E martë, 4 Gusht, 2026

Flamur Noka hedh në gjyq gazetën “SOT”, “zari” i Sali Berishës alarmohet pas publikimit të dosjes së tij me aferat e rënda që po hetohet nga SPAK, ja akuzat

Share

Nga Rigels Seliman

Fshehja e pasurisë nga ana e politikanëve, zyrtarëve të lartë, ministrave, gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë është bërë një trend, pasi ka nga ata që vazhdojnë edhe sot të mendojnë se nuk do të zbardhen asnjëherë burimet e të ardhurave. Kështu mendoi dhe deputeti i Rithemelimit, Flamur Noka.

Por që pas publikimit nga gazeta “SOT” të dosjes së tij me aferat e rënda që ka përfunduar në duart e SPAK, situata mori një tjetër rrjedhë. Për herë të parë drejtësia e re në “patronazh” nga amerikanët nisi hetim pasuror për Flamur Nokën dhe familjen e tij. Por për telashet që i janë hapur, ish-ministri i Brendshëm i Sali Berishës na ka sjelle një kërkesë për gjyq. Ai akuzon gazetën “SOT” dhe kryeredaktorin Rigels Seliman, se kanë shpifur për të dhe i kanë cenuar imazhin si një politikan i ndershëm. Këto “fletushkat-fletërrufe” të Flamur Nokës nuk pinë ujë, pasi absurditeti në këtë mes është, se ai kërkon të na mbyllë gojën për disa kallëzime, akuza dhe afera kundër tij, që ne i kemi dhënë zë, por që ato janë bërë nga persona të tjerë. Ky është qëllimi dhe misioni i medias. Të denoncojë dhe të pasqyrojë fakte, prova dhe akuza. Edhe nëse Flamur Noka ka denoncime të tilla, vendin e gazetës “SOT” e ka gati për t’i publikuar. Por cilat janë këto afera që ne kemi pasqyruar që kanë alarmuar ish-ministrin e Berishës. Para disa javësh, avokati i njohur, Idajet Beqiri na solli ekskluzivisht dosjen që po heton SPAK, ku përmendet kontrata koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike kur Noka ishte ministër i Brendshëm.

Avokati tha se pas kësaj afere, Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë të mëdha në euro, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij nga paga si ish ministër dhe si deputet. Zoti Beqiri përmendi dhe një vilë prej 760 mijë euro që dyshohet se është në pronësi të tij. Kujtojmë se këto akuza ndaj Nokës, i ka bërë dhe kolegu i tij Gazment Bardhi që po lufton për korrupsion me të krah për krah. Po ashtu, avokati denoncoi se Flamur Noka ka kryer edhe një krim tjetër të rëndë, duke shpërdoruar detyrën si dhe duke manipuluar zgjedhjet elektorale. Sipas tij, ai ka kryer aferën me karta identiteti false në Greqi. Po ashtu, për gazetën “SOT”, avokati ka akuzuar Flamur Nokën dhe Luçiano Boçin se me urdhër të Sali Berishës paguan shuma të mëdha parash në Greqi për të fabrikuar lajme të rreme kundër Irena Gjokës, gjyqtares së Gjykatës së Posaçme që ka në duar shumë dosje “përvëluese” mes tyre edhe atë të shefit të Flamur Nokës, Sali Berishës të shpallur “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ne si media e pavarur i kemi dhënë hapësirë këtyre denoncimeve. Beteja jonë me Flamur Nokën është shumë e lehtë, por tashmë ai ka probleme edhe më të mëdha, pasi përballja e tij, me SPAK mund të përfundojë për të me “pasoja” të rënda. Ndërkohë gazeta “SOT” dhe gazetarët e saj sigurojnë opinionin publik se do të vijojnë denoncimet për cilindo, qofshi qytetarë, politikanë apo kriminelë, që akuzohen apo dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive e kriminale në Shqipëri apo jashtë saj.

Te tjera

Lajme te tjera