E mërkurë, 30 Shtator, 2026

Bujar Çela: Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në panik, drejtësia do t’i ndëshkojë, ja pse fundi i tyre është i pashmangshëm dhe çfarë i pret më 11 maj

Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj liderëve të opozitës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai i cilësoi ata si simbolin e korrupsionit dhe të kapjes së shtetit për dekada me radhë. Sipas tij, Berisha dhe Meta kanë ardhur gjithmonë në pushtet, jo sepse kanë qenë të fortë, por sepse Partia Socialiste ka bërë gabime që u kanë hapur rrugën. Megjithatë, Çela shprehet i bindur se kësaj here historia nuk do të përsëritet dhe se mazhoranca do të fitojë sërish besimin e qytetarëve. Ai flet gjithashtu për rolin e drejtësisë dhe shprehet se Berisha e Meta nuk duhet të japin vetëm llogari, por edhe të dënohen dhe t’u sekuestrohet pasuria. Ndërkohë deputeti socialist thekson se sulmet e tyre kundër drejtësisë janë një shenjë e qartë e panikut dhe se 11 maji do të jetë një tjetër ditë e errët për opozitën e përçarë.

-Zoti Çela, si e shihni situatën aktuale politike në vend dhe veprimet e opozitës?

Opozita, ose më saktë dyshja Berisha-Meta, janë në një panik të thellë. Ata nuk kanë asnjë vizion, asnjë projekt politik dhe janë të kapur vetëm pas luftës së tyre personale për mbijetesë. E kanë bërë këtë për dekada me radhë, por këtë herë nuk kanë më asnjë shans për të ardhur në pushtet. Gjithmonë kanë përfituar nga gabimet e Partisë Socialiste, por sot PS është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë.

-Ju thoni se ata nuk kanë më shans për të ardhur në pushtet. Pse jeni kaq i bindur?

Sepse shqiptarët i njohin shumë mirë! Berisha dhe Meta janë dy figurat që kanë abuzuar më shumë me besimin e qytetarëve. Kanë përdorur pushtetin për interesat e tyre personale dhe jo për të mirën e vendit. Në 2017 dhe 2021, shqiptarët votuan për Edi Ramën dhe për ekipin e tij, sepse panë ndryshimet reale që sollëm. Jam i sigurt se dhe në zgjedhjet e 11 majit qytetarët do të zgjedhin Partinë Socialiste, e cila ofron stabilitet dhe zhvillim, jo rikthimin e një epoke të errët, siç duan ta çojnë vendin Partia Demokratike e Berishës dhe Partia e Lirisë e Metës.

–Si i komentoni sulmet e vazhdueshme të çiftit Meta-Berisha ndaj reformës në drejtësi dhe organeve ligjzbatuese?

Janë ulërimat e fundit të një opozite të dëshpëruar! Berisha dhe Meta e dinë shumë mirë se ditët e pandëshkueshmërisë kanë mbaruar. Ata janë të tmerruar nga drejtësia dhe përpiqen ta delegjitimojnë atë, duke shpifur dhe duke sulmuar. Por qytetarët nuk bien më pre e këtyre taktikave të vjetra. Drejtësia e re po funksionon dhe nuk do të ndalet para askujt.

-Keni deklaruar se Berisha dhe Meta nuk duhet vetëm të japin llogari para drejtësisë, por edhe të dënohen dhe t’u sekuestrohet pasuria. Pse e thoni këtë?

Sepse ata janë përgjegjësit kryesorë për kapjen e shtetit dhe për abuzimin me pasuritë publike. Nuk mjafton që thjesht të thonë ‘po, kemi gabuar’ apo të kërkojnë falje. Duhet të ketë ndëshkim real, duhet t’u konfiskohen pasuritë e paligjshme dhe të mbajnë përgjegjësi për dëmet që i kanë shkaktuar këtij vendi. Drejtësia nuk duhet të ketë frikë nga emrat e mëdhenj, sepse askush nuk është mbi ligjin.

-Çfarë prisni të ndodhë më 11 maj?

11 maji do të jetë një tjetër goditje për opozitën! Berisha dhe Meta e dinë se do të humbin. Ata nuk kanë as program, as mbështetje popullore. Berisha mendon se mund të mbijetojë politikisht duke sulmuar qeverinë dhe drejtësinë, por realiteti është ndryshe. Ai dhe opozita do të pësojnë një humbje të rëndë dhe ky do të jetë fillimi i fundit për ta.

-Cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë?

Mos u gënjeni nga ata që duan të mbajnë Shqipërinë peng! Partia Socialiste ka treguar se është forca e vetme që mund të çojë vendin përpara. Po punojmë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të ndershme. Drejtësia po vjen dhe askush nuk do të mund ta ndalë atë!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera