E hënë, 3 Gusht, 2026

Partitë e reja dhe liderët e saj, Shqipëria midis shenjtorëve të rinj dhe mashtrimeve të vjetra

Share

Nga Rigels Seliman

Në Shqipëri, politika është kthyer në një teatër të pambarimtë ku aktorët ndërrojnë maskat, por asnjëherë thelbin. Liderët e rinj, që na paraqiten si shenjtorë të vetë-shpallur, i premtojnë popullit rilindjen dhe shpëtimin. Por, sa herë që ngremë kokën për të parë “shenjtorët” tanë, kujtojmë se ata janë të njëjtët që kanë qenë aty kur sistemi u kalb dhe shpresa u varros. Shqipëria është në këtë gjendje të mjeruar sociale, ekonomike, politike dhe juridike, jo vetëm për shkak të atyre që e kanë udhëhequr për dekada, por edhe për shkak të heshtjes dhe bashkëpunimit të këtyre “liderëve të rinj”.

Arlind Qori, një lider populist që sulmon të vërtetën

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, është një shembull i këtij iluzioni politik. Ndonëse flet për luftë ndaj sistemit dhe sulmon mediat si të ishin armiku kryesor i popullit, harron të përmend se ka pasur hapësirë për të folur. Hipokrizia e tij zbulohet kur shfrytëzon pensionistët, gjeneratën më të lodhur e të lënë pas dore nga politika, duke u bërë premtime boshe për një jetë më të mirë, sikur me ardhjen e tij në pushtet do të sjellë pensione prej 1,000 eurosh për gjyshërit tanë. Një skenë që tingëllon më shumë si përrallë për fëmijë sesa si një plan real. Në një vend ku mezi shkulim politikanët e vjetër nga karriget e tyre, Qori – “qor me gjyslyke” – na kërkon të besojmë se ai është ndryshe, ndërsa luan me të njëjtat karta populiste si ata që ka kritikuar.

Adriatik Lapaj, Rilindje apo rifillim i mashtrimit?

Nga ana tjetër, kemi Adriatik Lapajn dhe iniciativën e tij “Shqipëria Behet”. Një figurë që kërkon të ngjitet në piedestalin e politikës duke na bindur se ai është zgjidhja që kemi pritur. Por, historia e tij politike tregon diçka ndryshe. I përfshirë më parë në Aleancën Kuqezi të Kreshnik Spahiut, një tjetër projekt që përfundoi në zhgënjim total, Lapaj duket se po na ofron të njëjtën skemë të ricikluar. Si mund të besojmë tek ai, kur populli tashmë e ka refuzuar dikur me përbuzje?! Tani ai premton “lugë floriri” dhe një të ardhme që nuk ka as bazë, as plan konkret.

Partitë e reja, iluzion apo shpëtim?

Partitë e reja, që duhej të ishin simbol i shpresës dhe ndryshimit, shpesh përfundojnë duke u bërë versionet më të zbehta të sistemit të vjetër. Premtojnë gjithçka dhe japin asgjë. Premtimi i rilindjes së Shqipërisë tingëllon bosh në gojën e atyre që vetëm retorikën kanë ndryshe, por jo mentalitetin. Në vend që të sjellin një vizion të qartë për të ardhmen, këta liderë të rinj përqendrohen në populizëm, premtime të pakapshme dhe manipulim të shtresave më të brishta të shoqërisë.

Mashtrimi nuk ka moshë

Shqipëria është lodhur nga politikanët që e shohin pushtetin si qëllim në vetvete dhe jo si një mjet për të shërbyer popullin. Liderët e rinj që na ofrohen sot si alternativa nuk janë gjë tjetër veçse klone të sistemit që pretendojnë se duan të rrëzojnë. Prandaj, është e rëndësishme që qytetarët të mos bien pre e premtimeve boshe, por të kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe ide të mirëfillta për zhvillimin e vendit. Deri atëherë, Shqipëria do të mbetet një vend ku “shenjtorët” e rinj nuk janë gjë tjetër veçse mashtrues të vjetër me maska të reja.

Te tjera

Lajme te tjera