Kandidatja e Partisë Socialiste për Qarkun e Korçës, Vinjola Rota, ka folur me ndjeshmëri dhe vendosmëri për sfidat e qytetarëve të saj dhe angazhimin që e shtyu të hyjë në garën politike sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Zonja Rota, zbulon se vjen në këtë garë me një mesazh të qartë: politika nuk është vend për premtime boshe, por për zgjidhje reale. E lindur dhe rritur në Korçë, Rota e njeh nga afër çdo sfidë që përballen të rinjtë, fermerët dhe familjet e zakonshme të qytetit të saj. Në një intervistë të drejtpërdrejtë dhe pa retorikë, ajo vendos theksin te zbutja e papunësisë, mbështetja për fermerët, zhvillimi i turizmit rural dhe fuqizimi i sipërmarrjes së të rinjve. Me një plan konkret dhe një vizion të kthjellët për të ardhmen, kandidatja e PS për Qarkun e Korçës, Vinjola Rota premton të jetë një zë i fortë në Kuvend për qytetarët që nuk kërkojnë shumë, pra vetëm të dëgjohen, të mbështeten dhe të mos harrohen. “Unë nuk vij me fjalë të mëdha, por me një vesh të hapur dhe një vendosmëri të palëkundur”, thekson Rota, ndërsa e sheh këtë fushatë si një detyrim moral ndaj vendit ku është rritur.
-Zonja Rota, jemi disa ditë larg zgjedhjeve të 11 majit. Kështu që si fillim ju falenderoj që pranuat ftesën për intervistë dhe ndërkohë më lejoni t’iu pyes se cila është arsyeja që vendosët të kandidoni për deputete në qarkun e Korçës?
Faleminderit juve për ftesën! Kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet, ndaj njoh nga afër sfidat dhe potencialin e Korçës. E ndjej si detyrim moral dhe politik të kontribuoj për një zhvillim më të qëndrueshëm, për më shumë mundësi për të rinjtë dhe për një përfaqësim të denjë në Kuvend.
-Si janë pritur takimet tuaja me qytetarët deri tani?
Me shumë ngrohtësi dhe sinqeritet. Qytetarët e Korçës kanë nevojë të dëgjohen dhe të ndihen pjesë e vendimmarrjes. Unë nuk vij me fjalë të mëdha, por me një vesh të hapur dhe me vendosmërinë për të çuar në Kuvend zërin e tyre të përditshëm.
-Cilat janë nevojat më të mëdha që qytetarët ju kanë shprehur gjatë takimeve?
Punësimi është shqetësimi kryesor. Të rinjtë duan perspektivë, ndërsa të moshuarit kërkojnë dinjitet. Fermerët kërkojnë ndihmë reale, jo premtime në letër. Këto janë shtyllat e programit tim dhe do të jem zëri i tyre përballë institucioneve qendrore.
-Cilat janë tri gjëra konkrete që do të bëni për qarkun e Korçës nëse zgjidheni?
- Do të loboj për një fond të posaçëm për zhvillimin e turizmit rural dhe kulturor në Korçë.
- Do të punoj për ngritjen e një inkubatori për bizneset e reja, që do të ndihmojë të rinjtë të nisin sipërmarrjet e tyre.
- Do të propozoj ndryshime ligjore për subvencionimin e fermerëve të vegjël, sidomos në fshatrat e thella të qarkut.
-Si do ta zhvilloni Korçën gjatë katër viteve të ardhshme dhe cilat janë prioritetet tuaja kryesore për këtë periudhë?
Do të punoj në tri drejtime: zhvillim i qëndrueshëm i turizmit gjithëvjetor, mbështetje për bujqësinë dhe nxitje e startupe-ve të reja nga të rinjtë. Strategjia ime është të lidhim më ngushtë bashkëpunimin mes qeverisjes qendrore dhe vendore për të sjellë fonde dhe projekte konkrete në Korçë.
-Çfarë e bën kandidaturën tuaj të veçantë dhe si i dalloni angazhimet dhe qasjen tuaj nga kandidatët e tjerë në këtë garë?
Unë nuk jam thjesht kandidate – jam një zë i rinisë, i grave dhe i çdo qytetari që është ndjerë i harruar. Nuk bëj premtime boshe. Kam një plan të qartë, një ekip profesionistësh dhe mbi të gjitha, dëshirën për të qenë pranë qytetarëve çdo ditë, jo vetëm në fushatë.
-Faleminderit dhe si gjithmonë jeni e saktë. Ndërkohë shoh që jeni shumë e lidhur me sportin dhe dua t’iu pyes se çfarë mesazhi donit të përcillnit me videon tuaj që ndatë pak ditë më parë në rrjetet sociale, teksa luanit tenis?
Sporti është më shumë se aktivitet fizik – është disiplinë, përkushtim dhe frymë bashkëpunimi. Me këtë video doja të tregoj se një politikane mund dhe duhet të jetë aktive, e afërt me jetën reale dhe të promovojë një stil jetese të shëndetshëm, sidomos për të rinjtë.
