Kryeministri Edi Rama ka nisur me premtimet para zgjedhjeve. Ai prezantoi platformën “Deputeti që duam”, ku premtoi më shumë mbështetje për pensionistët. Rama deklaroi se do të ketë rritje të bonusit për ta.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që misioni ynë është i përmbushur kur i kemi dhënë rritjes ekonomike dimensionin gjithëpërfshirës. Nga një rritje që shihet me shifra e fakte tek një rritje ekonomike që ndihet në arkën familjare ka një distancë për të përshkuar. Në mënyrë që të gjithë të marrin pjesën e tyre nga ekonomia, por shteti të qëndrojë mbi themele të forta. Në mënyrë që të mos i harxhojmë të gjitha ën fillim të muajit, por të garantojmë rritjen e qëndrueshme në perspektivë shumë të gjatë. Solla pensionet si shembull se është një pikë shumë e dobët e të gjithë zinxhirit të rritjes, dhe pensionistët janë pika më e dobët e gjithë shoqërisë, siç janë gjyshërit në të gjitha familjet në aspektin shpirtëror dhe prandaj meritojnë shumë më tepër seç jemi në gjendje tu japim. Në këtë kuptim është e domosdoshme, është absolute, është sfidë e sfidave që të bëjmë çmos për t’i rritur pensionet dhe nga ana tjetër mos biem në kurthin e iluzioneve, ne nuk mund t’i gënjejmë pensionistët duke ju thënë se nëse na jepni votën do ua bëjmë pensionin 500 euro. Kjo do ndodhë një ditë por jo sot nëse na jepni votën. Nga ana tjetër ne nuk mund të rrimë pa bërë gjithçka duke filluar që këtë vit që bonusi të jetë më i lartë se tradicionalisht. Në këtë moment ne kemi një ekonomi e cila mund të na i japë atë që mund të marrim prej saj për t’ia kaluar pensionistëve”, tha Rama.
