Romeo Kara, një nga avokatët më të njohur dhe figura me ndikim në skenën politike dhe ligjore shqiptare, ka lëshuar një akuzë të fortë që ka tronditur politikën shqiptare. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Kara ka paralajmëruar se Sali Berisha po përgatit skenarë destabilizimi për t’i shpëtuar burgut, duke iu bashkuar një aleance të errët të politikanëve, pronarëve mediesh dhe biznesmenëve të korruptuar, të cilët i janë bashkuar atij në heshtje për të mbrojtur interesat e tyre. Kjo deklaratë e rëndë hedh dritë mbi përpjekjet që, sipas Karës, po bëhen për të ruajtur një sistem të korruptuar dhe për të penguar ndëshkimin e krimeve të kryera. Ndërkohë gjatë intervistës për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, juristi Kara thekson se Berisha është rrezik për Shqipërinë.
-Zoti Kara, si i vlerësoni sulmet e fundit të Sali Berishës ndaj kreut të SPAK dhe publikimin e fotos së bashkëshortes së tij? A mendoni se këto sulme minojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe po përdoren si kërcënime nga Berisha, duke qenë se ky i fundit po hetohet nga Prokuroria e Posaçme si i dyshuar në disa afera korruptive?
Këto sulme vërtetojnë katërçipërisht se Berisha jo vetëm që nuk ka ndryshuar nga ai që ka qenë, por tashmë ka hedhur poshtë edhe demagogjinë, e cila zakonisht ka karakterizuar opozitat politike shqiptare, të cilat gjithmonë janë përpjekur të luajnë me kartat morale përballë pushtetit. Besoj se ka një shkak shumë të fortë që Berisha e ka zhveshur tërësisht petkun e principeve, duke u investuar totalisht në një retorikë anti-SPAK dhe anti-Duma, duke harruar të ofrojë një alternativë karshi PS dhe Ramës. Pra, Berisha nuk e ka fare në fokus pushtetin, por vetëm sistemin e drejtësisë. Nuk e synon pushtetin, por vetëm cenimin e integritetit të strukturave SPAK dhe GJKKO. Nuk ka ndërmend të nuserojë për të tretën herë në pushtet, por vetëm t’i mbijetoje dënimit. Berisha hapur dhe me konsistencë, synon destabilizimin e sistemit të drejtësisë përmes destabilizimit politik, si dhe goditjeve denigruese personale përmes prononcimeve publike, duke keqpërdorur për një axhendë të tillë krejtësisht personale mandatin e marrë nga votuesit dhe vulën e PD-së të dhuruar nga gjyqtarët ish-shoferët e tij. Jo më kot, Departamenti i Shtetit e ka cilësuar korrupsionin si rrezikun e demokracisë dhe Berishën familjarisht si rrezik për sigurinë kombëtare amerikane. Duke pasur parasysh këtë, mendoni se çfarë rreziku është ai për Shqipërinë. Ai e ka deklaruar qartë se, nëse vjen në pushtet, ose do të ketë një SPAK tjetër, ose nuk do të ketë SPAK fare. Synimi i tij është fare i qartë: Shqipëria të zhbëhet, vetëm ai të mbijetoje.
-Cili është mesazhi që politika po i jep qytetarëve me këto akte dhe sa dëmtohet procesi i reformës në drejtësi nga këto veprime?
Mesazhi është: ju të korruptuar të të gjitha ngjyrave politike, bashkohuni rreth Berishës, si shansi i fundit të mbijetesës suaj. Jo më kot, në heshtje ai ka edhe mbështetjen maksimale të të gjithë të korruptuarve nga të gjitha lëmet: politikë, media, biznes, etj. Politika e pabesë ringjalli qoftëlargun për t’ia kundërvënë SPAK-ut dhe reformës në drejtësi. Sot, Berisha inkurajon llumin dhe dekurajon vetëm aspiruesit për drejtësi, shtet ligjor, barazi para ligjit dhe instalimin e ndëshkimit kudo ku ka krim. Jo më kot, jam marrë kaq gjatë me të.
–Si e vlerësoni shpalljen e kreut të SPAK, Altin Dumani, si “Kampion Antikorrupsioni” nga Departamenti Amerikan i Shtetit? A e shihni këtë si një mbështetje të fortë ndërkombëtare për SPAK?
As më shumë, as më pak, si një rikonfirmim të mbështetjes së palëkundur amerikane ndaj reformës në drejtësi, ndaj SPAK-ut dhe në veçanti ndaj Dumanit, duke zhveshur çdo retorikë të llumit që mori hov së fundi kundër tij dhe çdo tjetri të ngjashëm me të. Ky rikonfirmim amerikan erdhi pikërisht në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
-A mendoni se ky vlerësim do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri?
Padyshim që po. Jo vetëm do ta forcojë, por realisht e ka forcuar dhe njëkohësisht ka zbutur vemjet që si krimbat iu qasen SPAK-ut për t’i prerë hovin e këtij viti shumë të suksesshëm në punën e tij. Besimi është rikthyer i plotë brenda strukturës dhe shumë shpejt do të shihni se askush nuk do të guxojë t’i vendosë shkopinj nën rrota asaj. Përkundrazi, do të kemi lajme të reja shumë motivuese në lidhje me SPAK-un në javët në vijim. Vemjet do ta marrin ligjërisht përgjigjen.
Intervistoi: Rigels Seliman
