E hënë, 20 Prill, 2026

Rama: Trimoshat e BKH s’donin të dorëzonin patllaken te dera e Kryeministrisë! SPAK: Hetuesit ishin për pezullimin e Ballukut, armët u dorëzuan pa debat! Kundërpërgjigjet kreu i qeverisë

Share

Shkëmbime replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme. Fillimisht ishte Rama, i cili në hyrje të podcastit “Flasim” tregoi edhe një ngjarje të ndodhur së fundmi në Kryeministri.

Kreu i qeverisë deklaroi se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kishin refuzuar të dorëzonin armët kur ishin paraqitur në godinën e qeverisë. Çështjen për të cilën agjentët e BKH kishin shkuar atje, Edi Rama nuk e sqaroi.

“Por unë nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem te bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken te dera sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Në një reagim zyrtar, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaroi se episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të saj shkuan te Kryeministria për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

BKH sqaron se “në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”.

Pas deklaratës së BKH-së, kryeministri u kundërpërgjigj duke thënë se ai nuk i kishte kritikuar për mbajtje pa leje, por për padije etike dhe ligjore që i bënte ata të donin të hynin në Kryeministri me patllake, siç e thonë edhe vetë në deklaratë. Sipas Ramës, ky nuk ishte një rast i veçuar.

Më 12 dhjetor, zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Gjykata ka vendosur të merrë në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkeljet me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe. 

Te tjera

Lajme te tjera