E hënë, 27 Prill, 2026

Denaj: 14.7 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural; Synojmë 1000 agroturizma deri në 2030

Share

Projektbuxheti për vitin 2025 për ministrinë e Bujqësisë është 14.7 miliardë lekë ose 4% më i lartë se viti 2024.

Kështu bëri dje me dije ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku edhe bëri një prezantim të shpërndarjes së parave.

Duke bërë krahasim, ministrja Denaj tha se në vitin 2013 buxheti ka qenë 6.8 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2025 është 17.7 miliardë lekë, ose 2.2 herë më shumë.

“927 milionë lekë ka qenë buxheti i subvencioneve në 2013, është 5 herë më i madh në 2024 dhe i projektuar në 2025, duke e arritur një shumë pre 4.4 miliardë lekë”- tha Denaj.

Duke u ndalur tek eksportet, ministrja theksoi se në 2013, kanë qenë 140 milionë euro, ndërsa në 2023 ishin 530 milionë euro të projektuar për të shkuar në 1 miliardë dollarë në 2030.

“Kemi një rritje të eksporteve me 19% gjatë këtij viti”- tha Denaj.

“4.4 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për mbështetje direkte për fermerët” u shpreh ministrja Denaj.

Denaj u ndal edhe tek fondet e IPARD, kryesisht tek IPARD 2.

“Janë 540 investime të IPARD në çdo cep të Shqipëri. 73 investime në sera duke bërë të mundur rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Janë realizuar 137 investime në mekanikë bujqësore. Prodhimet bujqësore sot grumbullohen dhe seleksionohen në 72 pika grumbullimi falë IPARD 2. janë 80 investime të programit dhe sipërmarrjeve agro-turistike  të cilat sot janë një mundësi jo vetëm të harmonizimit të dy sektorëve por të ndërlidhura mes asaj që është ekonomi rurale nëpërmjet asaj që është zinxhir vlerash”- tha Denaj.

Ministrja nënvizoi se gjatë mandatit të katërt të qeverisjes është parashikuar një rritje eksponenciale e agroturizmave.

“Kjo është arsyeja pse në mandatin tonë të 4 të qeverisjes, kemi parashikuar një rritje eksponenciale të agroturizmave të certifikuara, që deri tani kemi 260 parashikojmë të shkojnë në 1000 agroturizma në 2030 për të krijuar këtë dinamizëm në zonat malore dhe rurale. Janë 46 investime në kantina vera dhe nuk mund të mohojmë cilësinë e verës, falë këtyre investimeve të IPARD2”- tha Denaj.

Denaj shtoi se drejt 2030 do të shkojmë drejt një skeme subvencionesh që përfarohet me direktivën e BE-së.

Në fokus të buxhetit për vitin 2025, nënvizoi ministrja, do të jenë edhe siguria ushqimore me 2.6 miliardë lekë, si dhe infrastruktura ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet me një fond prej 2.9 miliardë lekësh.

Te tjera

Lajme te tjera