Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte vetë i pranishëm në seancën e radhës paraprake që po mbahet në GJKKO, ku përpos tij e pandehur është edhe bashkëshortja Xoxa dhe 28 persona e shoqëri të tjera. Kryebashkiaku Veliaj ripërsëriti kërkesën e tij për të dalë nga kafazi i qelqtë në sallën e gjyqit dhe për të qëndruar pranë avokatit, por kërkesa u rrëzua me vendim të GJKKO-së. Bashkë me të u rrëzua edhe një tjetër kërkesë për tu njohur me dosjen prej 60 mijë faqesh.
Pas vendimit të gjyqtares Etleva Deda, Veliaj komunikoi heqjen nga mbrojtja të avokatit Artan Gjermeni, ndërsa gjykata caktoi Valentina Teodoreskun avokate kryesisht, siç sqaron gazetarja e Report Tv Keti Banushi.
Ndonëse kanë nisur të zhvillohen seancat parapake, kryebashkiaku ende nuk është njohur me dosjen, së cilën SPAK ia ka vënë në dispozicion vetëm përmes një USB-je, për të cilën Veliaj ka ripërsëritur disa herë që nuk e ka lexuar pasi në qeli nuk mund të përdorë as kompjuter e as laptop. Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, mbrojtja e Veliajt ndalej edhe tek dy standardet e GJKKO-së, e cila në seancën e 5 dhjetorit me vendim të Irena Gjokës vendosi t’i vërë ish-presidentit në dispozicion disa fashikuj të dosjes hetimore.
Kryebashkiaku Veliaj thekson se GJKKO duhet të vendosë të njëjtat standarde për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin pranë kësaj gjykate.
“Posaçërisht, i sjellim në vëmendje kësaj Gjykate se në procedimin penal nr.55 të vitit 2019, në seancën e datës 04.12.2025, e njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai. Rasti e sjell që edhe në procedimin penal nr. 55/2019, një nga përfaqësuesit e organit të akuzës përkon si në procedimin e relatuar dhe në procedimin ndaj të pandehurit Erion Veliaj.
Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate”, thuhet në kërkesë.
Në seancë u vijua me mbrojtjen e biznesmenit Shkëlqim Fusha, i cili ka kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se nuk ka vepër penale. Ndërkohë, nuk ka bërë mbrojtjen ende as Erion Veliaj dhe as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Kryebashkiaku qëndroi në seancë deri në fundin e saj, ndërsa Gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet më 5 janar.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej shkurtit të këtij viti dhe akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Kryebashkiaku Veliaj i lënë në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, i ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur procesin të pabazuar në prova.
