E martë, 24 Nëntor, 2026

Fronëzohet Kryepeshkopi Joan: Do forcoj unitetin e Kishës, mos braktisini vendin! Të pranishëm qindra besimtarë e krerët e shtetit! Greqia sjell 2 ministra

Share

Me brohoritjet “i denjë”, dhe me urimin “për shumë vjet Kryezot”, qindra besimtarë ortodoksë i dhanë bekimin kryepeshkopit të ri, Joanit duke duartrokitur fronëzimin e tij. Ceremonia u ndoq nga afër nga përfaqësues të kishave ortodokse të botës, si dhe me praninë e përhershme të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri.

Personalitet më të larta të shtetit morën pjesë, nga Presidenti Bajram begaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, e ministra, teksa mungoi Kryeministri. Sali Berisha ishte ulur krah dy ish-presidentëve, Bamir Topi e Alfred Mojsiu.

Greqia dërgoi Ministren e Edukimit dhe Feve, dhe ministrin e mbrojtjes Dendias. Ky i fundit ra në sy për qëndrimin e tij në këmbë gjatë gjithë ceremonisë fetare, në respekt të kryepeshkopit.

Selia qendrore botërore e ortodoksëve, i dërgoi një stoli simbolike. Sinodi i Shenjtë e bekoi me Spektrin Baritor.

I vetmi politikan që foli, ishte Kreu i Shtetit.

“Dita e sotme është një ditë historike për Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse. Fronëzimi shënon një kapitull të ri të jetës shpirtëorëe të vendit tonë që nis me shpresë me përgjegjësi. Shpreh mirënjohejn time të thellë për kryepiskopin Anastas i cili për dekada me radhë shërbeu me urtësi dhe përkushtim duke i dhënë kishës forcë, dritë dhe një trashëgimi shumë të vlefshëm. Kisha nuk është vetëm një institucion fetar por një udhërrerfyese mbrojtëse e vlerave shpirtërore dhe kulturore të vendit. Në këtë mision nuk do të jeni vetëm kisha dhe besimtarët do jenë me ju, shteti do të jetë gjithmonë me ju”, tha Begaj.

“Fronëzimi  i Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopit Joan, shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, me shpresë dhe përgjegjësi, është një moment solemn që përmbledh në vetvete vazhdimësinë. Nuk mund të mos ndalem për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për kryepeshkpin Anasatas, i cili për dekada me radhë shërbeu me urtësi dhe përkushtim duke i dhënë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, forcë dhe dritë”,- shtoi më tej ai.

Vetë Fortlumturia e tij, Joani foli në fund, duke mos harruar as të shkuarën, e as të ardhmen.Kryepeshkopi Joan nënvizoi sakrificat vetmohuese të kryepeshkopit të ndjerë Anastas për ndërtimin e Kishës Ortdokse në Shqpëri, ndërsa theksoi nevojën për vazhdimin e forcimit të unitetit brenda saj. Ai ju dha një mesazh të rinjve dhe shoqërisë që mos të braktisin vendin. 

“Në fund të shek XX ku kisha ortodokse u gjet e rrënuar, Perëndia dërgoi një tjetër person të ndritur kryepiskopin Anastas që bëri të mundur rindërtimin e saj. Predikimi i tij ka qenë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, frymë që duhet të ruajmë. T’u themi faleminderit e t’u jemi mirënjohës. Sa më shumë mirënjohje të kemi aq më afër do jetë Perëndia te ne.

Çdo kohë ka patur sfidat e saj. Shekulli ku jetojmë me teknologjitë e reja, paraqet sfida të reja dhe nga këto nuk përjashtohet as kisha jonë. Na duhet të përballemi jo vetëm për tu mbrojtur por edhe të gjejmë zgjidhje. Përpjekja dhe përqendrimi ynë, ruajtja dhe mbrojtja nga Perëndia, forcimi i unitetit brenda kishës nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj”, tha Fortlumturia e tij Joani.

Po ashtu të pranishëm ishin edhe krerët fetarë në Shqipëri si Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu, dhe Kryetari i Këshillit Ndërfetar, Dom Gjergj Meta, si dhe të ftuar nga 13 Kishat Ortodokse të botës.

Pas dy orësh Ceremoni fronëzimi, Kryepeshkopi Joan qëndroi gjatë i rrethuar nga qindra besimtarë, të cilëve ju dhuroi personalisht një ikonë me Shën Joan Teologun, duke zgjedhur një shprehje të vyer të tij: “Nuk ka gëzim më të madh, se sa të dëgjoj bijtë e mi që jetojnë në të vërtetën!”

Të dielën, kryepeshkopi do të mbajë në Katedralen Ngjallja e Krishtit shërbesën e parë si kryepeshkop tashmë i fronëzuar, ndërkohë që duhet të zgjedhë pasuesin e tij në Mitropolinë e Korçës, aty ku shërbeu pa ndërprerje që nga viti 1998. Ai pritet të jetë Anastasi i Krujës.

Te tjera

Lajme te tjera