Juristja e njohur, Brizida Gjikondi, ka dhënë një intervistë për gazetën “SOT”, ku thekson krizën morale që politika ka sjellë për shqiptarët. Ajo kritikon ashpër vendimet e qeverisë Rama, duke i parë ato si aktet e arrogancës dhe shmangies së demokracisë. Në këtë kuadër, Gjikondi thekson rëndësinë e hetimeve të SPAK për korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për pastrimin e politikës shqiptare. Sipas saj, politikanët shqiptarë, të cilët kanë arritur marrëveshje të fshehta dhe paktet midis tyre, nuk kanë as dinjitet dhe as interes kombëtar, por vetëm përfitime personale. Në një kohë kur diskutimet për korrupsionin dhe shpifjen janë të pranishme, Gjikondi paralajmëron për pasojat e veprimeve të tilla dhe thekson se politikanët shqiptarë janë shumë larg moralit kombëtar.
-Zonja Gjikondi, çfarë mendoni për vendimin e qeverisë Rama në shpalljen si investitor strategjik të Jared Kushner, dhëndrin e Trump, për ndërtimin e një resorti turistik në Sazan?
Sazani është një territor strategjik shqiptar, jo vetëm i vetmi ishull që kemi por ndër shekuj ka qenë ambicia dhe trofeu i shumë perandorive, kjo nisur nga pozicioni që ai mban në Kanalin e Otrantos. Arroganca e kryeministrit Rama në vendimmarrjen ndaj dhënies së territoreve të Shqipërisë duke përjashtuar mendimin qytetar, i cili mund të ishte dhe në favor të këtij vendimi, flasin jo mirë për karakterin jo demokratik të kryeministrit Rama. Në raste si i Sazanit kupton pse politika shqiptare ka bllokuar referendumet.
-SPAK tashmë është kthyer një faktor i rëndësishëm në Shqipëri, në politikën shqiptare, në jetën publike dhe në ndryshimin e rrjedhës së historisë. Si e komentoni punën e saj dhe emrat të cilët ai po heton?
Personalisht përherë kam patur qasjen të mendoj që SPAK pavarësisht se ka 5 vjet që funksionon, ka vetëm dy vjetët e kryesuara nga zotit Dumani që kanë bërë të mundur që ky institucion te shkruaj një faqe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së këtij mijëvjeçari. Emrat të cilët po hetohen janë diçka por jo gjithçka. Kallëzimet anonime ose jo, nëse vërtetojnë që kane konsumuar veprën e korrupsionit aktiv ose pasiv dhe abuzimin me pushtetin janë një damkë e ndyrë në fytyrë të pushtetit. Përherë kam ndjerë dhe menduar fort që nuk ka tradhti dhe akt më barbar ndaj vendit që ti i përket se korrupsioni dhe grabitja në mirëbesim. Korrupsioni ndaj popullit tënd zeron çdo fjalim patetik dhe vepra pseudo te mira po me leket e këtij populli. Te korruptuarit elitar që ka nxjerrë pushteti janë dhe cinik, shpesh punët që bëjnë sepse e kanë për detyrë t’i bëjnë i shesin si dhurata dhe sakrifica personale ndaj shqiptarëve. Thjeshtësia dhe përulësia që i mungon kryeministrit, reflektohet dhe tek pasuesit e tij.
-Po deklaratën e kryeministrit Edi Rama se akuzat për përfshirjen e vëllait të tij janë të fabrikuara dhe të pabazuara në prova si e komentoni ?
Zoti Rama kishte premtuar që nuk do komentonte vendimet dhe procedurat e SPAK, ndaj e gjej të pavend thyerjen e vendimit të tij. Megjithëse atë vendim më shumë e kam lexuar si një shmangie diplomatike nga përgjegjësia absolute që ai ka për të korruptuarit, me të cilët ai ka bashkëjetuar qetësisht dhe të cilëve vetëm SPAK ja u ka shkundur themelet. SPAK foli ligjërisht për vëllain e kryeministrit, ndaj deklarata e tij jane për përdorim politik.
-A mendoni se Bardhi mund të përballet me të njëjtin fat ligjor si Ervin Salianji nëse akuzat për kallëzim të rremë vërtetohen? Cili është mesazhi politik që Kryeministri po përpiqet të përcjellë përmes këtyre padive të paralajmëruara ndaj kundërshtarëve të tij?
Tani përpara zgjedhjeve këto situata dhe deklarata i shikoj me skepticizëm, pasi shpesh pikërisht Rama-Berisha, me paktet e zymta dhe të fshehta që bëjnë vërtetojnë që interesat dhe jo dinjiteti janë në plan të parë për ata.
–Si e shpjegoni faktin që Gazment Bardhi dhe grupi i tij, të cilët dikur kanë qenë kritikë të ashpër ndaj Sali Berishës, tani janë pjesë e bashkëpunimit politik me të? A është kjo një shenjë e kompromisit politik apo oportunizmit?
Zoti Bardhi nuk ka grup. Janë një grumbull njerëzish me interesa të caktuara aspak kombëtare dhe idealiste. Listat dhe vetëm listat dhe emri në to janë palca e interesit të këtij grumbulli. Ju e quani oportunizëm, unë do e quaja imoralitet dhe mungesë karakteri,
-Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi është thirrur në SPAK për deklaratat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila duhet të provojë akuzat ndaj saj. A rrezikon ajo të përballet me pasoja ligjore për shpifje nëse nuk arrin të mbështesë deklaratat e saj me prova të mjaftueshme?
Nuk e besoj. Shpifja dhe denigrimi janë pjesë e pandarë e familjes Berisha dhe servilëve të tyre. Për sa kohë askush nuk i ka proceduar deri më tash, ata lejen për të vazhduar e kanë në xhep, mjafton një marrëveshje imorale me zotin Rama dhe heshtja dhe harresa mbulojnë atë që shkoi. Ndaj jemi këtu ku jemi sot.
-Në PD vazhdojnë debatet dhe përplasjet për vulën e partisë. Në PS ka zëra se socialistët po punojnë kundër njëri-tjetrit duke nxjerrë dhe informacione konfidenciale për në SPAK. Ndërsa në Partinë e Lirisë ka shpërthyer sërish sherri për të larguarit të cilët Ilir Meta i cilësoi agjentë të SPAK, si Braimllari…Si i komentoi këto përplasje para zgjedhjeve?
Nuk kane programe, nuk kanë atdhedashuri me prova, nuk kanë frymë vëllazërore as ndaj njëri-tjetrit as ndaj shqiptarëve, janë hipokritë si brenda partive të tyre dhe jashtë. Nuk kam vlerësim për grumbujt e intrigantëve që ju i quani parti politike. E vetmja vlerë që i bën bashkë është korrupsioni moral dhe material.
-Si e vlerësoni debatin e fundit midis Berishës dhe Majkos mbi pretendimet për përgjime nga SHISH?
Farsë, teatër që zgjat 3 ditë.
-Nga zgjedhjet na ndajnë edhe 4 muaj. Kush mendoni se ka më shumë gjasa për të fituar?
Kush do të fitojë ? Morali kombëtar dhe shpirti shqiptar, jo! Politika shqiptare është larg shpirtit dhe moralit kombëtar, ajo me veset e saj ka goditur egërsisht interesat dhe vlerat e shqiptarëve. Shqiptarët largohen nga kjo tokë e bekuar vetëm sepse nuk ndjehen pjesë e këtij helmi që rri në parlament dhe vendimmarrje. Jemi në një krizë të thellë shpirtërore si komb, dhe votat e diasporës nuk i bëjnë dot makijazh as nuk e fshehin dot këtë realitet. Ndaj dhe fitorja është një term relativ.
Intervistoi: Rigels Seliman
