I ashpër dhe duke u kërkuar llogari se nuk u janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për paketën e maleve, kryeministri Rama mblodhi kryetarët e Bashkive me një ultimatum: të identifikojnë menjëherë zonat prioritare për zhvillim.
Rama i kritikoi kryebashkiakët për neglizhencë dhe duke lënë në pritje një numër të madh personash që kanë shpallur interesim për të investuar nëpërmjet Paketës së Maleve.Të vetmet që deri më tani e kanë dorëzuar hartën janë bashkitë e Elbasanit, Belshit, Skrapari, Përmetit dhe Tropoja.
“E pamë të udhës ta bëjmë këtë takim publik sepse ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore. Fakti që në ditën e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë, pati 800 shprehje interesi, nga shumica dërrmuese shqiptarë jashtë Shqipërisë, flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë.
Bëjmë takimin sepse kemi shqetësimin që po ecën me një ritëm të ulët në raport me atë që paketave që ka në thelb, shpejtësinë. Shpejtësinë në kuptimin e një burokracitë të lehtësuar maksimalisht dhe shpejtësinë e mundësisë për t’i dhënë përgjigje të shpejta atyre që kanë shprehur interes. Kjo vonesë është dekurajuese për ata që e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në proces prej disa muajsh nuk kanë marrë përgjigje. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo paketë”, tha Rama.
Rama gjithashtu ka urdhëruar ngritjen e një task-force të përbërë nga 3 persona, e cila do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë, apo për t’i lehtësuar procedurat personave që kanë shpallur interesim për të qenë pjesë e 500 të parëve që do t’i miratohet leja për të invesuar. 500 investitorët e parë përfitojnë një kontratë 10 vjeçare ku për këtë periudhë kohore, nuk do të paguajnë asnjë taskë në shtet.
“Duhet të ngrini një task forcë në çdo bashki me 3 persona që t’i rrinë pronto njerëzve që shprehin interesin. 500 të parët që do të marrin kontratën 10 vite nuk do të paguajnë asnjë lloj takse. Duhet t’i ndihmoni të jenë të 500 të parët”, tha Rama.
Pa dhënë detaje se për cilin rast bëhet fjalë, njoftoi edhe një operacion të madh policor për falsifikim pronash.
“Kemi zbuluar një operacion kriminal për të marrë një sasi të madhe toke me dokumente të falsifikuara, na ka ndihmuar policia shkencore. Do ta ndjekim me prokurori e gjykata. Po kur vjen puna tek gjykata hasim në akte ati shtet”, tha Rama.
Në këtë takim, kryeministri nuk ka kursyer as humorin dhe ironitë drejtuar kryebashkiakëve, të cilët nuk kanë dorëzuar hartat me zonat prioritare. Njësoj ai iu drejtua dhe kryetarëve të bashkisë së PD-së, Hilë Currit në bashkinë e Fushë-Arrëzit si dhe opozitarit Albert Malaj i Memaliajt. Rama i cilësoi si hudhra, ndërsa më pas iu drejtua të vetëve me humor se shpëtuan nga vendosja në pozita pune, pasi as ata nuk kanë përmbushur detyrimet.
Me humor, Rama gjithashtu i tha kryebashkiakut të Këlcyrës, Klement Ndonit, nëse ai nis punimet për të ndërtuar një projekt në zonë brenda muajit, do ta hipin në vend të Ali Pashës në shtatoren në Tepelenë.
