Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot” godet pa kursim skenën politike shqiptare, duke shpallur përfundimin e ciklit të kreu të Partisë Demorkatike, Sali Berisha si lider i së djathtës që nga viti 2013. Ai hedh dritë mbi infiltrimin e bandave kriminale në Parlament, duke denoncuar një rrezik të thellë për demokracinë dhe integritetin e institucioneve. Cako zbulon pasqyrën e errët të zgjedhjeve të 11 majit, ku sipas tij PS fitoi me manipulime të thella, blerje votash dhe shantazh, përfituar nga mbështetja e fuqishme e BE dhe SHBA. Ndërkohë ai sfidon drejtuesit e opozitës për të thyer zinxhirët e sundimit Berisha dhe për të rikthyer shpresën në një opozitë të vërtetë. Intervista e Z. Cako është një thirrje e zjarrtë për një përmbysje rrënjësore në politikën shqiptare dhe për përballjen serioze me krimin dhe korrupsionin që po rrënojnë vendin.
–Zoti Cako, në zgjedhjet e 11 majit që u mbajtën, PS doli fituese, duke marrë 83 mandate, ndërsa PD me aleatët, jo vetëm që kanë humbur thellë, por Sali Berisha fundosi përfundimisht opozitën e mbetur deri më tani me 50 mandate nga 63 në total në 2021. Sipas jush, humbja e PD-së ishte një votë pro Partisë Socialiste, apo një votë kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës?
Rezultati i Partisë Socialiste nuk është real por i fryrë prej mbështetjes së BE, propagandës së mediave kryesore, intimidimit të administratës publike, manovrave qeveritare me falje gjobash, blerjes së votave, manipulimeve, përdorimit të kërcënimeve nga bandat kriminale. Këto të fundit kanë tashmë deputetët e tyre pothuajse në të gjitha zonat zgjedhore dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare, që nga Korça, në Elbasan, Fier, Durrës, Tiranë, Lezhë, Shkodër. Ndaj ky rezultat ende nuk është njohur nga SHBA dhe nuk dihet nëse do të pranohet prej saj apo jo. Kurse votat e opozitës që kishte 4-5 vjet që gjuhej si derr i egër nga heshtat e USA-SHBA dhe mazhorancës së PS, e lënë pa fonde, pa seli, pa vulë dhe me liderin e izoluar apo të burgosur (Ilir Meta), u gjuajtën nga disa parti të vogla. Por përsëri pati rritje të abstenimit.
-A mendoni se Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike për t’i hapur rrugë një fryme të re në opozitë?
Janë strukturat ose vullneti personal i Sali Berishës që vendos për këtë çështje. Askush nga ne nuk ka të drejtë ose detyrë tu imponohet strukturave. Por këto, me çdo veprim të tyre të rëndësishëm, marrin mbi shpinë aktin historik të forcimit, stanjacionit apo rënies në degradim të opozitës. Opozitat janë vlerë në çdo vend demokratik pasi ato kontrollojnë mënyrën e qeverisjes së mazhorancave dhe cilësinë e shpenzimeve të parave të popullit. Kur opozitat degradojnë dhe nuk kanë fuqi, dobësia e tyre sjell pasoja negative për jetën e gjithë popullit.
– Çfarë e pret Sali Berishën politikisht dhe ligjërisht, duke qenë se është “non-grata” nga SHBA dhe aktualisht përballet me dosje në SPAK?
Unë nuk e di të ardhmen e tij por politikisht mendoj se cikli i tij ka mbaruar qysh më 2013 si lider i të djathtës. Kurse për sa i përket ‘non-gratës’ dhe problemeve me drejtësinë, besoj se të dyja këto nuk do të kenë ndonjë rëndësi nëse ai ngelet vetëm deputet i thjeshtë në Partinë Demokratike. Gjithsesi, akuza që i është ngritur Berishës dhe Maltezit për ish-klubin “Partizani”, mendoj se është pa peshë dhe pa argumentim ligjor.
Intervistoi: Rigels Seliman
