Në një ngjarje të rëndësishme, gratë e Europës u bashkuan në Tiranë për të diskutuar dhe adresuar një problem të njohur, por shpesh të nënvlerësuar: dhunën digjitale. Deputetja e PS, Etilda Gjonaj ndau në rrjetet sociale detaje nga takimi, ku morën pjesë 60 gra dhe vajza nga e gjithë kontinenti, si dhe përfaqësuese të institucioneve dhe shoqërisë civile. Bisedimet u përqendruan në sfidat që teknologjitë e reja sjellin për gratë, përfshirë format e reja të dhunës kibernetike. Si pjesë e Aleancës së Grave Deputete, Gjonaj theksoi rëndësinë e krijimit të një pakete ligjore që do të ofrojë mbrojtje për viktimat dhe do të ndihmojë në parandalimin e këtyre krimeve. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një mjedisi më të sigurt për gratë në epokën digjitale.
Ja statusi i Gjonajt
Sot pata kënaqësinë të bashkohesha me 60 gra dhe vajza nga e gjithë Europa, Zv/ministren Seferi dhe Drejtuesen e “University Women of Europe” për të folur mbi ndikimin e digjitalizimit dhe Inteligjencës Artificiale tek vajzat dhe gratë.
Modelet e reja teknologjike po krijojnë sfida me të cilat shoqëria, por veçanërisht gratë duhet të përballen, pasi edhe formave të dhunës ndaj tyre i shtohen forma të reja të dhunës kibernetike.
Si Aleancë e Grave Deputete, në bashkëpunim me gratë deputete dhe me një gjithëpërfshirje të shumë aktorëve të tjerë, të ekzekutivit, të shoqërisë civile, gjyqtarëve dhe prokurorëve e gazetarëve, jemi drejt finalizimit të paketës së re ligjore që adreson dhunën digjitale dhe krimet kibernetike ndaj grave.
Edhe në kuadër të rolit tim si Raportuese e Përgjithshme, Konventa e Stambollit, e detyrueshme për zbatim nga parlamentet, i kushton një vend të veçantë masave që duhen marrë për luftën kundër dhunës ndaj grave duke përfshirë edhe atë online.
