Sot u prezantua projekti “OSHEE Charge”, një shërbim i ri i karikimit të automjeteve elektrike për të shkuar drejt energjisë së pastër dhe transportit të qëndrueshëm. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitet, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në sektorin e energjisë. Ai theksoi se përfshirja e OSHEE-së në këtë sektor si aktor kryesor do të nxisë përdorimin e automjeteve elektrike dhe rregullimin e tregut.
“OSHEE do të ndjekë një politikë agresive nxitje duke i dhënë mundësi të gjitha atyre që e karikojnë automjetin e tyre elektrik në parkimin e apartamentit apo shtëpisë së tyre, që ta blejnë me të njëjtin çmim që blejnë energjinë për konsum shtëpiak, që është çmim i ulët, por që justifikohet me faktin se duke qenë karikim i ngadaltë gjatë orëve të natës është ekonomikisht i përballueshëm nga OSHEE. Ndërkohë, që duke u futur në treg si aktor kryesor OSHEE do të imponojë një rregullim të menjëhershëm të një tregu ku kemi parë keqkuptime të mëdha, në kuptimin që po ngul disa karikues në rrugë dhe po u jap njerëzve energji me çmim më të lartë.”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se brenda vitit që vjen do të nisë edhe puna për implementimin e matësave inteligjentë të energjisë, një proces që pritet të përmbyllet brenda mandatit. Po ashtu, theksoi Rama, “kemi nisur punën për të ngritur në Shqipëri një data center të fjalës së fundit”.
“Besoj brenda vitit që vjen do të kemi edhe fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë, duke kaluar në sistemin inteligjent, me një pjese të parë rreth 350 mijë matësash dhe brenda këtij mandati besoj se do të përmbyllim këtë proces, që patjetër do ta ulë edhe më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet duke e çuar padiskutim në mesataren e poshtme të BE, por edhe do të rrisë cilësisht faturimin e çdo konsumatori, duke riparuar edhe ato të meta të fundit që ka procesi i faturimit.”, shtoi kryeministri.
Kjo vjen në vazhdën e objektivit për të arritur pavarësinë e plotë energjitiksë brenda 2030, për të mos qenë më të varur as nga importi dhe luhatjet që sjellin në treg krizat që nuk kanë të bëjnë fare me vendin tonë. Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe te rritja e pagave të punonjësve të OSHEE-së, duke bërë me dije një indeksim prej 6.1% të pagave për 6800 punonjësit e kompanisë.
“Duke qenë pjesë e një strukture që është jashtë financimit të buxhetit të shtetit, burimet njerëzore të OSHBEE nuk përfshihen drejtpërdrejt nga buxheti në rritjen e pagave, por dua ta theksoj sot, që në radhë të parë për 6800 punonjësit e kompanisë do të ketë një indeksim të pagave me 6.1%, në radhë të dytë për të gjithë elektricistët e kompanisë do të ketë rritje page me 75 mijë lekë në muaj, dhe së treti, për inxhinierët do të këtë rritje me 12 500 lekë në muaj. Janë rritje domethënëse dhe të merituara për një skuadër të madhe që rrit në mënyrë të qëndrueshme performancën dhe cilësinë e shërbimit ”, tha Rama.
E pranishme është edhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, aktiviteti i saj i parë publik krah Ramës që nga marrja e pandehur nga SPAK me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
