E hënë, 23 Nëntor, 2026

“Rruga e një mësueseje që sfidon politikën me ide të reja”, Vinjola Rota: Arsimi, Sporti dhe Kultura, zemra e vizionit tim për Korçën

Share


Në një kohë kur politika shqiptare kërkon fytyra të reja dhe ide të freskëta, kandidatura e Vinjola Rotës për deputete nën siglën e PS në Qarkun e Korçës vjen si një frymë ndryshe. Me një karrierë të ndërtuar në fushën e arsimit dhe me një përkushtim të palëkundur ndaj komunitetit, Rota synon të sjellë në Kuvend jo thjesht zëra të rinj, por një vizion të qartë dhe realist.
Nën moton “Rruga e një mësueseje që sfidon politikën me ide të reja”, ajo prezanton një program të mbështetur mbi tre shtylla themelore: arsimi cilësor, zhvillimi i sportit si mënyrë jetese dhe promovimi i kulturës korçare si motor i turizmit dhe identitetit lokal.
“Arsimi, Sporti dhe Kultura janë zemra e vizionit tim për Korçën”, thotë Vinjola Rota në këtë intervistë ekskluzive ku rrëfen prioritetet, nismat konkrete dhe besimin e saj tek fuqia e dijes dhe traditës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.


Zonja Rota, ju kandidoni për deputete nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Cilat janë prioritetet tuaja konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor në Qarkun e Korçës, veçanërisht në zonat rurale ku shpesh mungojnë burimet dhe infrastruktura?

Duke qenë vetë mësuese dhe më pas drejtoreshë e Drejtorisë Arsimore, e njoh nga afër sfidën që përballin shkollat në zonat rurale. Prioriteti im është garantimi i kushteve të barabarta për çdo nxënës, kudo që jeton. Do të angazhohem për investime në infrastrukturën shkollore, dixhitalizimin e mësimit, transportin e sigurt për nxënësit dhe trajnime të vazhdueshme për mësuesit. Edukimi nuk mund të jetë luks, por një e drejtë bazë dhe e realizueshme për të gjithë.

Si e shihni rolin e arsimit profesional dhe teknologjik në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe çfarë nismash do të ndërmerrni për të nxitur këtë sektor?

Korça ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe arsimi profesional është çelësi për ta shfrytëzuar atë. Do të punoj për të forcuar bashkëpunimin midis shkollave profesionale dhe sipërmarrjeve lokale, duke krijuar mundësi reale punësimi për të rinjtë. Jam për një sistem dual, ku të rinjtë të mësojnë teorinë në klasë dhe praktikën në biznese. Kjo do ti ndihmojë të rinjtë të profilizohen, u jep shpresë dhe orientim të rinjve që nuk ndjekin domosdoshmërisht një rrugë universitare, por duan të punojnë, të fitojnë zanate dhe të jenë të pavarur financiarisht.

Ndërkohë sporti luan një rol kyç në edukimin e të rinjve dhe shëndetin publik. Çfarë plani keni për të investuar në infrastrukturën sportive në qytet dhe në fshatra?

Sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por një mënyrë jetese që ndërton karakterin, bashkon familjen dhe rrit mirëqenien. E kam treguar edhe vetë në një video ku luaja tenis me familjen time sepse besoj fort se sporti duhet të fillojë në shtëpi dhe të mbështetet në çdo lagje e fshat. Si deputete plani im është të zgjerojmë hapësirat sportive, veçanërisht në shkollat rurale, dhe të mbështesim klubet vendore. Investimet do të fokusohen në ndërtimin dhe rikonstruksionin e fushave sportive, krijimin e programeve të rregullta dhe përfshirjen e trajnerëve të certifikuar. Kjo sepse një shoqëri aktive është një shoqëri më e shëndetshme.

A mendoni se bashkëpunimi me shkollat mund të jetë një mënyrë për të nxitur sportin që në moshë të hershme? Si do ta realizonit një model të tillë?

Besoj fort se shkolla është vendi ku mbillen zakonet e mira dhe sporti është një prej tyre. Si ish mësuese, e kam parë nga afër sa pozitivisht ndikon aktiviteti fizik tek fëmijët: i ndihmon të zhvillojnë aftësi sociale, më të motivuar në mësime, me vetëbesim dhe shëndet të mirë. Plani im është të ndërtojmë një model bashkëpunimi të qëndrueshëm mes shkollave dhe instruktorëve sportivë, duke nisur nga shkollat 9-vjeçare. Dua që çdo shkollë të ketë mundësinë për të zhvilluar orë të strukturuara sportive, gara mes shkollave dhe klube komunitare që të ofrojnë hapësira pas mësimit. Kjo nuk është thjesht politikë arsimi, është investim në të ardhmen tonë.

Nga ana tjetër, Korça ka një trashëgimi të pasur kulturore. Si do ta ruani dhe promovoni këtë trashëgimi si pjesë e identitetit lokal dhe si mundësi zhvillimi për turizmin?

Korça nuk është thjesht një qytet, është një frymë, një kujtesë e gjallë e kulturës shqiptare. Nga serenatat e lagjes së vjetër, te artizanati dhe arkitektura karakteristike, kjo trashëgimi është pasuria jonë më e çmuar. Ajo nuk duhet thjesht ruajtur si një kujtim, por duhet kthyer në motor zhvillimi. Si deputete, do të angazhohem për restaurimin e objekteve me vlerë historike, mbështetjen e festivaleve tradicionale dhe ngjarjeve artistike, krijimin e një rrjeti turistik që lidh kulturën, gastronominë dhe natyrën e Korçës, përfshirjen e të rinjve si guida kulturore, promovues të artit dhe organizatorë eventesh. Trashëgimia nuk është vetëm ajo që trashëgojmë, është ajo që zgjedhim t’u lemë brezave që vijnë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për të mbështetur artistët dhe organizatat kulturore lokale që shpesh përballen me mungesë fondesh dhe hapësirash për aktivitet?

Artistët dhe organizatat kulturore janë fryma krijuese e një shoqërie, ata sjellin reflektim, frymëzim dhe identitet. Por shpesh përballen me sfida të mëdha si psh mungesë fondesh, mungesë hapësirash për të krijuar dhe mungesë platformash për t’u dëgjuar. Si deputete, do të punoj për krijimin e një fondi të posaçëm mbështetjeje për projektet kulturore lokale, hapjen e qendrave komunitare multifunksionale për artin, dhe përfshirjen e artistëve në programet edukative e sociale. Dua që çdo artist të ndjejë se ka një vend në këtë qytet dhe një shtet që e mbështet. Do të angazhohem gjithashtu për ngritjen e një platforme digjitale që promovon artin korçar në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe për partneritete nga diaspora, artistike që e duan qytetin por janë larguar prej mungesës së mundësive. Gjykoj që kultura nuk është luks por është oksigjen shpirtëror dhe potencial ekonomik. Dhe Korça i ka të dyja.

Te tjera

Lajme te tjera