E premte, 2 Tetor, 2026

Endri Shabani: Nuk jam i frikësuar nga oligarkët, ja pse qytetarët duhet të votojnë Nismën Thurje, nuk do të ndalemi derisa drejtësia të ndëshkojë abuzuesit me pasurinë tonë kombëtare

Share

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike, ekonomike, juridike dhe sociale në vend, ndërsa ka premtuar me guxim se frika nga oligarkët dhe politikanët e korruptuar nuk do ta ndalë angazhimin e tij për ndryshime thelbësore në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai thekson se qytetarët duhet të votojnë Nismën Thurje për të sjellë një alternativë të re në politikën shqiptare, një alternativë që siç vë në dukje ai, përfaqëson interesat e njerëzve dhe jo të grupeve të fuqishme. Në një kohë kur korrupsioni dhe abuzimi me pasuritë kombëtare janë bërë të zakonshme, Shabani ka bërë thirrje për mobilizim dhe vetëdijesim të qytetarëve. Zoti Shabani gjithashtu gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ka komentuar mbi kallëzimin penal për Portin e Vlorës, duke shprehur angazhimin e Nismës Thurje për të luftuar për drejtësi dhe transparencë. “Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të ndëshkojë abuzuesit”, thekson Shabani, duke e vendosur theksin te nevoja për një reformë të thellë që do të sigurojë mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Në këtë kontekst, kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani nxit qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur në zgjedhjet e ardhshme, për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të barabartë.

-Çfarë po ndodh me kallëzimin penal kundër biznesmenëve Samir Mane dhe Geront Çela për Portin e Vlorës?

Kallëzimi ynë për Vlora Marinën është një përballje e drejtpërdrejtë me modelin që ka shkatërruar Shqipërinë për dekada. Ky rast nuk përfaqëson vetëm thjesht një çështje korrupsioni, apo abuzimi me pushtetin, por është një luftë për të çliruar pasuritë tona kombëtare nga kthetrat e disa njerëzve që i quajmë oligarkë por që janë kthyer në feudalët e Shqipërisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë në hetimet e SPAK-ut, dhe as nuk kemi informacion përtej asaj që është publike, për shkak të sekretit hetimor. Por dua të them se ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën, dhe të ndëshkojë këdo që abuzon me pasurinë tonë kombëtare. Kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, është një betejë për të mbrojtur pasurinë kombëtare dhe dinjitetin tonë si popull.

-A ndiheni i frikësuar që keni paditur në SPAK një “oligark”?

Frikë duhet të kenë ata që kanë shkelur ligjin, duke abuzuar me pasurinë publike dhe e dinë se herët ose vonë do përballen me pasojat e asaj që i kanë bërë këtij vendi.

Unë besoj se çdo njeri që është në anën e drejtë të historisë duhet të ketë guximin për të thënë publikisht të vërtetën që njerëzit e zakonshëm e shohin me sytë e tyre çdo ditë dhe e flasin në kafene apo në familje. Shqipëria është kapur nga një elitë politike dhe ekonomike që ka ndikuar fuqishëm në çdo aspekt të jetës publike. Denoncimet tona janë bërë për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vendoset në vend. A ka rrezik të përballesh me këta?! Padyshim që po, por dikush duhet ta bëjë këtë betejë dhe ne mendojmë që ne kemi detyrimin për tu përballur në respekt të prindërve tanë dhe për hir të brezave që do të vijnë.

-Besoni se drejtësia mund të çojë në burg oligarkët kryesor dhe politikanët e korruptuar në vend?

Pa dyshim që besoj, se një drejtësi e pavarur ka fuqinë për të ndryshuar rrënjësisht skenën politike në Shqipëri. SPAK ka filluar të japë goditje të rëndësishme, por ky është vetëm fillimi. Njerëzit do të kuptojnë se fundi i një epoke të pandëshkueshmërisë ka nisur. Ky vend do të shkojë përpara vetëm duke ndëshkuar ata që kanë marrë vendin peng, dhe jo vetëm që oligarkët dhe politikanët e korruptuar do të bien, por do të hapet rruga për një Shqipëri tjetër, më të drejtë dhe më të barabartë.

-Mund të bjerë shteti nëse drejtësia qëndron stoike dhe i jep fund pandëshkueshmërisë?

Shteti nuk bie kur vendoset drejtësia – ai rilind. Dhe ne kemi një detyrë historike që të ndihmojmë që Shqipëria të ringrihet duke ndihmuar në ndëshkimin e atyre që e kanë vjedhur këtë popull, dhe duke larguar nga pushteti ata që kanë shkatërruar besimin dhe shpresën e shqiptarëve tek shteti i tyre. Ne kemi zgjedhur mos jemi vetëm dëshmitarë të së keqes, por të luftojmë për një Shqipëri që është ashtu si pjesa tjetër e Evropës.

-A jeni të kënaqur me hetimet e SPAK sa i takon kallëzimeve të Nismës Thurje lidhur me aferat e koncesioneve në shëndetësi?

Jemi të kënaqur me hapin e parë, por hetimet duhet të vazhdojnë dhe të shkojnë deri në fund. Deri tani për shkak të kallëzimeve tona janë dënuar dy ministra, disa funksionarë të lartë dhe biznesmenë të përfshirë në aferat e shëndetësisë dhe inceneratorëve. Por ne kemi depozituar një numër të madh kallëzimesh dhe presim që drejtësia të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe efikase. Nuk është e lehtë të sfidosh një sistem të tillë, por ne besojmë se SPAK ka potencialin për të çuar para drejtësinë në Shqipëri​

-Si e shikoni kaosin dhe dhunën krijuar në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetët e opozitës?

Dhuna dhe kaosi në Kuvend janë tregues i degradimit të skenës politike shqiptare dhe dëshpërimit të një klase politike që është në hapat e fundit. Opozita e vjetër po shkon drejt një fundi të pashmangshëm, dhe ata nuk kanë më as ide për të ardhmen, as legjitimitet për të ardhur sërish në pushtet, dhe mbi të gjitha ka humbur çdo lidhje me qytetarët. Ata nuk përfaqësojnë më askënd, dhe për këtë arsye viti 2025 do noterizojë edhe fundin e Partisë Demokratike si parti e madhe, duke e kthyer atë në një partiçkë private, pak a shumë si LSI-ja rahmet pastë. Shqiptarët janë të lodhur nga kjo mënyrë e të bërit politikë. Sali Berisha i ka sjellë boll tym dhe flakë Shqipërisë.  Është koha për një politikë të re, që nuk bazohet në dhunë dhe tensione artificiale, por në vlera dhe vizion për t’i ofruar të rinjve një të ardhme këtu, në shtëpinë e tyre.

–Flitet se keni arritur akordin për koalicion me Partinë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt. Sa qëndrojnë këto zëra?

Jemi duke punuar për të bërë bashkë të gjithë grupimet e reja që e kuptojnë përgjegjësinë historike që ka brezi ynë për ta shpëtuar Shqipërinë nga një klasë politike e papërgjegjshme dhe mbi të gjitha e pangopur. Çdo aleancë që ne do të bëjmë do të jetë mbi bazën e vlerave të përbashkëta, të guximit për të luftuar me ata që e kanë marrë vendin peng, dhe të vizionit për një Shqipëri si pjesa tjetër e Evropës. Por kur ta finalizojmë, ju do keni mundësi të njiheni me Nismën për Shqipërinë me të  cilin do të marrim pjesë në zgjedhje, dhe gjithçka do të jetë transparente.

-Pse qytetarët duhet të votojnë Nismën Thurje? Çfarë keni ju ndryshe nga partitë e tjera?

Më thoni një grupim tjetër në Shqipëri që ka patur guximin të denoncojë në SPAK, politikanët më të fuqishëm dhe oligarkët më të rrezikshëm në vend? Kjo besoj se është prova që ne e kemi seriozisht jo vetëm betejën tonë antikorrupsion, por mbi të gjitha nuk përkulemi përballë kësaj elite ekonomike dhe politike që ka vjedhur ëndrrat e prindërve tanë dhe mban peng perspektivën e brezit tonë. Nëse shqiptarët kanë respekt për veten e tyre, dhe iu dhimbset Shqipëria, duhet të dalin ditën e votimeve dhe t’i çojnë një mesazh të fortë klasës së vjetër politike duke votuar masivisht për Nismën Thurje.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera