Shtatë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, votuan KlodianBrahon pasues të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. Prokurori, i cili prej 19 dhjetorit kur Dumani dorëzon detyrën do të marrë drejtimin e Strukturës së posaçme Anti-korrupsion, mori shumicën e votave të 11 anëtarëve në një seancë të gjatë publike në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas tij, 3 vota të anëtarëve arriti të marrë Adnand Xholi, dhe vetëm 1 votë, Elvin Gokaj. Kandidatja e katërt, e vetmja grua që synoi drejtimin e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, nuk mori besimin e asnjë anëtari të KLP-së.
Zgjedhja e kreut të ri erdhi menjëherë pasi për gati 6 orë të 4 kandidatët prezantuan platformat me prioritetet e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
“Duhet të merren masa për krijimin e një njësie taktike që për çështje të caktuara, BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”, tha Braho.
“Sfida është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard. Kjo realizohet dujke ruajtur pavarësinë e institucionit, pavarësinë e prokurorëve dhe duke u rritur dhe maturuar me standarde më të mira”, tha Braho.
Përzgjedhja e kreut të një prej institucioneve që është vënë në qendër të me vëmendjes, jo vetëm të opinionit publik e politikës në Shqipëri, por edhe të ndërkombëtarëve, u ndoq nga afër në sallë gjatë gjithë seancës maratonë, nga krerët e selive diplomatike në Tiranë, SHBA,-së, ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Në fund ishte ambasadori i BE-së ai që përshëndeti zgjedhjen e Brahos.
“SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, tha Gonzato.
Kreu i SPAK e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK.
VOTIMI I KLP PËR KREUN E SPAK
KLODIAN BRAHO 7 VOTA
Anëtarët e KLP që e votuan
Moisi Duda
Olger Eminaj
Mirela Bogdani (Kryetare e KLP)
Ledina Riza
Erind Gërmenji
Zeqir Hoda
Arta Mandro
ADNAN XHOLI 3 VOTA
Anëtarët e KLP që e votuan
Sokol Stojani
Erind Mërkuri
Vatë Staka
ELVIN GOKAJ 1 VOTË
Anëtarët e KLP që e votuan
Erion Fejzulla
DOLOREZA MUSABELLIU 0 VOTA
