Nga Rigels Seliman
Një foto mund të jetë një dritare drejt një bote të tërë. Një imazh i ftohtë dhe i heshtur mund të tregojë histori që tronditin shpirtin dhe ngjallin reflektime.
Kështu, një foto e Holokaustit na kujton vuajtjet e gjashtë milionë burrave, grave dhe fëmijëve që u shuan në emër të urrejtjes dhe intolerancës. Por ajo na mëson edhe një mesazh të rëndësishëm: të mos harrojmë kurrë dhe të mos lejojmë që historia të përsëritet.
Shqiptarët ndihen krenarë në këtë ditë përkujtimore, jo vetëm për solidaritetin dhe dashurinë e treguar ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe për lidhjet e lashta e të sinqerta me ta. Shqipëria, si një dritë shprese në errësirën e asaj kohe, jo vetëm që mbrojti hebrenjtë, por u bë atdheu i tyre i dytë. Është një fakt historik që shqiptarët, pa dallim feje apo ideologjie, u ngritën si një përkrahje unanime kundër një të keqeje globale.
Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton që historia nuk është vetëm një mësim i së shkuarës, por edhe një përgjegjësi për të ardhmen.
Prandaj, sot dhe çdo ditë, ne premtojmë se do të vazhdojmë të tregojmë historitë e tyre. Jo vetëm për të mos harruar, por për të ndërtuar një botë ku çdo foto të tregojë histori shprese, dashurie dhe humanizmi.
