Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ka kryer një operacion në zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që drejtohet nga Belinda Balluku në orën 2:00 të natës. Sipas gazetarit Robert Papa, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar të dhëna të rëndësishme nga dosjet dhe kompjuterat e ministrisë. Papa tha se paniku ishte i madh te vartësit e Ballukut. “Amerika e ka mbështetur SPAK-un. Kjo u pa qartë me kthimin e Altin Dumanit nga pit-stopi në Washington, pas takimit me zëvendësuesin e Eskobarit në Tiranë. Nga burime të sakta, disa ditë më parë, Byroja e Hetimeve Shqiptare (BKH), e cila trajnohet nga SPAK, në orën 2:00 të natës ka zbarkuar te zyrat e Ministrisë së Ballukut. Janë marrë të dhëna nga dosjet, janë fotokopjuar gjithçka. Paniku është i madh te vartësit e Ballukut. Janë marrë të dhënat nga kompjuterat, nga çdo gjë elektronike. Balluku ka dërguar emisarët e saj të strehuar te bordi i aviacionit civil, këtu në Manhattan, New York. Natyrisht, që Balluku, ose siç quhet ‘Lubia’, është më e fuqishme në pastrimin e parave me miliona dollarë, edhe më shumë se ai që ajo e cilëson “Palloshi”. Ju kërkoj ndjesë për fjalën “Palloshi”, por nuk është në gjuhën time. E kam sjellë sepse “dyshi” i qeverisë e konsideron “njëshin” pallosh. Madje gjuha është më vulgare se kjo”, u shpreh Robert Papa.
Telashet për Ramën
Sipas Papës, hetimet e BKH-së kanë përfshirë edhe rrjetet e dyshimta financiare dhe investimet ku sipas tij mund të jenë të përfshirë figura të larta politike dhe ekonomike. “Duket që Rama është në rënie të lirë. Trysnia e madhe që i bën Gjykatës Kushtetuese ka dy shpjegime: Ose kërkon të justifikohet te Balluku, “Ja unë po të mbroj,” ose kërkon të blejë kohë. Nuk blen dot kohë Rama, sepse Byroja e Hetimeve ka hyrë thellë, siç ka hyrë thellë te investimet ku Rama dhe familja e tij janë aksionerë të fshehtë. Ka gjasa që aeroporti i Rinasit të ketë aksionarë nga familja e Ramës dhe Erdogan. SPAK ka të drejtë ta kërkojë dhe ta gjejë. Ato 50 milionë dollarë të dhëna në Llogara, i ke marrë si dhuratë për avionin presidencial që nuk të takon. FBI ka kohë që të ka në radar. Gjurmon sa herë që vjen ti, Taulant Balla dhe emisarët e Ballukut. Ky vend nuk është vend budalla. Dosjet i ke masive. Por Dumani nuk e ndalon askush që të kërkojë për 200,000 ose 250,000 dollarë sponsorizim politik për një aktivitet politik të Ramës, duke shkelur ligjin federal në Manhattan. Aty gjenden shumë rrjetet të kryeministrit. Si mund të shkojnë në Brooklyn biznese të fshehta, Staten Island, deri te ndërtime në Michigan. Follow the Money”, shprehet gazetari.
Pazaret e fshehta
Robert Papa gjithashtu ngriti pyetjen për Federica Mogherinin pas hetimeve që ka nisur ndërkombëtarët për abuzimet me fondet e BE. “A është ajo te lista e të paguarve nga Rama? Sepse shifrat janë nga 2 milionë deri në 4 milionë dollarë. 1 milion dollarë është paguar vetëm Bill Clinton kur ka ardhur ka folur në Tiranë. Natyrisht, përmes firmës së Tony Blair flitet mbi 4 milionë. Përse liderët e korruptuar të BE-së vijnë në jugun e Shqipërisë? Çfarë ju ofron falas? Çfarë kërkon të blesh? Dhe ndërkohë, opozita duket se po zgjohet. Dikush thotë që: “Përse në Bullgari thuajse i kanë vënë flakën vendit kundra qeverisë dhe presidenti kërkon dorëheqjen e saj?”. Në Bullgari nuk kanë ikur thuajse gjysma e popullsisë për 10 vitet e fundit. Ky është suksesi keqdashës i Ramës: duke larguar 1 milion vetë. Dhe në Bullgari nuk e kanë atë trysni që kanë shqiptarët, që edhe kanë frikë të dalin”, tha Papa ndër të tjera.
Fati i zi që e pret Ramën
Papa paralajmëron gjithashtu për fatin e Ramës, duke e krahasuar situatën e tij me udhëheqësit e tjerë të larguar nga pushteti. “E kam thënë disa herë që nuk dua që Kryeministri i vendit tim të ketë fatin e Noriegës, të Mubarakut dhe të diktatorëve në ato që quhej Pranvera Arabe. Por, mënyra se si po sillet, se si po i bën trysni drejtësisë/Gjykatës Kushtetuese, më lë të mendoj që ai lloj mesazhi që iu dha Maduros në Venezuelë, ose i është dhënë, ose do t’i jepet edhe Ramës, pavarësisht se është vend i NATO-s. Unë e di që në 2027-ën amerikanët nuk duan që Rama të jetë në pushtet kur Samiti i NATO-s të vijë. Ky është fakt. Përrallat se do të vinte Rubio dolën. Jua thashë me kohë. Madje, ambasadori i Ramës në Washington duket se mund të humbasë dhe vendin e tij të punës. Nuk ka shumë rëndësi. Rama e ka ofenduar këtë vend, ku nuk sjell një emër politik. Ka emra plot. Mund të gjejë. Ai nuk do, sepse ka ngritur partinë të stilit Balluku—njerëz që vjedhin, por që natyrisht pjesa e luanit shkon te Rama. Amerikanët këtë e dinë. Sado Balluku me emisarët e saj, që i ka strehuar te Aviacioni Civil, që i dërgon në Amerikë, merr thërrime. Dhe Rama, aksioner i fshehtë, deri këtu. Por, organizmat ligjzbatuese të inteligjencës dinë çdo gjë, ndaj vazhdojnë ta injorojnë, sepse e injoroi edhe Bidenin. Edhe pse kishte vajzën e Soros seksere, nuk e priti. Dhe ajo që e tmerroi, ndaj i futi thikën e fundit Veliajt, është që Veliaj takoi Kamala Harris përpara zgjedhjeve. Nuk e lejuan të bënte foto, e shëmtonte. Rama nuk e priti. Dhe gafa e tij e fundit kur ai, ajo që ai e quan opozitarja më e madhe e Evropës Juglindore, shkroi parathënien e librit të Kamala Harris, dhe tallja e videos me Macron. Ndaj Dumani është kaq agresiv. Dhe Byroja e Hetimeve (BKH) kanë marrë thuajse çdo gjë në orën 2:00 të natës te zyrat e Ministrisë së Ballukut. Vjedhjet janë skandaloze. Ato vjedhje sjellin pensionet qesharake, qiratë e mëdha dhe kullat që u jepen personave që pastrojnë para. Dhe këtu kanë bërë që çmimet të jenë skandaloze, të paprekshme nga njeriu i thjeshtë që kërkon të ndërtojë jetën me dinjitet. Kjo mund të zhbëhet shumë shpejt. Po, shembulli është Vjena. Mund të ndërtohen edhe kulla me çmime të ulëta, për të përballuar kërkesat e atyre që punojnë me dinjitet. Rama nuk e do, ndaj do të largohet. Ai është i tmerruar jo thjesht nga prangat, por e di që miliardat e vjedhura nuk i ruan dot. Ato janë gjaku i shqiptarëve. I duhen kthyer vendit, siç ka ndodhur edhe me figura të tjera”, shprehet Papa. /Gazeta Sot/
