Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha në fusha si politika, ekonomia dhe mjedisi, Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), ofron një perspektivë të qartë dhe të thellë mbi disa nga çështjet më të nxehta. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Duka shqyrton rolin e qeverisë në skandalin e mbetjeve toksike dhe kërkon që drejtësia të bëjë një hetim të plotë për këtë çështje të rëndësishme. Ai gjithashtu diskuton strategjitë e PAA për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, duke e vënë theksin në nevojën për reforma dhe mbështetje për fermerët shqiptarë. Në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor, Duka thekson se ndryshimet e bëra nuk adresojnë problemet e thella të sistemit zgjedhor dhe kërkon një reformë më të thellë për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike. Ai gjithashtu ndan shqetësimet e tij mbi ndarjen e opozitës dhe thekson rëndësinë jetike të bashkimit të saj për të përballuar sfidat e mëdha që has në përpjekjen për të rimarrë pushtetin. Kjo intervistë ofron një pasqyrë të vlefshme mbi përpjekjet dhe qëndrimet e një prej liderëve kryesorë të opozitës shqiptare, sikundër është zoti Duka.
-Zoti Duka, si e shihni procesin e bashkimit të opozitës në Shqipëri? Çfarë hapash konkretë janë duke u ndërmarrë për të arritur një kohezion të qëndrueshëm dhe cilat janë sfidat kryesore që ndodhen përpara?
Opozita ka nevojë jetike të bashkohet. Duhet të bashkohet, me gjithë mosmarrëveshjet dhe dasitë parimore që ka mes grupimeve të saj. Kjo për shkak se në anën tjetër, vota është e përqendruar, çdo votë pro mazhorancës shkon në një parti të vetme, Partia Socialiste. Ndërsa vota e opozitës është e ndarë në të paktën 10 pjesë. Sado vota të marrë opozita në këto kushte, nuk do të prodhojë dot pushtet, sepse vota e copëzuar nuk prodhon deputetë mjaftueshëm, edhe nëse është më e madhe në numër se vota e mazhorancës aktuale. Për fat të keq deri tani ka vetëm dëshira të shprehura qoftë publikisht qoftë në tryeza të ngushta, por jo ndonjë hap konkret.
-Shqipëria ka një Kod të ri Zgjedhor. Pse ju e kundërshtoni?
Ne si PAA dhe unë si deputet dhe kryetar i saj, kam kundërshtuar mënyrën sesi u bënë ndryshimet ne Kodin Zgjedhor. Kishte plot tre vjet që flitej vetëm për “reformë zgjedhore”. Tryeza, diskutime, mbledhje, konferenca, debate televizive. Reforma ishte në tavolinë natë e ditë. Por në fund nuk u bë asgjë. Komisioni i posaçëm e mbylli misionin pa i ndryshuar një presje kodit. Pastaj u desh një komision i ri, dhe në fund u bënë vetëm disa arnime. Pra, unë votova kundër sepse nuk ishte ky kodi që i duhet politikës tonë për të bërë zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme. PD si edhe ne kërkonte përveç të tjerave koalicionet parazgjedhore, por PS kishte dy opsione ose kodi i vjetër ose këtë kod që u votua në keto kushte PD pranoi ofertën e vetme ku hiqej herësi, por siç e thash nuk ishte ky kodi që kërkonte opozita. Jemi i vetmi vend bashkë me Serbinë, që nuk bëjmë zgjedhje të lira. Këtë nuk e them unë, por raportet e OSBE/ODIHR.
• Zgjedhjet blihen dhe manipulohen.
• Votuesit intimidohen.
• Grupet kriminale janë bërë “zot” të qyteteve; ata përcaktojnë pushtetin.
• Korrupsioni i shtetit fillon nga korrupsioni i zgjedhjeve.
-Cilat janë strategjitë kryesore që PAA dhe opozita planifikojnë të ndjekin për të arritur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme? Si planifikoni të bindni votuesit dhe të rrisni mbështetje në nivel kombëtar?
Ne jemi të sigurtë se shumica e popullit dëshiron ta zëvendësojë qeverinë që ka. Ka më shumë se 100 arsye për ta bërë këtë, por unë them vetëm 4:
1- Kjo qeveri është tashmë zyrtarisht më e korruptuara dhe më e inkriminuara që ka patur ky vend në një shekull.
2- Shqiptarët, shumica e shqiptarëve, janë më të varfër nga sa kanë qenë kur kjo qeveri mori drejtimin e vendit.
3- Ekonomia dhe paraja janë përqendruar në duart e një grushti njerëzish dhe hendeku mes të pasurve e të varfërve është bërë tashmë i frikshëm.
4- Populli vazhdon të marrë arratinë dhe vendi po zbrazet në mënyrë tragjike.
Por, unë nuk jam kaq naiv që të besoj që meqë populli nuk e do më qeverinë, atëherë automatikisht ne do të vijmë në pushtet. Nuk mjafton që qeveria është korruptuar që opozita të vijë në pushtet. Opozita duhet të paraqesë alternativën e saj qeverisëse; Kush do të qeverisë dhe çfarë do të bëjmë ne ndryshe nga këta? Si do t’i zgjidhim ne problemet e mëdha me të cilat përballet vendi? Këtyre pyetjeve ne ende nuk u kemi dhënë përgjigje. Dhe pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve nuk mund ti kërkojmë votën qytetarëve.
-Cilat mendoni se janë problemet kryesore që po përballen fermerët dhe sektori i bujqësisë në Shqipëri? Cilat janë masat që PAA propozon për të përmirësuar situatën dhe mbështetur këtë sektor?
Problemet janë një mal. Por, në mënyrë të përmbledhur mund të them: Bujqësia po kapitullon tërësisht. Blegtoria bie sistematikisht, në numër krerësh dhe në sasi qumështi. Bujqësia po bie sistematikisht. Sasia e drithërave reduktohet si në sipërfaqe ashtu dhe në rendiment. Fermerët mbjellin por kanë vështirësi të shesin. Politikat liberale dhe lënia e prodhimit vendas pa asnjë mbrojtje, bëri që ato të gjenden nën sulmin e prodhimeve të importit nga vendet fqinje, ku kostoja është më e lirë për shkak të subvencioneve. Kjo e ka bërë jo konkurruese bujqësinë tonë dhe prodhuesit vendas të pafuqishëm për ti rezistuar konkurrencës së fermerëve të vendeve të tjera. Politikat fiskale qe zbatohen për mallrat bujqësore e blegtorale jane te gabuara. Ne kemi një program tonin, që lidhet me: Subvencionet; me mbrojtjen e prodhimit vendas; me politikat e rritjes së rolit të shtetit në ndërmjetësimin e tregjeve për shitjen e prodhimeve; me investime të drejtpërdrejta në sektorin e bujqësisë; ngritjen e kërkimit shkencor për përmirësimin e kultivarëve, fara e pemë frutore; përshtatjen e bujqësisë me kushtet e reja klimatike etj.
-Si e komentoni skandalin e mbetjeve toksike dhe ndikimin e tij në mjedis dhe shëndet? Cilat janë politikat që PAA propozon për të trajtuar këtë problem dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen?
Ka një ligj që parashikon qartësisht se si bëhet menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme, si dhe kush i transporton, në cilët kushte bëhen, si magazinohen, etj, etj. Në këtë rast duket se janë shkelur të gjitha ato që ligji parashikon. Qeveria mbylli sytë dhe bën të paditurin. Për shkak të rëndësisë dhe rrezikshmërisë që kanë këto mbetje për mjedisin, kjo duhet trajtuar me seriozitetin maksimal nga drejtësia, që ka nisur një hetim. Duhet parë praktika, çfarë ka ndodhur edhe në të shkuarën dhe deri në çfarë shkalle është ky skandal. Ne kemi folur dhe do të vazhdojmë të jemi shumë të ndjeshëm për këtë çështje, sepse kjo është shumë të ndjeshme për sigurinë e qytetarëve. Unë mendoj se nëse kjo vërtetohet, kjo qeveri duhet të rrezohet, një skandal i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në të gjitha qeveritë e pas 90-tës.
-Cilat janë prioritetet kryesore të PAA për të ardhmen? Si planifikoni të realizoni këto prioritete dhe cilat janë objektivat që synoni të arrini në periudhën e ardhshme?
Prioriteti ynë janë vetëm zgjedhjet. Ne po punojmë me organizmin tonë. Kemi ofruar njerëz të mirë dhe të ndershëm, njerëz që kanë besimin e komunitetit ku jetojnë. Ne kemi dhe po punojmë mbi një program tonin, që në thelb ka bujqësinë dhe mjedisin, por jo vetëm këto. Kemi një platformë të rëndësishme anti-korrupsion. Por kjo do të bëhet në bashkëpunimin me partnerët tanë politikë. Besojmë dhe shpresojmë të qartësojmë sa më shpejt aleancat politike, të krijojmë një projekt të përbashkët qeverisës dhe t’ua prezantojmë qytetarëve.
Intervistoi: Rigels Seliman
