Ish-kryeministri Sali Berisha do të dënohet me 20 vite burg. Ja kush janë dy dëshmitarët që mund t’i bëjnë gropën për vrasjet e “21 Janarit”. Kështu shprehet gazetari i njohur, Adriatik Doçi, i cili ka rrëfyer informacionet e forta sa i takon masakrës së “21 Janarit”, ku gjatë protestës së opozitës së kohës në vitin 2011 para Kryeministrisë mbetën të vrarë 4 qytetarë të pafajshëm. Gjatë një interviste për “Top News”, gazetari Doçi ka komentuar edhe lëvizjet dhe deklaratat e Ilir Metës, teksa tregon se si i shantazhon ish-presidenti me dosje korruptive pjesëtarët që i kanë mbetur në Partinë e Lirisë. Më poshtë po pasqyrojmë intervistën e zotit Doçi për “Top News”.
-Zoti Doçi, mesa duket ka ardhur momenti që personat, të cilët kanë qenë protagonist të 21 Janarit të vihen përpara përgjegjësisë, sa besim keni që mund të ndodh kjo?
Është një nga sfidat e SPAK-ut dhe të drejtësisë së re. Unë kam besim te SPAK-u, por bazuar në disa rrethana dhe një realitet faktik ku sipas shumë sondazheve gëzon një besim të frikshëm në raport me institucionet e tjera në Shqipëri, madje dhe institucionet fetare, pra besimi është rritur në mënyrë maksimale, se nuk mjafton vetëm besimi i publikut për të avancuar dhe finalizuar një dosje. Së dyti, SPAK-u është në një pozicion shumë komod sa i takon bazës ligjore për këtë çështje sepse ka dy vendime shumë të rëndësishme, ajo e Strasburgut ku e ka përmbysur ngjarjen duke e çuar në zero edhe hetimet e cunguara të Prokurorisë, por edhe farsën e turpshme gjyqësore ku fillimisht i shpalli të pafajshëm e pas presionit ndërkombëtar i shpalli si vrasje nga pakujdesia, që ishte një ndër njollat më të zeza të drejtësisë, të cilën e shembi procesi i Vettingut. Ka këtë bazë ligjore dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka detyruar SPAK-un që të hap këtë çështje.
-Cila rrethanë e kompleksoi SPAK-un që të merrte përsipër hetimin e dosjes së “21 Janarit”? Pse duhej vendimi i Gjykatës së Lartë, ka një lloj presioni? E nëse ka, nga kush vjen? Çfarë e bëri SPAK-un të stepet para kësaj dosje që ka dhe interesin më të madh të publikut pasi është ngjarja më tragjike që ka ndodhur?
‘21 Janari’ është një nga krimet shtetërore që ka shënjuar pluralizmin politik në vend, e cila ka disa të dyshuar. I dyshuari kryesor si protagonist i ‘21 Janarit’ është Sali Berisha, i cili po ushtron një lloj presioni dhe trysnie bashkë me familjen e tij ndaj SPAK-ut, përfshirë edhe aleatin e tij, Ilir Meta, i cili ka kaluar nga bullizimet në mesazhe kërcënuese, te koduara ndaj prokurorëve, duke shënjestruar edhe familjarët dhe fëmijët e prokurorëve me mesazhe të koduara nga Ilir Meta. Kishte një stepje dhe një trysni nga ana e SPAK-t për ta larguar nga duar këtë dosje dhe për t’ja faturuar Prokurorisë së Tiranës. Gjykata ka vendosur ndryshe. Çështja është ngritur e po hetohet nga SPAK-u akuza, vepra 79 e kodit penal që është vrasje në rrethana ta tjera cilësuese. Për këtë vepër penale parashikohet jo më pak se 20 vite burg e deri në burgim të përjetshëm. Ndrea Prendi është përballë riskut për të ngritur një akuzë nga SPAK-u për vrasje në rrethana të tjera cilësuese që rrezikon deri në burgim të përjetshëm. Besoj se përballë pyetjeve që i janë bërë Ndrea Prendit se kush të ka qëlluar, ka patur dy versione, alibinë se më ka urdhëruar ligji se kështu e vendos dhe versioni tjetër që thotë më ka urdhëruar, kush? Dyshimet janë për Sali Berishën. Që ka dhënë një urdhër verbal. A mund të dokumentohet dhënia e një urdhëri verbal nga Sali Berisha, është shumë e vështirë që të provohet kjo gjë në i ka dhënë urdhrin Berisha apo jo, pasi urdhëri është verbal e jo me shkrim.
–Çfarë ndodh nëse Ndrea Prendi flet dhe thotë që urdhrin ma ka dhënë Sali Berisha?
Automatikisht ndaj Sali Berishës do të ngrihet akuza për bashkëpunim. Ka dhe një version tjetër të zotit Ngjela ku thotë se Sali Berisha ka marrë kallashin atë ditë në Kryeministri. Unë nuk e di sa e vërtetë është, por më duket disi e ekzagjeruar se pse do të kishte nevojë Berisha, por dhe mund ta ketë bërë. Dhe nëse Berisha e ka urdhëruar, ndaj tij do të ngrihet akuzë si bashkëpunëtor në rrethana cilësuese dhe rrezikon që vitet e mbetura të jetës t’i kalojë në burg.
-“21 Janari” ka rizgjuar dhe një luftë tjetër mes Bashës dhe Metës, ku Basha i ka treguar akuzat ndaj Berishës duke thënë se sot bën sikur e mbron ndërkohë që dikur e akuzoje fort. Nga ana tjetër Meta e bën përgjegjës Bashën pasi thotë se ka qenë ish-ministër i Brendshëm. Si iu duken këto deklarata?
Prej tre vitesh, Sali Berisha dhe Ilir Meta, në një aleancë të përhershme që para burgosjes së Fatos Nanos, po zhvendosin të gjitha dështimet politike në kurriz të Lulzim Bashës. Unë nuk besoj se Lulzim Basha është koka e ‘21 Janarit’, por kam dyshime të forta që është implikuar dhe është përdorur nga Sali Berisha, për vrasjen e ‘21 Janarit’ e fshehjen e provave të krimit, për refuzimin e urdhër arresteve, sepse ishte ministër i Brendshëm dhe kishte nën varësi drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj që refuzoi zbatimin e urdhrave të Prokurorisë, kishte nën varësi komandantin e Gardës së Republikës. Por unë besoj se protagonistët kryesoj janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Protesta u bë si shkak kryesor i bllokut të Ilir Metës se doli me bllok në dorë duke bërë pazare me paratë publike. Dyshoj dhe besoj se vrasjet janë kryer me urdhër të Sali Berishës. Por duan t’ja veshin gjithçka Lulzim Bashës e duke e de faktorizuar më tej me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila i kaloi vulën zotit Berisha. Akuza e Metës ndaj Bashës nuk qëndron për funksionin që ka patur si ish-ministër i Brendshëm, por me dëshminë e tij në SPAK për çështjen e ‘21 Janarit’ mund të tregojë shqiptarëve pjesën më të mirë politike. Pas distancimit të tij nga Sali Berisha dhe largimin e tij nga partia pas shpalljes ‘non-grata’, nga SHBA, tregoi qëndrimin e tij në gjithë këto vite në politikë, si dhe tani ka mundësinë të tregojë veten me dëshminë pasi shihet si çelësi kyç për ngjarjen tragjike të ‘21 Janarit’.
-Mjaftoi vetëm një incident në Bashkinë e Tiranës dhe Ilir Meta bëri thirrje të shpallje të gjendjes së luftës, si e konsideroni këtë deklaratë?
Ilir Meta ka kaluar një situatë degraduese dhe groteske ku po shpik ngjarje artificiale nga halli që ka me drejtësinë. Pas një heshtje prej gati 1 viti, në momentin kur ndjeu rrezikun e hetimeve të SPAK-ut për veprimtaritë e tija korruptive që nga vitet 2000 kur ishte kryeministër, duke ndërmarrë disa hapa për të tërhequr vëmendjen te publiku që te ndarja fiktive nga Monika Kryemadhi, te shpallja e armiqve në parti, sajimi i një komploti ku është vetëm fillimi pasi do të shohim çudira. Sajimi i një komploti i ditëve të fundit sikur një kushëri i Monika Kryemadhit, që ishte arratisur që në ’88-ën, thotë se ka shkuar në SHBA me shërbime jo miqësore dhe e kanë thurur një komplot për të rrëzuar Ilir Metën, provokimi me personazhe që i përdor dhe iu jep raki në mëngjes dhe i inspiron me vjersha e kushtrime lufte dhe i hedh në Këshillin Bashkiak ose personazhe të tjerë që i kanë ngelur në parti dhe i ka kapur me dosje gjatë funksioneve që kanë patur gjatë qeverisjes së tij. Nuk është sekret asi çdo drejtoi i hapte nga një dosje dhe i mbante peng e i shantazhonte përmes Adriatik Llallës e nuk është çudi se dhe ata personazhe që i kanë ngelur në parti, pas secilit prej tyre mund të fshihen histori korruptive e vjedhjen e pasurive politike. Nga ana tjetër, i ka shpallur bashkëshorten e tij duke e fyer, pasi bashkëshorte mbetet përtej politikës, po hip në paralele, këtu thotë të marrim pushkët të sulmojmë SPAK-un e nuk është çudi ta shohim ndonjë ditë me pushkë druri lakuriq para SPAK-ut. Janë forma të tija, si ndarja, komplote, ndahu e bashkohu vetëm për t’ju shmangur drejtësisë. /Gazeta SOT/
