E hënë, 27 Prill, 2026

Zyrtare, javën e ardhshme miratohet vendimi për rritjen me 4.1% të pensioneve për mbi 790 mijë të moshuar, pensionet urbane mesatare rriten me 752 lekë dhe ruralet 453 lekë

Share

Pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1% në muajin tetor. Vendimi është miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe në ditët në vijim do të miratohet edhe në qeveri. Burime nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga viti 2023 deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë. Më shumë se 790 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, do të marrin shtesë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor. Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë e 137 milionë lekë. Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë. Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022- gusht 2023. Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve. Burime për gazetën “SOT” thonë se në fokus të reformës së re do të jenë pensionet rurale dhe ato të pjesshme, që do të kenë një rritje të konsiderueshme, dhe më pas do analizohen pensionet e tjera që konsiderohen të larta. Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre, diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale, vitet e punës e deri tek vlera e kontributeve që paguhet gjatë viteve të punës.

Detaje

Nga 1 tetori 791 mijë pensioniste do të marrin pensionet e indeksuara për rritjen e çmimeve. Indeksimi do të jetë 4.1% me një efekt në buxhet prej 1.7 miliardë lekë deri në fund të vitit. Këshilli Administrativ i ISSH, në mbledhjen e tij të datës 12.09.2024, miratoi dërgimin për shqyrtim në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të projekt VKM “Për indeksimin e pensioneve”.

Projekt VKM që do dërgohet në Qeveri, parashikon:

Indeksimin, në masën 4.1%

Indeksimi i pensioneve sipas këtij projektvendimi ka për qëllim që të mbajë në nivel real masën e pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale, duke i përshtatur me efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit për shportën e pensionistëve. Në këtë projektvendim parashikohet që të indeksohen të shtohen në masën 4.1 për qind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara dhe pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare dhe për vjetërsi shërbimi, bazuar në përllogaritjen zyrtare të INSTAT që është institucioni përgjegjës për deklarimin e indeksit të çmimeve të shportës së mallrave e shërbimeve për pensionistet. Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë projekt vendim do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues sipas numrit të përfituesve aktual dhe planifikimit të përfituesve të ardhshëm deri më date 31.12.2024. Nga  të cilët 721,705 janë pensione nga skema e detyrueshme dhe 68,613 janë pensione nga programe të veçanta të qeverisë, skema suplementare apo trajtime të veçanta. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,693,000,000 (një miliard e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre milion) lekë, për 3 muajt e fundit të vitit 2024, të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH. Projekt VKM pritet të dërgohet për në Qeveri nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të miratohet brenda muajit shtator 2024.

Te tjera

Lajme te tjera