Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bashkë me Drejtuesin Politik, Damian Gjiknuri dhe Kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi, zhvilloi një bisedë me fermerët e Kushovës, një zonë e njohur për kultivimin e livandos, një bimë medicionale e kërkuar mjaft nga tregjet e huaja.
Rreth 80% e familjeve në këtë zonë e kanë të lidhur ekonominë familjare ngushtësisht me livandon, të cilën e kultivojnë e grumbullojnë në një sipërfaqe prej 400 hektarësh që shtrihet në gjithë Kushovën.
Gjatë këtij bashkëbisedimi u diskutua mbi sfidat e sektorit dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve të grumbullimit, magazinimit dhe përpunimit, për të rritur vlerën dhe cilësinë e produktit.
Ministrja Denaj u shpreh se në Skemën Kombëtare të këtij viti, i jemi përgjigjur nevojave imediate të sektorit duke shtuar masën e financimit për Bimët Aromatike dhe Medicinale, me 30 mijë lekë për hektarë dhe synojmë ta zgjerojmë edhe më tej mbështetjen tonë me ndërtimin e politikave efikase promovimin dhe financimin e sektorit.
“Duhet t’a adresojmë, sepse duhet patjetër që kjo pasuri kombëtare, që në tregjet ndërkombëtare shitet shumë shtrenjtë, të mos shitet lirë, të mos rrijë e pambjellë, por njëkohësisht të filloj të përpunohet. Kështu që gjithë industria e përpunimit të bimëve medicinale është ajo që ne duhet t’a vendosim në fokus dhe unë si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e kam prioritare. Kjo ishte arsyeja pse ne filluam të subvencionojmë këtë vit skemën e bimëve aromatike dhe medicinale”, tha Ministrja Denaj.
