35 vite më parë, më 8 dhjetor të vitit 1990 shpërtheu revolta studentore, një lëvizje paqësore që do të shënonte fundin e regjimit komunist dhe do të hapte rrugën drejt demokracisë.
Guximi i tyre, i hapi rrugën Shqipërisë europiane, shkruajti Presidenti Bajram Begaj, teksa ishte i pari zyrtar i lartë që uroi Ditën e Rinisë, mëngjesin e këtij 8 dhjetori.
“Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Demokratët dhe ish studentë të dhjetorit u kthyen si çdo vit në Qytetin Studenti, nw sheshin Demokracia, pranë shtatores së Azem Hajdarit, një prej drejtuesve kryesorë të lëvizjes që nisi prej aty.
Në krah të familjarëve të Azem Hajdarit, Sali Berisha kërkoi që të jenë të rinjtë sërish që do të rrëzojnë diktaturën e re, sipas tij, atë të Edi Ramës.
“Unë kam besimin më të madh se Gjenerata Z e të rinjve shqiptare, trashëgimtare e idealeve të rinisë studentore të dhjetorit 1990, do përmbushë misionin e saj”, tha Berisha.
Para se të rrëzojnë Ramën, Ish studenti i dhjetorit Osman Stafa. i kujtoi Berishës, se fillimisht demokratët duhet të pastrojnë radhët e tyre.
“Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja”, i tha ai.
Paralel me këtë aktivitet të ish dhjetoristëve dhe demokratëve Kuvendi dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë mbante një aktivitet me të rinj.
Nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu tha se të rinjtë do të vazhdojnë të jenë fokusi kryesor.
8 dhjetori u shpall festë kombëtare në vitin 2009, me vendim të Kuvendit, në nderim të studentëve të dhjetorit te vitit ‘90 dhe rinisë që u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Protesta e 8 dhjetorit
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universiteteve të Tiranës ndërmorën hapin vendimtar, duke u bërë iniciatorë të protestave paqësore që çuan në përmbysjen e regjimit komunist. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhëve të tyre gjithnjë e më shumë qytetarë. Brenda pak orësh, turma arriti rreth 1000 pjesëmarrës.
Me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës. Lëvizja Studentore e vitit 1990 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e vendit.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik. Menjëherë pas këtij momenti, studentët filluan organizimet për themelimin e Partisë Demokratike, duke shënuar fillimin e epokës së re politike në Shqipëri.
Lëvizjet dhe protestat studentore vijuan edhe në muajt e parë të vitit 1991, duke kulmuar më 20 shkurt 1991, kur studentë, pedagogë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht simbolet e diktaturës.
