Juristi i njohur, Romeo Kara, ka zbardhur më në detaje të fshehtat e tri intervistave të ish-ministrit Arben Ahmetaj dhënë për televizionin e familjes “Berisha”. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Kara tregon se ato nuk janë thjesht dalje publike, por edhe një lëvizje taktike për të mbrojtur veten dhe për të goditur kundërshtarët e tij politikë. Ai sugjeron se Ahmetaj po ndjek një strategji të kujdesshme, duke përdorur intervistat si një mundësi për të dërguar mesazhe të fshehta për aktorët politikë dhe për të pasur një ndikim në procesin e marrjes së azilit politik. Sipas Karës, këto akuza ndaj qeverisë dhe lufta për të mbrojtur veten janë pjesë e një loje më të madhe që ka filluar që para zgjedhjeve të vitit 2021. Në këtë kontekst, Kara gjithashtu analizon pozicionimin e Sali Berishës, i cili ka mbrojtur Ahmetajn, dhe argumenton se kjo është një lëvizje pragmatike e Berishës për të goditur Ramën, ndonëse ka akuzuar të njëjtët politikanë më parë për korrupsion. Pra sipas tij, intervista është një përpjekje e dyfishtë, njëra për të shërbyer interesave personale të Ahmetajt dhe tjetra për të destabilizuar pushtetin aktual.
-Z. Kara, ish/zv-kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë televizive nga arratia ku ndodhet, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë Rama. Pse mendoni se Ahmetaj ka zgjedhur pikërisht tani për të dalë me akuza ndaj qeverisë? A ka një strategji prapa kësaj lëvizjeje?
Patjetër që ka një strategji. Dy intervistat e para ishin paralajmërime dhe mesazhe për aktorë të ndryshëm të politikës, që ata të ndikonin në tërheqjen e akuzave ndaj tij, ndërsa intervista e tretë ishte mesazh i pastër se Ahmetaj do t’i merrte me vete, por jo duke u rrefyer për inceneratorët, por për të tjera afera për të cilat ai ka dijeni. Deri më tani ai nuk ka pranuar asnjë përfshirje të vetes për çka akuzohet, pra vetëserviret si viktimë e politikës dhe njëkohësisht i shërben procesit të marrjes së azilit politik, duke theksuar se ndaj tij ka një proces të parregullt gjyqësor dhe gjithashtu i rrezikohet jeta në burg këtu. Pa plotësuar këto dy pika, ai e ka të vështirë marrjen e azilit politik në Zvicër. Edhe pse tha disa të vërteta sipas meje, ai akoma deri më tani nuk ka bërë një rrëfim të plotë dhe të sinqertë. Rrëfimi i tretë bëhet pikërisht tani, përpara fushatës elektorale dhe pikërisht në televizionin Syri, që të avantazhojë gjithashtu kundërshtarin politik të Ramës, Berishën. Është akuzuar se një lojë të tillë e ka bërë nën rrogoz para zgjedhjeve të vitit 2021 dhe tashmë po e bën në publik. Praktikisht ai ka dy zgjedhje që po kontribuon për interesat e tij personale në dëm të partisë së tij e cila e bëri edhe n/kryeministër. Më sa duket i është bërë ves kjo punë. Ai dhe të tjerët pas tij, po synojnë gjithashtu që të vënë SPAK-un si organ akuze përpara faktit të kryer, atë të akuzave publike për korrupsion ndaj pushtetarëve të lartë, për ta detyruar atë që të nisë kryesisht hetimin për to.
-Sali Berisha e ka marrë në mbrojtje Ahmetajn, ndonëse ky i fundit ka qenë pjesë e një qeverie që ai e ka akuzuar për korrupsion. Si e shpjegoni këtë qëndrim të Berishës?
Sali Berisha te lufton apo lavdëron, sa dhe si t’i leverdisi atij. Është luks i madh për të që të sulmojë pikërisht tani Ramën nëpërmjet akuzave të bëra nga vetë ish-zëvendësi i Ramës. Berisha ka gëlltitur edhe më parë akuzat ndaj Metës, Nanos, Taçit dhe shumë të tjerëve dhe më pas ka bashkëpunuar hapur me to. Pikërisht këto qëndrime të dyanshme e kanë bërë Berishën që të jetë simboli i politikanit pa dinjitet dhe integritet, i cili nuk e ka fare problem që të kalojë nga akuza në servilizëm. Berisha bën vetëm atë që i leverdis atij personalisht dhe jo atë që thotë logjika e shëndoshë e situatës. Morali i tij politik është: vetëm interesi i tij. Pra, nuk jam fare i surprizuar me këtë qëndrim të Berishës. E kundërta po, që do të më surprizonte.
-Sot Gjykata e Posaçme vendos nëse do ta hapë dosjen “Partizani”. Si e parashikoni vendimin dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen politike dhe ligjore të Sali Berishës?
Të shpresojmë që GJKKO do të marrë vendimin e duhur dhe më në fund gjakatari Berisha do të përballet me drejtësinë. Jo vetëm e ardhmja e tij politike do të jetë tërësisht e përfunduar, por edhe jeta e tij në liri gjithashtu dhe bashkë me të do të pushojë së ekzistuari politikisht edhe detashmenti i tij personal politik, i cili përkohësisht ka uzurpuar dhe Partinë Demokratike. Besoj fort se, Berisha nuk do ta kalojë dot vijën e gjakut të 21 janarit 2011, kur vrau për pushtetin e tij kriminal katër demonstrues të pafajshëm, të paarmatosur dhe jashtë rrethimit të kryeministrisë.
Intervistoi: Rigels Seliman
