Konspiracionisti Alfred Cako, i njohur për pikëpamjet e tij të guximshme dhe shpesh të debatueshme, ka komentuar mbi çështjet e fundit kyçe politike shqiptare dhe ndërkombëtare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, z.Cako flet për mungesën e ftesës për kryeministrin Edi Rama në inaugurimin e presidentit të ri Donald Trump dhe çfarë kjo nënkupton për marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe elitës politike shqiptare; mundësinë e një rishikimi të vendimit “non-grata” për Sali Berishën dhe implikimet që kjo mund të ketë për të ardhmen e Partisë Demokratike; ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011 dhe përgjegjësitë ende të pa zbardhura për humbjen e jetëve të katër protestuesve; si dhe origjinën e pandemisë Covid-19, një temë që vijon të ngjallë debate të zjarrta në shkallë globale. Sipas tij, nëse Berisha nuk e lëshon Partinë Demokratike, ai rrezikon të ketë fatin e Sadamit, Gadafit dhe Asadit.
-Z. Cako, si e shihni faktin që Edi Rama dhe shumë të tjerë nga politika shqiptare nuk u ftuan në inaugurimin e Donald Trump? A mendoni se kjo është një shuplakë diplomatike për Ramën, sidomos duke pasur parasysh faktin që ai shpalli dhëndrin e Trump-it investitor strategjik?
S’ka lidhje ftesa me Sazanin. Rama konsiderohet sorosjan dhe grupi i Trump nuk kalon mbi një vijë të kuqe kriteri që ka vendosur për luftën kundër ‘Kënetës’ së brendshme dhe të jashtme ku përfshihet edhe sekti i Rilindjes dhe G99.
-A mendoni se administrata Trump, do të shqyrtojë dhe ndoshta do t’i heqë vendimin “non-grata” të dhënë nga SHBA për Sali Berishën? Çfarë mund të ndikojë në këtë vendim?
Unë nuk mund të profetizoj se çdo të ndodhë me nongratën Berisha dhe me Metën. Edhe pa ndodhur kjo ka shumë mundësi që Rama të refuzohet nga trampistët e botës. Por nëse nongrata hiqet, Berisha duhet të heqë dorë nga posti i lartë drejtues në PD dhe të qëndrojë si figurë honorifike dhe një burrë i respektuar i PD, ndoshta deri Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD. Nëse ai nuk e lëshon llogoren dhe mendon se mbi të janë vetëm votuesit dhe Zoti e askush tjetër, e ka gabim. Kështu kanë menduar Sadami, Kadafi, Asadi, etj. dhe dihet si përfunduan. Nuk vihet në kandar shpirti me pushtetin.
–Protesta e 21 janarit 2011 shënoi një moment tragjik në historinë politike të vendit. Si e kujtoni atë ngjarje? A mendoni se përgjegjësit e vërtetë për katër viktimat janë identifikuar dhe kanë mbajtur përgjegjësinë e tyre, apo ende kjo dosje ka nevojë për hetime?
‘21 janari’ ka dy palë dhe ndodhi për disa shkaqe si korrupsioni i papërmbajtur i dyshes Meta-Berisha, nga sistemi i kalbur i drejtësisë dhe së fundmi nga lufta e shfrenuar dhe etja për pushtet e Edi Ramës nën ndikimin e Sorosit i cili mendonte që duke shfrytëzuar momentin e përshtatshëm të përmbyste dyshen e diskretituar Berisha-Meta me rastin e videos së përgjimit të Metës, të sillte në pushtet sektin e Rilindjes me të cilin kërkonte të sundonte territorin dhe popullatën në Shqipëri. Kjo është tabloja e 21 janarit, shkaqeve dhe qëllimeve.
–Sipas CIA-s dhe disa agjencive të tjera amerikane, pandemia e Covid-19 ka shumë gjasa të ketë ardhur nga një incident laboratorik në Wuhan, dhe jo nga kafshët, siç u pretendua fillimisht. Çfarë mendoni për këtë deklaratë dhe si mund të ndikojë ajo në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos mes SHBA-së dhe Kinës? Pra Covid i bie që u krijua në labrator për të goditur njerëzimin…
Ne “konspiracionistët” mendojmë se çështja e Plandemisë është vepër e CIA dhe OBSH. Të tjerat ne mendojmë se janë përralla dhe justifikime.
Intervistoi: Rigels Seliman
