E hënë, 23 Nëntor, 2026

“Non-grata” nuk zhbëhet me LaCivitën, Alfred Cako rrëzon shpresat e Sali Berishës dhe zbulon marrëveshjet e fshehta që do ta mbajnë Edi Ramën në pushtet, ja “makineria e frikshme” që kontrollojnë socialistët

Share

Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako shprehet se LaCivita ka zbritur në Tiranë, por pa bekimin e presidentit të SHBA Donald Trump. Sipas tij, kjo nuk mjafton as për të lëkundur “non-gratën” e ish-kryeministrit Sali Berisha, e jo më për të përmbysur një sistem të blinduar. Në intervistën për gazetën “SOT”, Cako nuk kursen asnjë pale. Madje ai rrëzon shpresat e opozitës përmes importit të strategëve amerikanë dhe zbulon marrëveshjet e heshtura që sipas tij do ta mbajnë Edi Ramën në pushtet edhe pas këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë zoti Cako  flet për një “makineri të frikshme” që kontrollohet nga socialistët: me para të pakufishme, media të blera, banda në terren dhe bekimin e ndërkombëtarëve. Cako denoncon farsën zgjedhore të ndërtuar nga dy partitë e mëdha dhe bën thirrje që partitë e vogla të mos bëhen “kllounë në cirkun e mbretërve”, por të luftojnë për rrëzimin e sistemit që ka varrosur demokracinë që prej vitit 2008.

Z. Cako, si e shihni hapjen e kësaj fushate zgjedhore? A shikoni ndonjë ndryshim nga fushatat e mëparshme, si në ton, ashtu edhe në përmbajtje?

Pas tragjedisë së Gërdecit dhe marrëveshjes së vitit 2008 Berisha-Rama për ndryshime kushtetuese, ra demokracia dhe filloi hajdutëria e vullnetit të votuesve nëpërmjet ndarjes së vendit në 12 rajone dhe daljes deputet me vota me proporcional rajonal. Me këtë lloj sistemi, synohet të tërhiqen në votime edhe kundërshtarët e 2 forcave të mëdha politike dhe pastaj përkthimi i këtyre votave që nuk kalojnë pragun për një deputet, në karrige për dy partitë e mëdha. Pra që të demokratizohet vendimmarrja e institucioneve të shtetit duhet të rrëzohet sistemi. Zgjidhja 1 për demokratizim por që i tmerron dy të mëdhatë është: Nga 12 rajone të bëhet me një rajon në proporcional dhe partitë, secila, merr aq vende sa i takon nga votat që ka marrë. Kjo heq dhe avantazhin e ndarjes së 12 rajoneve nga fitohen nga gjysëm duzine me deputetë nga dy të mëdhatë. Avantazhi i dytë që bën vjedhjen e votave në skalion të parë janë komisionet zonale dhe ato të numërimit të caktuar nga dy partitë e mëdha të cilat grabisin e tjetërsojnë votat e partive të vogla në terren. Zgjidhja 2 që tmerron dy të mëdhatë: Komisionet e Qendrave të Votimit, të Numërimit dhe KQZ të zgjidhen nga profesionet e pavarura.

Konkluzion: Partitë e vogla dhe të reja nuk duhet të hyjnë si kllounë në cirkun e mbretërve Berisha-Rama por të luftojnë të bëjnë këto dy ndryshime esenciale të sistemit se ndryshe gara është e pabarabartë.

-Në skenën politike po shfaqen gjithnjë e më shumë parti të reja. Si i vlerësoni këto prurje të reja politike? A mund të përbëjnë ato një kërcënim real për partitë tradicionale?

Mendoj se ato e kanë shumë të vështirë, nga shkaqet që përshkova më lart, të hyjnë në Kuvend me antarë parlamenti. Zgjedhjet për partitë e vogla janë farsë. Çështja shtrohet cila nga dy të mëdhatë do marrë më shumë vota dhe do qeverisë dhe jo se cila nga të voglat do të fitojnë mandate në Kuvend dhe të bëjë pjesë në qeverisje. Këtu nuk nënkuptoj partitë e vogla që kanë hyrë në koalicion parazgjedhor me PD meqë 100% të votave të fituara nga elektorati i tyre të mbeten tek PD

Strategu amerikan Lacavita ka mbërritur në Shqipëri dhe po ndihmon zotin Berisha në këtë fushatë. Mendoni se prania e tij do të ndikojë realisht në rritjen e mbështetjes për PD-në? Dhe sa mundësi ka që lidhjet e tij me presidentin Trump të ndihmojnë në heqjen e “non grata”-s për zotin Berisha?

LaCivita, nëse nuk ka një mesazh të qartë nga Shtëpia e Bardhë ose administrata Trump për një prapsim ndaj non-gratës  të Berishës, nuk mendoj se ka shumë instrumente teknikë në dorë për të dobësuar superioritetin dhe avantazhin e mjeteve financiare, propagandistike-mediatike, lejeve dhe licencave, manovrat me drejtoritë e tatimeve, të doganave, bandave kriminale, mbështetjen e ndërkombëtarëve e të Evropës, etj, që kanë socialistët. Rëndësi do të kenë mes dy të mëdhave grindjet gjyqësore për 4-5 vende dhe orientimi i gjykatave zgjedhore nga ndërkombëtarët. Mendoj se nuk ka rebus.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera