E martë, 24 Nëntor, 2026

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive vijon zbatimin e fazës pilot të Garancisë Rinore

Share

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) po vijon me sukses zbatimin e fazës pilot të programit “Garancia Rinore”, një nismë që synon të ofrojë mundësi konkrete punësimi, arsimi ose formimi profesional për të rinjtë që nuk janë të punësuar apo të përfshirë në sisteme arsimore.

Falë ndërmjetësimit të Zyrës së Punës, Laura, një nga përfitueset e programit, arriti të punësohet si recepsioniste vetëm një muaj pas aplikimit për t’u bërë pjesë e Garancisë Rinore. Ky është një shembull i qartë i ndikimit pozitiv që programi ka në nxitjen e punësimit të të rinjve në vend.

Programi është i hapur për të rinjtë deri në 29 vjeç që jetojnë në Tiranë, Vlorë apo Shkodër dhe që aktualisht:

  • nuk janë të punësuar,
  • nuk ndjekin arsimin,
  • nuk ndjekin një kurs formimi profesional.

Të interesuarit mund të aplikojnë përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për Garancinë Rinore”.
Garancia Rinore synon që çdo i ri i regjistruar të marrë një ofertë cilësore punësimi, arsimi apo formimi profesional brenda katër muajve.

Ky program mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të zbatimit të Programit Shumëvjeçar “BE për Punësimin e të Rinjve”, duke përforcuar partneritetin ndërmjet institucioneve shqiptare dhe mbështetjes ndërkombëtare për zhvillimin e aftësive dhe nxitjen e punësimit të të rinjve.

Përmes këtij projekti, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive konfirmon angazhimin e saj për të ofruar mundësi reale integrimi në tregun e punës dhe për të përmirësuar perspektivën profesionale të brezit të ri në Shqipëri.

#GaranciaRinore #AKPA #MEI #PunaGovAl #Punesim #Aftesi #Tirane #Vlore #Shkoder #EUinAlbania #Youth #2025 #skills #rinia

Te tjera

Lajme te tjera