Ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur, Daut Gumeni ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Gumeni tregon lojën politike me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Daut Gumeni, ndërkohë që zbardh pazaret e pista të Ramës, Berishës dhe Metës. Po ashtu, zoti Gumeni tregon se si i kanë përdorur pushtetarët gjithë këto vite për të mbajtur pushtetin. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ai thekson se sa të ketë përballë këtë lloj opozite të katandisur me brigadierin në papafingo referuar ish-kryeministrit Sali Berisha dhe me çirakun e tij gjysmësportiv që përpiqet të luajë të marrin, referuar ish-presidentit Ilir Meta, sipas tij, kryeministri Edi Rama mund të rrijë në pushtet sa të mërzitet vetë. Ndërkaq zoti Gumeni nënvizoi Autoriteti i Dosjeve që merret me zbulimin e spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit është institucion qokash.
-Zoti Gumeni, Kuvendi i kërkon Autoritetit të Dosjeve që të vijojë me verifikimin e zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe ata që e kanë marrë në të shkuarën një certifikatë pastërtie. Në rezolutën për këtë institucion, Kuvendi kërkon gjithashtu bashkëpunimin me KQZ për gjetjen e mekanizmave ligjore për amendimin e Kodit Zgjedhor apo ligjit për partitë politike për të identifikuar dhe larguar ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nga zgjedhjet. Rezoluta e miratuar në Parlament për këtë institucion i ka lënë për detyrë Autoritetit që të ketë me prioritet futjen në filtër të personave të pastruar nga komisionet Mezini e Bezhani. Sipas jush, a ka në politikë apo edhe administratë ish-sigurimsa?
Kuvendi është kujtuar me vonesë të tepërt për të pastruar nga hijet e zeza të së shkuarës diktatoriale figurën e kandidatëve për deputetë apo zyrtarëve të tjerë të shtetit. E po të qe vetëm vonesa për t’u zgjuar nga gjumi politika e tranzicionit tonë të zgjatur e bërë tërkuzë, do të përbënte të keqe më të vogël. Sepse qysh kur e krijuan atë farë autoriteti, Kuvendit tonë të nderuar i ka shkuar kërkesa e shkruar për të bërë atë që thonë sa do ta bëjnë tani pas shtatë vitesh. Dhe nuk e marr dot vesh përse kërkon të na bëjë dhe për të qeshur Kuvendi, tani që ai autoritet duhet të kishte mbyllur punë me hijet e të shkuarës dhe ato pare, që paguhen për kaq kohë për një institucion qokash, të mund të shkonin në një sektor më të dobishëm. E them këtë, sepse më duket sikur Kuvendin tonë të nderuar e paska zënë vapa kur kujtohet të porositë autoritetin e dosjeve të pastrojë radhët e pushtetarëve dhe opozitarëve tanë nga hijet e rënda të diktaturës komuniste. Pa le kur thonë që dashkan të pastrojnë nga ato hije edhe personat me pushtet që kanë marrë certifikata virgjërie nga Komisionet përkatëse Mezini dhe Bezhani! Atëherë ç’patën që e shqiptarizuan ligjin gjerman qysh në formimin e atij palo autoriteti? Si u kujtuan tani ta pastrojnë politikën tonë aq amatore dhe zullumqare nga të ngarkuarit me dosjet e zeza, që për tridhjetë e ca vjet janë përdorur për të ruajtur pushtetin e trashëguar pikërisht për hir të atyre dosjeve të flamosura?… Po ta besojmë se këtë herë Kuvendi ynë i nderuar e paska me gjithë mend, atëherë duhet ta nisin pastrimin me të besuarit për drejtimin e atij autoriteti dhe pastaj të bëjnë një punë të mbarë e me pak mundime: të kërkojnë vetëm ata të paktët që mund të jenë pa emër rezervë në dosjet e mykura të diktaturës dhe ashtu të shpëtojnë edhe Shqipërinë nga trashëgimia kriminale e diktaturës komuniste, por të shpëtojnë dhe vetë nga mundimi i tepërt për t’u marrë me morinë e pseudonimeve të djeshme.
-Shqipëria prej më shumë se tre dekadash ndodhet në demokraci. A jemi sot një vend realisht demokratik për të përmbushur aspiratën që kishim në fillim të viteve ’90: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”?
Kemi kaluar në dekadën e katërt me një demo(n)kraci sui generis, ku ajo parulla e dikurshme “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”na e ka kthyer Shqipërinë tonë në një nga ato “Demokracitë Popullore” të perandorisë së dikurshme sovjetike, të cilat stalinistët tanë në pushtet i telendisën se paskishin hequr dorë nga stalinizmi. Dhe trashëgimtarët besnikë të stalinistëve tanë të djeshëm kanë gjetur një mënyrë të re fringo për ta mbajtur pushtetin me dosjet e dikurshme të Sigurimit, dosje të turpshme që e bëjnë dhe sigurimin tonë kombëtar një fjalë pa kuptim, në një kohë kur pushtetarët e tranzicionit tonë lemeritës ngarkojnë po njerëz me ato lloj dosjesh për të pastruar politikën nga zullumqarët me pseudinome(!)
– Çfarë nuk ka funksionuar në këtë vend, që jemi kaq mbrapa jo vetëm në raport me vendet e zhvilluara, por dhe me fqinjët tanë që në fillim e nisëm rrugëtimin të barabartë?
Së pari na gjen kjo gjëmë e rëndë e për një kohë tepër të gjatë, sepse nuk funksionon as pushteti e jo më shteti që nuk duket fare në horizont. Edhe pse ligjet i kemi kopjuar mirë nga Europa, ato të shkreta ligje të shkruara me merak qatipi në këtë tranzicionin tonë rraskapitës pushtetarët tanë i zbatojnë me një metodë të padëgjuar, ku shkelësit e ligjit ndahen në“tanët”dhe “të armikut”, metodë kjo e shpikur nga një marrëveshje parapolitike me themele të kalbura nga korrupsioni.
-Përse ka kaq shumë korrupsion në këtë vend, është realisht drejtësia që nuk funksionon, apo jemi popull që kërkojnë të përfitojmë pa u lodhur shumë?
Na ndodh kjo haptazi e sheshit për diell, sepse korrupsioni politik është në themele të këtij “kati të dytë” të diktaturës komuniste, që ka holluar ca vetëm ngjyrën e kuqe dhe ne hedhim valle rreth arkivolit të demokracisë së mirëfilltë. Por kjo gjendje mbase nuk është faji vetëm i zullumqarëve të diktaturës së kalbur nga bëmat e gjëmat që kreu në kurrizin e një populli të tërë. Le ta themi që as niveli ynë si shoqëri e papërgatitur për demokraci liberale nuk se është aq për t’u përgëzuar e ca më pak për t’u krenuar.
– Prej 11 vitesh kemi një qeveri të majtë. A ka qeverisur siç duhet Partia Socialiste?
Në rolin e vet ma devizën “ha e hesht”Partia Socialiste ka zbatuar pa u ndier platformën themelore të trashëgimtarit frikac të diktatorit bubullitës, platformë cinike që e vrau demokracinë qysh në djep: “Të mos na ikë pushteti nga dora!” Pala tjetër është më e sinqertë kur bën rojën revolucionare në varrezat e Alternativës Popullore, gjithnjë pa hequr dorë as një gëm nga gjuha paraushtarake e luftës së klasave me “armiq të popullit e të Partisë”. Unë nuk e di se si mund të quhet dhe qeverisje kjo kacafytje hienash mbi kufomën e lëkurur të Shqipërisë, kacafytje më tepër teatrale në dritën e diellit mes dy gjysmave të Partisë së Punës, kacafytje egërsirash të babëzitura, të cilat qetësohen e marrin pak frymë vetëm kur bien në ujdi natën për të ndarë pjesën nga plaçka që u lanë trashëgim tok me pushtetin agallarët e tyre aq rendë të ngarkuar me zullume, kur sunduan si pashallarë mesjetarë një popull të uritur e të trembur duke marshuar të qetë ”nga fitorja në fitore”. Dhe më duket se është pikërisht kjo lloj katrahure që gjysmat e Partisë mëmë na e quajnë qeverisje. Se gjithë bota e qytetëruar quan qeverisje merakun për përmirësimin e pandërprerë të mirëqenies e të sigurisë së shtetasve të vet dhe jo faljen e krimeve shtetërore si ato të viteve ’97 e ’98, apo të Gërdecit e të 11 Janarit të zi…
– Mendoni se ka ardhur koha që Edi Rama të mbyll këtë mandat dhe t’i thotë boll qëndrimit në pushtet?
Sa të ketë përballë këtë lloj opozite të katandisur me brigadierin në papafingo dhe me çirakun e tij gjysmësportiv që përpiqet të luajë të marrin, Edi Rama mund të rrijë në pushtet sa të mërzitet vetë. Sepse dy bravoçat e politikës sonë çyryke të këtyre tri dekadave eksperimentale po bëhen copa më kot ta nxjerrë inatin me një drejtësi që sikur po përpiqet t’u qaset pasurive të shumta që kanë vënë duke mjelë pushtetin. Pastaj ajo marrëveshje për ta lënë në dorë të kryetarëve një të tretën e listës së deputetëve, krijon një Parlament gjysmë të mbyllur, që i mbyll derën jo vetëm demokracisë në parti por edhe në qeverisje. Me atë marrëveshje për të mos u ikur pushteti nga dora dhe me thatësirën që kanë krijuar në çetat e tyre private politike, kryetarët e përjetshëm të partive tona i kanë vënë shqiptarët e lodhur përpara pyetjes pa përgjigje: Ja dhe ikën këta, po kush do vijë?…
– A është në gjendje opozita me Sali Berishën dhe Ilir Metën që të vijë në pushtet?
Ajo palo çapërkë e çatrafiluar, e cila ka tridhjetë e katër vite me brigadier si pronar të paprekshëm, nuk ka ardhur kurrë në pushtet me zgjedhje të lira. I ka marrë çelësat e pushtetit me anën e një pluralizmi të shtirë të lënë me marrëveshje nga Gebelsi cinik i Partisë së Punës dhe sot është shpërbërë aq keq tani që Edi Rama u kujtua ta shkelë atë marrëveshje për të luajtur teatër me pluralizmin e mirëfilltë dhe të numërohen votat pa i hedhur kutitë e tyre në krah. E mësuar të marrë pushtetin me marrëveshje e jo me vota, ajo parti do të përpiqet të mbijetojë me krrëk dhe vetëm duke bërtitur nën papafingo apo përpara Bashkisë së Tiranës e duke nënshkruar çdo marrëveshje që i duhet palës në pushtet. Edhe kjo mbijetesë me të keq gjithnjë me kushtin e vetëm: po qe se na ngjallet vërtet drejtësia aq gjatë e munguar…
Intervistoi: Rigels Seliman
