E mërkurë, 30 Shtator, 2026

Alfred Cako: Ja si zgjedhjet e 11 majit do të fundosin përfundimisht Sali Berishën, do ketë arrestime ‘VIP’ nga SPAK në listën e kandidate të PS

Share

Teoricieni dhe konspiracionisti i njohur, Alfred Cako, ka komentuar ngjarjet më të fundit politike në Shqipëri, duke i vënë theksin zhvillimeve të brendshme në Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, konspiracionisti Cako ka kritikuar ashpër listat e reja të deputetëve të PS, duke e quajtur veprimin e Ramës për të mbrojtur kandidatët e dyshuar për korrupsion një naivitet politik. Në lidhje me PD, Cako e ka cilësuar si të rrejshme garën e primareve, duke i cilësuar veprimet e Berishës si një tradhti ndaj aspiratave të demokratëve. Z. Cako gjithashtu ka hedhur dritë mbi zgjedhjet e 11 majit, ku thotë se beteja ndërkombëtare mes SHBA dhe BE do të jetë vendimtare.

-Zoti Cako, si e shikoni listën e re të deputetëve të PS? Rama shkaktoi një “tërmet” politik duke larguar shumicën e grupit parlamentar- është kjo një shenjë rinovimi apo spastrim i atyre që nuk i bindeshin plotësisht?

Votimi i kombinuar me lista të mbyllura dhe të hapura është një skllavëri politike moderne alla shqiptare ku të dytët punojnë për të parët. Në listat e PS ka shumë kandidatë të përfolur dhe gjah i SPAK dhe nuk është çudi që ata të rrëmbehen prej tij para 11 majit. Ky veprim për t’i marrë në mbrojtje këta kandidatë të dyshuar për akte të rënda korrupsioni është një naivitet prej axhamiu i Ramës. Koha e afërt do ta vërtetojë ose jo këtë që po them. Liderët politikë janë si trajnerët që e rinovojnë ekipin çdo 4 vjet me 30%-40%. Ata që dalin kundër oreksit të liderit të partisë ose që nuk plotësojnë pritshmëritë profesionale të detyrës, dalin nga loja. Ky ka qenë dhe është ligji i hekurt i politikës partiake.

-Berisha përjashtoi fituesit e primareve dhe i zëvendësoi me besnikët e tij, duke tradhtuar pritshmëritë e demokratëve për një garë të ndershme. A është ky fundi i çdo iluzioni për demokracinë e brendshme në PD?

PD asnjëherë nuk ka qenë demokratike, pra një parti ku vendos shumica por një parti personale e Sali Berishës. Primaret janë thjesht një veprim demagogjik i Berishës dhe në fund është ai që vendos. Berisha ka vendosur më besnikët e vet, disa syresh të stërkonsumuar dhe të urryer nga demokratët në listat e mbyllura. Ai ka futur në listat e hapura naivë dhe dredharakë tek listat e hapura nga ish grupi i Bashës si G.Bardhi, J.Tabaku, K.Çollaku për ti marrë Bashës elektoratin e tij dhe në fund renditjen e listave të hapura, ashtu si tek PS që do e bëjë Rama, tek PD do e bëjë Berisha.  Sigurisht që gjasat janë përsëri që PD të zhgënjehet më 12 maj dhe Berishës mund ti vijë fundi politik. Unë kam qenë dhe jam  i mendimit që liderët historikë të mazhorancave dhe institucioneve kushtetuese të pavarura të mos jenë mish për SPAK, me përjashtim të rasteve ekstreme antikushtetuese që të luftohet korrupsioni i të huajve ndërsa nivelet poshtë tyre në pushtet qendror e lokal duhet të hetohen e goditen në rast dyshimi nga SPAK për të luftuar korrupsionin e brendshëm dhe të jashtëm pasi pa këta nuk korruptohen dot liderët e mazhorancave dhe institucioneve të pavarura. Këto zgjedhje do të jenë një luftë e ndërkombëtarëve me njëri tjetrin tek non-gratat, komisioni i OSBE-ODIHR që certifikon zgjedhjet, tek ndikimi mbi SPAK për të goditur para dhe pas zgjedhjeve figura të ndryshme me ngjyrë mavi apo të kuqe të shahut. Lufta e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 11 majit do të jetë midis USA dhe EU

-Çfarë fshihet pas mbylljes së TikTokut?

Ndoshta TikToku (TT) është mbyllur nga Qeveria për të frenuar komunikimin e shpejtë të opozitës me publikun dhe sidomos me rininë. Qeveria kontrollon shumicën e mediave dhe opozita nuk ka akses proporcional tek to.  Ndërsa rrjetet sociale si TT janë mjete të fuqishme komunikimi kryesisht të opozitës.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera