E martë, 21 Prill, 2026

Gara për kreun e SPAK/ Nga “masakra e Cërrikut”, te “vrasja e Glinës”, Adnan Xholi rrëfen çështjet e bujshme që ka hetuar dhe tregon para KLP pikat e forta dhe të dobëta

Share

Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi në prezantimin e platformës së tij përpara KLP, ka shpalosur gjithashtu dhe karrierën e tij të gjatë në sistemin e drejtësisë. Adnan Xholi është i pari i cili ka nisur prezantimin dhe përpara KLP rrëfeu çështjet e bujshme që ka hetuar deri tani.

“Prokuroria është organi i decentralizuar, prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është menaxher, i cili si i barabartë mes të barabartëve ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë kushtet e punës, të orientojë burimet njerëzore dhe të godasë paligjshmërinë.

Roli i drejtuesit ka në fokus arritjen e rezultateve të suksesshme me qëllim rritjen e  besimit të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për shkak të strukturës dinamike të kriminalitetit, duhet një vëmendje e shtuar. Kjo trupë prokurorësh duhet të bëjë gjithçka që në përballje me opinionin publik të jetë e sigurt që po bën aq sa duhet. Vijoj sot para jush me një eksperiencë mbi 27 vite pa shkëputje në sistemin e drejtësisë. Karriera ime ka një ngritje konstante dhe të vazhdueshme. Kam udhëhequr disa hetime për një gamë të gjerë çështjesh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kam përfaqësuar prokurorinë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe përpara se të bëhem pjesë e SPAK.

Për shkak të pozicionit që kam pasur si drejtor, kam qenë pjesë përbërëse e të gjitha vendimeve që do të merreshin nga GJL. Qënia ime si prokuror, si drejtues në disa prokurori, më ka bërë të mundur që të kem aftësi në prodhimin e akteve administrative. Kam pasur në konsideratë që të njihem me problematikat, me kolegët për t’i dhënë zgjidhje. Kam udhëhequr hetime të rëndësishme. Jam drejtues i 5 skuadrave të përbashkëta hetimore.

Jam prokuror që kam pasur hetime paralele me shumicat e vendeve në rang global. Kam pasur hetime paralele për sa i përket çështjeve të lëndëve narkotike, të armeve, të pastrimit të parave, të qenieve njerëzore. Kam bashkëpunuar me homologët e huaj për të goditur grupet kriminale në shtrirje të gjerë. Kam administruar akte voluminoze është bërë i mundur arrestimi i autorëve, dënimi dhe konfiskimi e sekuestrimi i aseteve kriminale. Jam angazhuar dhe në ndryshimin e reformës në drejtësi.

Drejtuesi krahas rolit menaxherial duhet të japë shembull për marrjen përsipër të përgjegjësive të shtuara. Të qenurit drejtues në nivele të ndryshme të prokurorisë, më ka dhënë mundësinë që nga pikëpamja e ligjit të thelloj njohuritë  e  mia duke treguar një kujdes të veçantë në zbatimin e ligjit. Suksesi i prokurorit matet në gjykatë”, tha Xholi.

Ai tregoi edhe disa nga çështjet e bujshme që ka hetuar:

“Jam emëruar në vitin 1999 si prokuror në Gjirokastër. Jam angazhuar në hetimin e çështjeve sensitive që kishin ndodhur në vitin 1997. Kam prezantuar rastin e vrasjes të quajtura si ‘vrasja e Glinës’ në vitin 1997, një grup kriminal i armatosur me shtrirje në aksin Vorë-Tepelenë kishin krijuar mekanizëm për të grabitur shtetasit shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi, dhe u zinin kurth në pikën kufitare. Njëri nga anëtarët hiqej si taksist dhe bashkëpunëtorët e prisnin ne rrugë. Katër shtetas shqiptarë u vranë nga ky grup. Janë identifikuar autorët dhe janë dënuar të gjithë, për ekzekutorin kam kërkuar ’dënim të përjetshme’.

Dy çështje të tjera kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznesmenëve. Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës.  I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami. Hetimi ishte pezulluar. E rihapa dhe u identifikuan, arrestuan dhe dënuan autorët. Rasti tjetër ka të bëjë me një pengmarrje, ku pengu u ekzekutua, por autorët vijuan të kërkonin para. U identifikua autori dhe u kërkua dënim përjetë për të”.

Ai kujtoi edhe disa prej ngjarjeve më të rënda që ka hetuar kur ishte pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Ngjarjet e 97, të njohura si “masakra e Cërrikut”, ku janë vrarë 6 efektivë të Gardës dhe “masakra e Qafë gjashtës”, ku u vra një efektiv policie dhe u tentua të vritet një drejtues policie. Ndodheshim në një presion të jashtëzakonshëm të familjarëve të të pandehurve, që ndjeheshin të paprekshëm në qytetet e tyre dhe të familjarëve të viktimave, që kërkonin drejtësi”.

Ndërkohë kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi, duke iu përgjigjur pyetjeve të një prej anëtarëve të KLP-së, Vatë Staka, tha se duhet të ketë një ndryshim në kompetencën lëndore, por edhe një shtim të numrit të prokurorëve.

“Duhen ndryshime sa i takon kompetencës lëndore të punës së SPAK, pasi kemi një Prokurori Speciale që duhet të merret me çështje elitë. Por në anën tjetër duke pasur parasysh se çështjet e krimit të organizuar, për shkak se hetimi është kompleks, zgjasin me vite, janë me qindra për të mos dhënë me mijëra fashikuj në duart e prokurorëve, atëherë mendoj se duhet të kemi një shtim të numrit të prokurorëve që të kemi hetime cilësore”, tha Xholi. Në këtë kuadër ai tha se duhet të ketë një gërshetim mes faktit se duhet të ketë një ndryshim të kompetencës lëndore, por edhe sa I takon shtimit të numrit të prokurorëve.

I pyetur se cila është pika më e fortë në raport me kandidatët e tjerë, Xholi evidentoi eksperiencën drejtuese prej 16 vitesh në zyra dhe nivele të ndryshme.

Ai tha se pjesa akademike është anti-stres. “Nuk jam ekspert në fushën e hetimit të kripto-valutave”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes se cila është pika e tij më e dobët. Ai ka vlerësuar punën qoftë të Arben Krajës ashtu edhe të Altin Dumanit. “Kraja kishte eksperiencën e gjatë. Do të marrë nga të dy drejtuesit cilësitë e mira që kanë pasur”, tha Xholi.

Te tjera

Lajme te tjera