E martë, 10 Nëntor, 2026

Rishikohet përsëri buxheti, 97 mln euro bonus pensionistëve për fundvit! Qeveria i jep 30 mln euro Albcontrol pas bllokimit të llogarive

Share

Për herë të tretë brenda këtij viti qeveria ka rishikuar përmes aktit normativ buxhetin e shtetit për 2025-ën. Me ndryshimet e bëra rriten me 121 milionë euro të ardhurat, të cilat deri në fund të vitit parashikohet të arrijnë në rreth 7.7 miliardë euro si dhe shtohen me 57 milionë euro shpenzimet dhe në total të gjitha institucionet pritet të shpenzojnë 8.3 miliardë euro.

Qeveria ka vendosur të shtojë fondin në dispozicion të bonusit të fundvitit për pensionistët. Nga 37.5 milionë euro që ishte parashikuar në buxhetin fillestar, vlera është rritur në 97 milionë euro. Një shtesë e barabartë me gjysmën e vlerës së rritjes së të ardhurave.

Nga bonusi pritet të përfitojnë rreth 756 mijë pensionistë. Edhe këtë vit shpërblimi do të jetë me fasha. Pensionistët që marrin deri në 200 euro në muaj pritet të përfitojnë më shumë. Kjo ishte skema që u përdor edhe përgjatë vitit të kaluar, ky fondi për bonusin ishte thuajse në të njëtën vlerë. Vjet 150 euro u dhanë për pensionet e ulta, dhe 100 euro për ata që merrnin mbi 200 euro në muaj. Por për shpërblimin e këtij viti ende nuk ka një ndarje finale sesa do të jetë vlera që do të marrin qytetarët.

Sa i takon institucioneve shtesa më e madhe në buxhet i bëhet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së cilës i jepen rreth 60 milionë euro shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme rrugore dhe hekurudhore, mes tyre edhe për rrugën lidhëse Tiranë – Elbasan me koridorin VIII,  punimet për Tiranë–Durrës (Faza I– III) apo ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr (Faza III).

Brenda këtij fondi shtesë 30 milionë euro shkojnë në formën e transfertës kapitale, për Albcontrol për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive. Po ashtu fonde shtesë prej 16 milionë euro janë parashikuar për AKSHIN për sisteme kompjuterike, në kuadër të projektit me Bankën Botërore dhe projekteve me kompaninë Oracle.

SHISH do të marrë 5.5 milionë euro më shumë për blerje sistemesh, ndërsa ministria e Brendshme merr 4.6 milionë euro për nevojat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Buxheti rritet edhe për Ministrinë e Drejtësisë për projektin e Institutit të të Miturve në Konflikt me Ligjin, për Ministrinë e Bujqësisë për programin e ujitjes, ILDKPKI fonde për  projektin e godinës së institucionit dhe 320 mijë euro shtesë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare në Dajt.

Te tjera

Lajme te tjera