E hënë, 3 Gusht, 2026

Arben Ahmetaj, një tradhtar dhe “ushtar” i rrëzuar që kërkon të shpëtojë veten nga prangat e SPAK duke kaluar ylberin

Share

Nga Rigels Seliman

Arben Ahmetaj, dikur një ndër njerëzit më të pushtetshëm të Partisë Socialiste dhe i besuar i Edi Ramës, sot shfaqet në ekranet e televizioneve opozitare si një “i penduar” që hedh baltë mbi ata që e formuan dhe promovuan politikisht. Por a mund të jetë e besueshme një dëshmi e tillë, kur ajo vjen nga një njeri që ka qenë në zemër të pushtetit për vite me radhë dhe flet vetëm tani që laku i drejtësisë (SPKA) po i shtrëngohet?

Nga majat e pushtetit tek arratia,  Ahmetaj si një rast tipik i tradhtisë politike

Arben Ahmetaj nuk është një figurë e thjeshtë në politikën shqiptare. Ai nuk ishte një kritik i jashtëm i qeverisë, por pjesë e bërthamës së saj drejtuese. Ministri i Financave, më pas zv/kryeministër, Ahmetaj gëzoi privilegjet dhe fuqinë që i dha Partia Socialiste. Ai nuk e denoncoi kurrë korrupsionin, për të cilin tani pretendon se e dinte dhe e shihte nga afër. Përkundrazi, ai ishte një nga “arkitektët” e vendimeve ekonomike të kësaj qeverie. Por në momentin kur drejtësia Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi të hetojë aferat e tij, kur dosja e inceneratorëve dhe transaksionet e dyshimta financiare dolën në dritë, Ahmetaj nuk kërkoi të përballej me të vërtetën. Ai bëri atë që shumë politikanë të rrëzuar kanë bërë para tij: kaloi ylberin dhe u strehua në krahët e opozitës së Sali Berishës.

Një sulm i paramenduar për të shmangur drejtësinë

Në intervistën e tij të fundit për Syri Tv, Ahmetaj nuk foli si një njeri i shqetësuar për fatin e Shqipërisë, por si dikush që po ndërton mbrojtjen e tij personale. Sulmet e tij ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste janë një përpjekje e dëshpëruar për të fituar statusin e një të “persekutuari politik”, në mënyrë që të mund të qëndrojë në Zvicër, ku kërkon azil. Por këto akuza janë të pabesueshme, sepse Ahmetaj nuk mund të pretendojë se ka zbuluar tani atë që ai vetë ishte pjesë aktive për vite me radhë. Nëse ai kishte prova për korrupsionin e qeverisë, pse nuk foli më parë? Pse nuk doli si një njeri parimor kur gëzonte pushtetin dhe të mirat e tij? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse atëherë ai ishte në anën e “përfitimeve”, ndërsa tani, që është në anën e akuzave, po përpiqet të ndërtojë një mbrojtje politike.

Nga “Ushtar i Rilindjes” tek “Ushtar i Berishës”

Lidhja e tij e menjëhershme me Sali Berishën dhe mbështetja që ky i fundit i dha pas intervistës, janë një tjetër provë e qartë se Ahmetaj nuk është një zë i së vërtetës, por një mjet në luftën politike të opozitës. Sali Berisha, i cili vetë është i zhytur në hetime dhe ka probleme të rënda me drejtësinë, kërkon të përdorë Ahmetajn për të sulmuar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.  Por kjo aleancë është e ndërtuar mbi hipokrizi. Sali Berisha dikur e sulmonte Ahmetajn si simbol të korrupsionit të qeverisë Rama, ndërsa sot e përqafon si një dëshmitar të vlefshëm. Nga ana tjetër, Ahmetaj, që e ka ndërtuar karrierën politike falë Partisë Socialiste, tani kthehet kundër saj vetëm sepse drejtësia është afër.

E vërteta nuk shpëton të korruptuarit

Arben Ahmetaj nuk është një hero që po denoncon korrupsionin, por një politikan i rrëzuar që po përpiqet të shpëtojë veten. Ai ka zgjedhur rrugën më të vjetër në politikën shqiptare: tradhtinë dhe aleancën me ata që dje e kanë sulmuar. Por asgjë nuk e shpëton dot nga drejtësia.  Shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga një njeri që për vite të tëra ka përfituar nga pushteti dhe tani që është jashtë tij, kërkon të shfaqet si viktimë. Në fund, Arben Ahmetaj nuk do të mbahet mend si një denoncues i korrupsionit, por si një politikan që u arratis kur drejtësia trokiti në derën e tij.

Te tjera

Lajme te tjera