E hënë, 23 Nëntor, 2026

Play-off i Botërorit 2026/ Shqipëria luan kundër Polonisë, Kosova gjen Sllovakinë! Kuqezinjtë në finale me fituesin e Ukrainë – Suedi, Italia e ‘gjen shtruar’

Share

ZYRIH, Zvicër – U hodh këtë të enjte në selinë e FIFA-s shorti për ndeshjet gjysmëfinale dhe finalet e mundshme play-off të Kupës së Botës 2026, event që zhvillohet verën që vjen në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Shqipëria do përballet në ndeshjen e parë kundër Polonisë në udhëtim, ndërsa po në udhëtim Kosova luan kundër Sllovakisë. Short i lehtë për Italinë, që gjen në përballjen e parë Irlandën e Veriut, teksa nëse fiton, në finale përballet me fituesin e çiftit Uells – Bosnjë Hercegovinë, në udhëtim.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë kundër Polonisë në gjysmëfinalen play-off për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026. Ndeshja e parë për djemtë e Sylvinhos do jetë në transfertë, teksa nëse dalin fitues në ndeshjen teke do përballen në finalen play-off kundër fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi. Sërish goglat kanë vendosur që nëse tanët kalojnë më tej, edhe finalen play-off do e luajnë në udhëtim.

Përfaqësuesja e Kosovës do përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen play-off. Dueli i parë për Dardanët do luhet në udhëtim, ndërsa nëse fiton ndeshjen, gjen në finalen play-off fituesin e çiftit Turqi – Rumani. Nëse luan në finale, Kosova i pret rivalët në “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Në ndeshjet e tjera bien në sy përballjet Danimarkë – Maqedoni e Veriut apo Çeki – Irlandë.

Ndeshjet gjysmëfinale të play-off do luhen më 26 mars 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 31 mars 2026 luhen ndeshjet finale, me një takim, nga ku do mësohen katër skuadrat që do marrin një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës 2026.

Në play-off ndërkontinentale, Republika Demokratike e Kongos pret fituesin e çiftit Kaledonia e Re – Xhamajka. Ndërsa Iraku luan në finalen play-off me fituesin e Bolivi – Suriname.

Të gjithë ndeshjet janë me një përballje dhe në rast barazimi gjatë 90 minutave, skuadrat i drejtohen shtesës prej 30 minutash dhe nëse është e nevojshme edhe penalltive.

Deri në këto momente janë kualifikuar 42 kombëtare dhe gjashtë të tjera do dalin nga faza play-off. Katër ekipe dalin nga zona evropiane (UEFA), ndërsa dy skuadrat e tjera nga play-off ndërkontinental.

Botërori 2026 do zhvillohet verën që vjen nga 11 qershori – 19 korrik dhe për herë të parë në fazën finale që do mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, do marrin pjesë 48 skuadra.

Rezultatet e shortit:

Faza play-off ndërkombëtare

Kaledonia e Re – Xhamajka vs Republika Demokratike e Kongos

Bolivia – Suriname vs Irak

Faza play-off, zona UEFA – Ndeshjet gjysmëfinale

Italia – Irlandë e Veriut

Ukrainë – Suedi

Turqi – Rumani

Danimarkë – Maqedoni e Veriut

Uells – Bosnjë Hercegovinë

Poloni – Shqipëri

Sllovaki – Kosovë

Çekia – Irlandë

Përballjet finale të fituesve

Uells – Bosnjë Hercegovinë vs Italia – Irlandë e Veriut

Ukrainë – Suedi vs Poloni – Shqipëri

Sllovaki – Kosovë vs Turqi – Rumani

Çeki – Irlandë vs Danimarkë – Maqedoni e Veriut

Te tjera

Lajme te tjera