Juristja dhe analistja e njohur, Brizida Gjikondi ka ndarë mendimet e saj mbi disa nga çështjet më të nxehta politike dhe juridike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ajo analizon arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vendosur atë në kontekstin e një sistemi drejtësie që shpesh përzihet me lojërat politike. Gjikondi shprehet se fokusi duhet të jetë te faktet dhe jo te personazhet që i denoncojnë ato. Ajo trajton gjithashtu përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe rolin e kryeministrit Rama në raport me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke kritikuar reagimin e tij emocional. Një tjetër temë e rëndësishme është dalja publike e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia, ku zonja Gjikondi thekson se ai nuk mund të merret seriozisht pa pranuar më parë përgjegjësitë e veta. Po ashtu, ajo flet për mbështetjen që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dhënë Ahmetajt dhe për spekulimet mbi mundësinë e heqjes së “non-gratës” së tij nga SHBA. Sipas saj, Berisha ka përfunduar ciklin e tij politik dhe është kthyer në një figurë që vetëm zvarritet në arenën publike. Ndërkohë në këtë intervistë për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristja Gjikondi nuk kursen as kritikën ndaj lidershipit politik aktual, duke e parë atë si të zhytur në korrupsion dhe të shkëputur nga nevojat reale të qytetarëve. Ajo thekson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbetet thjesht një betejë mediatike, por një proces serioz që duhet të sjellë ndryshime konkrete.
-Zonja Gjikondi, si e shikoni arrestimin e Erion Veliajt? Është një akt drejtësie apo një goditje politike nga brenda PS?
Çështja e zotit Veliaj dhe hetimi që po kryhet ndaj tij, i takon drejtësisë dhe atij, dhe jo gjyqeve publike emocionale siç dhe po ndodh. Aq më pak politikës. Ajo duhet të hesht.
-Kush fshihet pas personit anonim Nesti Agoni? A mendoni se ai është thjesht një ekzekutues apo ka lidhje me struktura më të larta?
Nuk ka rëndësi Nesti Angoni por ato që thotë dhe ka kallëzuar ai, janë të vërteta apo jo. Nëse janë të vërteta, thelbi qëndron tek veprat penale te konsumuara, korrupsioni aktiv, pasiv etj, etj. Kjo historia që merren se kush është Nesti Angoni është një skutë tinzare për të hequr vëmendjen nga çka ai ka denoncuar. Një kallëzim që përmban të vërteta atë ka thelb, jo emrin e atij që e denoncoi. Detyra e një denoncuesi është të denoncojë fakte dhe vepra penale që kur verifikohen dalin të mirëqena.
-A është Veliaj viktimë e klaneve brenda Partisë Socialiste, apo vetëm një lojtar i fuqishëm që tani është lënë vetëm?
Jo. Asnjëra prej këtyre, Zoti Veliaj nuk ka stofin e viktimës së klaneve.
-Si e komentoni reagimin e kryeministrit Rama, i cili po sulmon SPAK-un? A është ky një sinjal frike apo një strategji për të kontrolluar dëmet?
Reagim jo dinjitoz. Reagim i një njeriu emocional, por jo i një shtetari që deri tani ka mbajtur tjetër standard.
–Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj sëfundmi ka dhënë një intervistë televizive nga arratia, duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë Rama. Pse mendoni se ai ka zgjedhur pikërisht tani për t’u shfaqur me këto akuza? A ka një strategji të mirëmenduar prapa kësaj lëvizjeje?
Zotin Ahmetaj do ta e merrja seriozisht në momentin që do fillonte denoncimin e korrupsionit dhe moralit korruptiv duke filluar nga vetja e tij. Për sa kohë nuk e ka bërë, asgje që thotë ai nuk ka vlerë për shqiptarët që e dinë shumë mirë që pendesa fillon nga vetja që të bëhesh i besueshëm. Ndryshe je thjesht një inatçi që fshihesh në arrati si burrec me paranoja.
-Sali Berisha e ka marrë në mbrojtje Arben Ahmetajn, ndonëse ky i fundit ka qenë pjesë e një qeverie që Berisha e ka akuzuar vazhdimisht për korrupsion. A është kjo një lëvizje e sinqertë apo thjesht një përpjekje për të përfituar politikisht nga përplasjet e brendshme të mazhorancës?
Për mua Sali Berisha ka kryer punë si figurë politike. Çfarë kishte për ti dhënë ja dha këtij vendi dhe çfarë kishte për ti marrë gjithashtu, tani thjesht po zvarritet.
-Ka zëra se administrata e Donald Trump-it mund t’i heqë “non-gratën” Sali Berishës. Sa të bazuara i shihni këto pretendime dhe a mendoni se ky është një skenar real apo thjesht propagandë për të mbajtur gjallë një narrativë politike?
Nuk ka pikë rëndësie për sa kohë Sali Berisha është ‘non-grata’ në moralin kombëtar shqiptar. Ai ka kapur për fyti Partinë Demokratike, dhe i ka dhënë asaj fatin dhe nurin e vet. Është një personazh që shpërndan agresivitet, përçarje dhe regres shpirtëror dhe moral. Ndaj dekoratat ose penalitet që ka marrë le ti mbajë në korniza, realiteti dhe historia e kanë pozicionuar për aq sa vlen, ose nuk vlen.
Intervistoi: Rigels Seliman
