E hënë, 23 Nëntor, 2026

Taulanda Jupi: Shqipëria nuk pastrohet me maska dhe kukulla politike! Koha e grave të pakorruptuara dhe drejtësisë së hekurt ka ardhur

Share

Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik për Qarkun Tiranë, Taulanda Jupi, vjen me një mesazh të fortë për qytetarët: Shqipëria nuk mund të pastrohet me maska dhe kukulla politike. Në një intervistë të drejtpërdrejtë, Jupi thekson se ka ardhur koha për gra të pakorruptuara dhe një drejtësi të hekurt. Me kurajë dhe vendosmëri, ajo shpall fundin e tranzicionit të turpit dhe të pandëshkueshmërisë politike.

-Znj. Jupi, çfarë ju shtyu të angazhoheni politikisht përmes Koalicionit Euroatlantik dhe cilat janë prioritetet që do të përfaqësoni në Kuvend nëse merrni besimin e qytetarëve?

Taulanda Jupi: Unë nuk kam hyrë në politikë për të ndjekur rrjedhën, por për ta ndryshuar atë. Koalicioni Euroatlantik është i vetmi grupim politik që nuk ka përkulur kurrë kokën përpara pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Është një koalicion që ka luftuar pa kompromis për listat e hapura dhe për një sistem politik të pastër dhe të përgjegjshëm. Unë qëndroj krenare përkrah një force që i jep mbështetje të palëkundur SPAK-ut dhe institucioneve të reja të drejtësisë, të vetmet mjete për të çrrënjosur korrupsionin endemik dhe për t’i dhënë fund këtij tranzicioni të pafund dhe të turpshëm 34-vjeçar. Nëse qytetarët më japin besimin, unë do të shërbej me ndershmëri, kurajë dhe pa mëdyshje për të mbrojtur interesin e tyre.

-Shumë të rinj largohen nga vendi për mungesë mundësish. Si do të kontribuoni në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në frenimin e emigrimit të trurit?

Taulanda Jupi: Unë jam e bindur se nuk do ta ndalojmë dot hemorragjinë e rinisë duke përsëritur gabimet e së shkuarës. Së pari, ne do t’i japim fund tranzicionit të tejzgjatur, si akt drejtësie për çdo të ri e çdo familje shqiptare që ka duruar padrejtësi për 34 vite. Së dyti, do të çojmë para drejtësisë çdo politikan të korruptuar dhe do të rikthejmë çdo qindarkë të vjedhur për të ndërtuar mundësi të reja për të rinjtë tanë. Ne do të hapim dyert e tregut të punës për ta me 10 mijë praktika njëvjeçare dhe do t’i ndihmojmë të ndërtojnë jetën e tyre këtu me kredi pa interes për 30 mijë çifte të reja. Unë besoj se shoqëria nuk zhvillohet pa konkurrencë dhe meritë, dhe unë do të luftoj për t’i rikthyer ato.

-Si e shihni rolin e gruas në politikën shqiptare sot, dhe si do ta përdorni zërin tuaj për të forcuar barazinë gjinore në institucione?

Taulanda Jupi: Gruaja shqiptare nuk mund të jetë më makiazh politik. Ajo nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht një kuotë në statistikat e pushtetit. Për 34 vite, shumë gra në politikë nuk e kanë ngritur zërin për të sfiduar korrupsionin. Unë nuk do të jem një prej tyre. Unë nuk pres urdhra nga kryetarët, por flas me zërin e qytetarëve të thjeshtë, të lënë në harresë. Unë shkoj në Kuvend për ta sjellë ndryshimin vetë, jo për të pritur që ta sjellin të tjerët. Besoj se ka ardhur koha për gra të pakorruptuara, të guximshme dhe të vendosura. Dhe unë jam këtu për ta vërtetuar këtë.

-Cili është qëndrimi juaj për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit? Çfarë mekanizmash konkrete do të mbështesni për të pastruar administratën dhe politikën nga abuzimet me pushtetin?

Taulanda Jupi: Të korruptuarit nuk kanë vend në politikë dhe as në administratë. Ne do të mbështesim pa asnjë hezitim SPAK-un dhe drejtësinë e re për të ndëshkuar të korruptuarit dhe për t’ia rikthyer qytetarëve çdo pasuri të vjedhur. Administrata shqiptare është fryrë artificialisht, një mjet pushteti për një elitë që rritet ndërsa Shqipëria boshatiset. Në një epokë të digjitalizimit, ne do të ndjekim shembullin e kombeve të zhvilluara: një administratë e vogël, profesionale dhe e pakorruptuar, në shërbim të qytetarit, jo të partisë.

-Cilat janë politikat tuaja për mbështetjen e fermerëve, të cilët shpesh ndihen të harruar nga shteti, pavarësisht se janë shtylla e ekonomisë rurale?

Taulanda Jupi: Nuk ka Shqipëri të fortë pa fermerët e saj. Ne do të mbështesim fermerët shqiptarë jo me premtime, por me veprime konkrete: 100 milion euro grante dhe 50 milion euro investime çdo vit në infrastrukturën bujqësore. Do të ulim kostot e prodhimit duke subvencionuar farërat, fidanët dhe siguracionin e produkteve bujqësore. Dhe do të mbrojmë produktin shqiptar nga monopolet e importeve që shkatërrojnë fermerin tonë. Fermerët shqiptarë nuk do të jenë më viktima të miqve të pushtetit.

-Duke qenë pjesë e një koalicioni me orientim euroatlantik, si do të garantoni që Shqipëria të mbajë kursin drejt integrimit në BE dhe forcimit të aleancës me SHBA?

Taulanda Jupi: Rruga drejt Europës kalon nga ndershmëria dhe guximi. Ne do të mbështesim me vendosmëri luftën e SPAK dhe drejtësisë së re kundër korrupsionit dhe do të rrisim investimet për modernizimin e ushtrisë sonë sipas standardeve të NATO-s. Ne do të angazhohemi për një Shqipëri që është partner i besueshëm i SHBA dhe BE, duke ndarë çdo vit 50 milion euro ndihmë ushtarake për Kosovën, sepse paqja dhe siguria në rajon janë detyrë që i shkon Shqipërisë në NATO. Shqipëria do të jetë jo vetëm pjesë e Perëndimit, por një aleat i denjë dhe i palëkundur.

Te tjera

Lajme te tjera