leadership Centre në Doha, më 23 nëntor 2025, në kuadër të programit “Spotlight” për alumnët e qendrës.

E pyetur rreth shprehjes së famshme që “pas çdo burri të madh, qëndron një grua e madhe”, ajo u përgjigj: “Nuk qëndroj pas. Jam përkrah tij, përkrah, vetëm një hap pas, duke e lënë Edin përpara”.

Linda Rama ndau gjatë bisedës reflektime mbi lidershipin në një botë në transformim, tranzicionin shqiptar, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë. Takimi u zhvillua më 23 nëntor 2025, në kuadër të programit “Spotlight” të Qatar Leadership Centre, në dialog me Laila Humairah.

Duke folur për sfidat e kohës, Linda Rama theksoi se lidershipi sot përballet me një kompleksitet të paprecedentë, që lidhet me përparimet teknologjike, presionin mbi planetin, ndryshimet shoqërore dhe erozionin e të drejtave të njeriut. Ajo nënvizoi se liderët nuk mjafton të drejtojnë të tjerët, por duhet të transformohen vetë, paralelisht me shoqërinë dhe veçanërisht me brezin e ri.

“Lidershipi duhet të përballet me të njëjtin kompleksitet të jetës që po jetojmë sot”, u shpreh Rama, duke shtuar se transformimi i njerëzve shpesh ndodh më shpejt sesa transformimi i lidershipit, ndaj udhëheqësit duhet të ndryshojnë me të njëjtin ritëm si bizneset, teknologjia dhe të rinjtë.

Duke iu kthyer përvojës personale, ajo foli për vitet e tranzicionit pas rënies së komunizmit, duke e cilësuar atë periudhë si një kohë kur shoqëria shqiptare udhëhiqej më shumë nga ëndrrat sesa nga dija. Sipas saj, lidershipi me ëndrra dhe pasion është më i fortë, sepse mbetet i hapur ndaj mësimit, bashkëpunimit dhe kërkimit të zgjidhjeve.

Linda Rama ndaloi edhe te sfida e rolit të bashkëshortes së një kryeministri, duke theksuar rrezikun e humbjes së identitetit personal dhe profesional, si dhe nevojën për qëndresë të heshtur dhe ruajtje të ndjeshmërisë.

Ajo theksoi se dëgjimi dhe ndjeshmëria janë dy elementët më të vështirë, por edhe më thelbësorë për lidershipin efektiv sot, duke nënvizuar se vendimmarrja duhet të udhëhiqet gjithmonë nga perspektiva e njerëzve dhe jo vetëm nga logjika e pushtetit.

Te tjera

Lajme te tjera