Nga Bajram Gjuzi
9 Maj i vitit 1945 është Dita e Fitores mbi Fashizmin e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror udhëhequr nga Stalini, Ruzvelti dhe Çurçilli! 9 Majin e vitit 1945 e kujton gjithë bota antifashiste, si shtetet e mëdha ashtu edhe shtetet e vogla antifashiste, që iu bashkuan Frontit Antifashist Botëror dhe i kontribuuan fitores mbi nazifashizmin, mposhtjes së Frankos, Duçes dhe Hitlerit, makinës së tyre ushtarake pushtuese, vrastare, naziste! 9 Maji i vitit 1945 tregoi se fuqisë së bashkuar të popujve dhe ushtrive të tij çlirimtare nuk mund t’i bëjë ballë asnjë fuqi botërore sado e madhe antipopullore e fashistonaziste!
Kurrë më parë si në Luftën e Dytë Botërore për mposhtjen e bishës hitleriane nuk është parë solidariteti i popujve dhe bashkimi i forcës së tyre drejt qëllimit të madh: çlirimit nga bisha naziste! Kohët kanë treguar se fitoren mbi fashizmin e kalojnë në dhe me heshtje shtetet që janë në shërbim të luftës e të fashizmit! Shqipëria e vogël, populli i saj dhe Ushtria Nacionalçlirimtare e tij, udhëhequr nga Enver Hoxha, u bë pjesë e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror dhe ka dhënë kontributin e saj në mposhtjen e nazifashizmit. Ai që lufton për lirinë e atdheut të tij, thoshte Viktor Hygoi i Madh i Francës, edhe mund të vdesë, po kush nuk lufton për lirinë e tij është i vdekur! Jetët e dëshmorëve të Atdheut tonë, thoshte Enver Hoxha, na kujtojnë se liria e tij ka kushtuar shtrenjtë! Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
Lufta e ashpër kundër pushtuesve në malet, luginat, fshatrat, qytetet, në çdo pëllëmbë të territorit të Shqipërisë është një sakrificë e madhe, por edhe një frymëzim i madh. Kështu që në këtë 9 Maj theksoj se antifashizmi, liria dhe vlerat demokratike qëndrojnë në themelet e Shqipërisë evropiane, një anëtare e denjë e NATO-s, kontribuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë e në botë dhe promotore e zhvillimit, integrimit dhe bashkëpunimit në rajon.
