Sot shënohen plot 33 vite nga masakra e 2 prillit e vitit 1991. Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, rrëfen ngjarjet e 2 Prillit të vitit 1991, ku gjatë një proteste në qytetin e Shkodrës, mbeti i vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka. Asokohe zoti Xhafa, me urdhër të ish-presidentit Ramiz Alia, ka shkuar në Shkodër për të qetësuar situatën 2 ditë pas manifestimit të Partisë Demokratike kundër zgjedhjeve të 31 marsit të vitit 1991, që i fitoi Partia e Punës së Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ish-funksionari i lartë i PPSH zbuloi se Sali Berisha me ndihmën e UDB-së e KGB-së organizoi revoltën e 2 Prillit dhe vrasjen e Arben Brocit dhe të tre të rinjve të tjerë, ndërsa sipas tij, tentoi të shpallte Shkodrën Republikë. Madje zoti Xhafa theksoi se, pasi PD erdhi në pushtet, organizoi gjyqin e 2 Prillit, ku sipas tij, arrestoi shumë të pafajshëm për vrasjet, të cilat i kishte organizuar vetë. Ndër të tjera gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Xhafa zbulon se çfarë bisedoi me Ramiz Alinë, Xhelil Gjonin, Tereze Marubin dhe Gëzim Podgoricën pas ngjarjes së 2 prillit 1991.
-Zoti Xhafa, sot bëhen plot 33 vjet nga mitingu a ngjarja tragjike e 2 prillit 1991 në Shkodër. Ju keni shkuar në Shkodër më pas dy ditë, domethnë në 5 prill 1991. Si e vlerësoni atë ngjarje?
I nderuar Rigels Seliman, unë kam plot gjëra për të thënë për mitingun e 2 prillit të vitit 1991, po dua të bëj të qartë se disa gjëra për të cilat më keni bërë pyetje (faleminderit që m’i dërguat përpara) i kam të dëgjuara prej njerëzish të mençur të Shkodrës, jo të jetuara vetë, pavarësisht se kam dhënë për to edhe mendimet e vlerësimet e mija. Dy prillin e vitit 1991, unë e çmoj një ngjarje tragjike, të organizuar nga PD-ja dhe forcat e tjera të reaksionit, në radhë të parë, për familjet e të vrarëve, por edhe për familjet e tjera të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Si sot kujtoj se kur arrita në Shkodër në mëngjesin e 5 prillit 1991, ishin të freskëta si gjurmët e ngjarjes tragjike të 2 prillit 1991, ashtu edhe vlerësimet e njerëzve të mençur të Shkodrës, të cilët thoshin se pretendimet e PD-së e të partive të tjera të opozitës për parregullsi janë të pavërteta. Për më tepër që zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991 për Kuvendin e Shqipërisë, të fituara nga Partia e Punës, ishin vlerësuar të rregullta nga vëzhguesit e huaj. Gjithashtu, mendoj se duhet çmuar normal si mitingu i protestës i partive të opozitës i 1 prillit 1991 (opozita e ka detyrë të kundërshtojë), edhe qëndrimi korrekt i forcave të rendit ndaj atij mitingu. Ne vlerësimin e atij mitingu nuk duhet harruar se ishte i paligjshëm!
– PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës përse thoshin se zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991 për Kuvendin e Shqipërisë nuk ishin të rregullta?
Se përse ato kanë mendimin e vet, por unë mendoj se PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës thoshin se zgjedhjet e 31 marsit 1991 nuk ishin të rregullta, jo se nuk e dinin të vërtetën, po sepse u kishin premtuar “ustallarëve” të tyre, që ato zgjedhje do t’i fitonin dhe, në se jo, nuk do t’i njihnin të vleshme, duke nxjerrë për to lloj-lloj yçklash. I nderuar Rigels Seliman, ky qëndrim mendoj se tregon që PD-së i qe premtuar copë e majme nga ata që urrenin rendin socialist, PPSH-së dhe Enver Hoxhën! Se, po t’i kishin fituar PD-ja me partitë e tjera të opozitës zgjedhjet kuvendore të 31 marsit 1991, ato nuk do të kërkonin të bëhej miting proteste as më 1 prill 1991, as, jo e jo, më 2 prill 1991. Se, po t’i kishin fituar PD-ja me partitë e tjera të opozitës zgjedhjet kuvendore të 31 marsit 1991, miting do të bëhej, madje miting i madh dhe në Tiranë, por jo për të protestuar, po për të festuar.
– Kush dhe përse qenë kundër mitingut të 1 prillit 1991?
Kundër qenë organet drejtuese të PD-së e të partive të tjera të opozitës në qendër, si dhe reaksioni antishqiptar, sepse mitingu i 1 prillit 1991 duhet të kishte qenë më i ashpër, me gjak. Kjo besoj se ishte “arsyeja” kryesore që PD-ja me partitë e tjera të opozitës dhe me reaksionin antishqiptar dhanë urdhër të përsëritej, jo më larg në kohë, po të nesërmen, mitingu i 1 prillit 1991. Mbase ato e kanë marrë atë vendim me kokën e vet, po unë them se urdhrin ia kanë dhënë “dirigjentët” nga jashtë. Ato ditë flitej plot hare nga njerëz të opozitës se turma e stërmadhe e njerëzve të mitingut të protestës së 2 prillit 1991, iu drejtua ndërtesës së Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, hodhi parulla separatiste, gjuajti ndërtesën me gurë e me sende të tjera të forta, theu xhamat e saj etj. dhe se forcat e rendit nuk ndërhynë fare. Kur një grup i asaj turme të stërmadhe hyri me forcë në Selinë e Komitetit të Partisë të rrethit, i vuri zjarrin asaj dhe bëri gjithçka mundi tjetër, atëhere kanë ndërhyrë forcat e rendit publik të Shkodrës për të shpërndarë turmën, sepse kishin detyrë të siguronin Selinë e KP të rrethit, mitingun e opozitës, rendin e qetësinë e popullit dhe që gjërat të mos binin në duart e njerëzve me ndërgjegje të turbulluar. Tamam në atë moment janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe kanë mbetur të vrarë katër të rinj shkodranë, ndër ta Arben Broci, veprimtar i njohur i PD-së. Ky pra ishte skenari i PD-së, i partive të tjera të opozitës dhe i reaksionit antishqiptar. Më kujtohet mirë që ato ditë, për të qetësuar gjendjen, Komiteti Organizator i Partisë i rrethit të Shkodrës, dërgoi në familjen Broci, anëtarin e tij, shkodranin Shaqir Vukaj, për të ngushëlluar në emër të Partisë e të popullit të Shkodrës dhe, siç tha Shaqiri kur u kthye, e kishin pritur ashtu si i kishte hije një familjeje shkodrane.
– Si e priti PD-ja me partitë e tjera të opozitës ngjarjen e 2 prillit 1991?
Populli e priti edhe i revoltuar, edhe me keqardhje, ndërsa PD-ja me partitë e tjera të opozitës dhe me reaksionin antishqiptar e pritën si realizim të qëllimit të mitingut të 2 prillit 1991. Për masakrën që vetë organizuan dhe vetë realizuan vetë, ato akuzuan Partinë e Punës, por kudo thuhej e flitej se nuk ishte drejtësia, po PD-ja me “bijat e saj” ajo që përcaktoi “fajtorët” e ngjarjes tragjike të 2 prillit 1991, se ishte jo populli i Shkodrës, po PD-ja me të sajtë ajo që ndërmori aksionin për të fshehur gjurmët dhe për t’ia faturuar përgjegjësinë të tjerëve! Edhe herë të tjera ka pasur përpjekje për të fajësuar Partinë e Punës dhe pushtetin popullor në qendër, por kjo nuk është arritur, sepse asnjëherë opozita nuk ka pasur të drejtë. Sikur zgjedhjet me Partinë e Punës të bëheshin edhe një mijë herë të tjera, PD-ja dhe opozita do t’i humbisnin ato.
– Po gjyqi i 2 prillit 1991, kurë është bërë, zoti Muharrem?
Gjyqi i 2 prillit 1991 është bërë kur PD-ja dhe opozita me Berishën “erdhën” në pushtet, me zgjedhjet e 22 marsit 1992. Unë nuk kam qenë në gjyqin që u bë për 2 prillin e 1991-it, në mos gaboj më 1992-in, sepse s’kisha të bëja me ngjarjen, por e kam ndjekur atë me shumë vëmendje në Tiranë. Për mendimin tim, ai gjyq i la të lirë shkaktarët e vërtetë të djegieve dhe vrasjeve dhe dënoi me porosi e me hamendje disa nga drejtuesit kryesorë të organeve të rendit të rrethit dhe Sekretarin e Parë të KP të rrethit të Shkodrës, shokun Xhemal Dymylja. E di që kjo çështje është kompetencë e gjykatës, jo imja, por publikut i duhet thënë se gjyqi i 2 prillit 1991 u keqpërdor nga PD-ja. Shumë njerëz që i ndoqën seancat e atij gjyqi, e kuptuan se ishte gjyq për t’ia veshur fajin dikujt. Asokohe organet e drejtësisë merrnin urdhra nga Sali Berisha, ish President i vendit. Dua të rithem se asnjërit prej atyre që ishin shkaktarë të vërtetë të djegieve dhe vrasësve të djemve të Shkodrës nuk u hyri gjemb në këmbë, edhe pse flitej hapur që ngjarja tragjike e 2 prillit 1991 u organizua nga PD-ja me partitë e tjera të opozitës, në bashkëpunim të ngushtë me reaksionin e brendshëm dhe të jashtëm antishqiptar. Ngjarja tragjike e 2 prillit 1991 i shkonte për hosh Jugosllavisë dhe Millosheviçit, Federata e së cilës kishte nisur të shpërbëhej dhe Kosova ishte ngritur dhe bënte luftë me armë kundër Federatës së Jugosllavisë dhe kërkonte liri e pavarësi kombëtare, i shkonte për hosh Greqisë, dmth fqinjve tanë të Veriut e të Jugut, por edhe më të largëtëve, agjentët e të cilëve, mendoj se ishin aktivë jo vetëm në Shkodër, po në gjithë Shqipërinë. Rigels, 2 prilli i vitit 1991 bën apel për vigjilencë, siç bën sot thirrje për vigjilencë 11 janari i vitit 2011 dhe Gërdeci, etj, etj.
– Përse Ramiz Alia vendosi të të dërgojë ty në Shkodër dhe jo ndonjë shkodran tjetër, kur kishte plot shkodranë të zgjedhur në Forumet Qendrore të Partisë së Punës?
Saktë, unë këtë nuk e di. Saktë di të them se jam ngarkuar të shkoj në Shkodër. Saktë di të them që Ramiz Alia më ka thirrur mua në zyrën e tij, më 4 prill 1991 në mëngjes. Saktë di të them se me ngjarjen tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër jam njohur në lajmet e darkës dhe më gjerë akoma të nesërmen, më 3 prill 1991, në Tiranë. Saktë di të them se kur më thirri Ramiz Alia, më bëri një paraqitje më të plotë për çfarë kishte ndodhur në Shkodër më 2 prill dhe më komunikoi në vijim vendimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës për të shkuar në Shkodër. Po kështu, di të them saktë se biseda në zyrën e Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, nuk është zhvilluar qetë, siç mund të mendojë ndokush. Kur i thashë shokut Ramiz Alia se në Komitetin Qendror të PPSH-së të dalë nga Kongresi i Nëntë i PPSH-së ju keni zgjedhur nja 11 vetë shkodranë, të cilët mund të shkonin në Shkodër dhe se po të jetë për të lënë kokën, e lë kokën në Krujën time, ai më dëgjoi, por u ndje keq dhe u “ndez” keq! Nejse, kjo është histori e gjatë…..! Për hir të së vërtetës, Ramiz Alia më dha kompetenca të plota për të vepruar në Shkodër. Po ashtu, më porositi të merresha me qetësimin e situatës në popull, me rritjen e besimit te Partia e Punës dhe pushteti popullor, me riorganizimin e Partisë atje, e cila kishte dalë jashtë kontrollit, me vendosjen e rendit e të qetësisë në Shkodër, me shpërndarjen zyrtarisht të Plenumit të Partisë të rrethit dhe me ngritjen e një Komiteti Organizator të Partisë të rrethit me mua në krye. Në takimin me Ramiz Alinë ishin të pranishëm edhe Tereze Marubi, aso kohe kryetare e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës (ndjesë pastë), edhe Gëzim Podgorica, aso kohe drejtor i Radio-Shkodrës. Nga fundi erdhi edhe shoku Xhelil Gjoni, sekretar i KQ të PPSH-së. As sot nuk e di se për ç’arsye Ramiz Alia i kishte thirrur para se të më thërriste mua këta dy kuadro të rëndësishëm të rrethit të Shkodrës, të cilët aty i gjeta dhe aty i lashë.
-Ju nuk i thatë asgjë kryetares, Tereze Marubit, në zyrën e shokut Ramiz Alia?
I thashë, madje shumë gjëra. Ndër të tjera po përmend se i propozova të bëhej ajo Drejtuese e Parë e Partisë e rrethit, ndërsa unë të shkoja kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, se kam qenë, i thashë Terezës, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Krujës më 1970-n. Tereza jo vetëm që nuk pranoi, por tha se Shkodra të njeh e të do ty dhe shtoi se do të të mbështes pa rezerva. Ramiz Alia e dëgjoi dialogun mes meje e Terezes, po as ndërhyri dhe as e mbështeti propozimin tim. Rigels, sot duket si përrallë kjo që po ju them, po në atë situatë nuk ishte e lehtë të shkoje në Shkodër, pa lëre të hyje në qytetin e Shkodrës!
– Vetëm ke shkuar në Shkodër apo ka patur edhe të tjerë?
I ngarkuar me vendim të udhëheqjes së lartë të Partisë kam qenë vetëm unë, por ka patur edhe shokë të tjerë. Për shembull, tek sa ishim në këmbë te dera e zyrës se Ramiz Alisë, i cili po më përcillte, i thashë: – Shoku Ramiz, dua të marr me vehte në Shkodër edhe Tonin Shtjefnin, të cilin ai e njihte mirë, sepse Tonini punonte bashkë me mua në sektorin e Edukimit të KQ të PPSH-së. Kur shoku Ramiz m’u përgjigj: Merre, po pse? – I thashë se Tonini është nga një familje me origjinë katolike, e njohur në qytetin e Shkodrës dhe e njeh më mirë Shkodrën. Pasi i thashë këto, le të themi, argumente, Ramiz Alia më tha se e paske menduar drejtë, ndaj merre! Ndjesë pastë, kur ia thashë Toninit këtë vlerësim të Ramiz Alisë, i erdhi mirë dhe, për hir të së vërtetës, ka luajtur rol të madh për uljen e tensioneve në Shkodër. Rigels, po të flas për këto raste tensionesh, duhet një intervistë tjetër! Eh, sa i mirë e besnik ishte Tonin Shtjefni! I kujdesshëm, Xhelil Gjoni, sekretar i KQ të Partisë së Punës dërgoi në Shkodër për të ndihmuar edhe dy instruktorë nga më të aftët të Aparatit të KQ të PPSH-së, shokët Jovan Bizhyti dhe Vasfi Jahollari. Po njeriu që më ka qëndruar përherë pranë e besnik ka qenë Fetah Vika, shoferi, tiranas.
– Ndonëse kanë kaluar shumë vite, a kujtoni gjë nga puna juaj në Shkodër?
Është e vërtetë që kanë kaluar shumë vite, por shënimet e mbajtura në atë kohë e freskojnë kujtesën, apo jo? Madje, edhe gjatë përgatitjes së intervistës në bazë të pyetjeve tuaja jam konsultuar me një shok të zgjedhur aso kohe, anëtar i Komitetit Organizator të Partisë të Shkodrës i 5 prillit 1991. Sepse as mund të mbahen mend të gjitha, as mund të mbahen shënim të gjitha, as mund të shkruhen e të thuhen të gjitha. Po para se t’i përgjigjem pyetjes suaj themelore, më lejo të lutem, të bëj një saktësim për datën e shkuarjes në Shkodër. Disa herë e në mënyrë të përsëritur, unë ju kam thënë se kam shkuar në Shkodër, më 5 prill 1991. Në librin tim “Në mbrojtje të së vërtetës”, botim i vitit 2021, faqe 301, etj, është shkruar se kam shkuar në Shkodër, më 4 prill 1991. Kjo nuk është e vërtetë. Mbase, për publikun si me 4 prill 1991, si me 5 prill 1991 nuk ka ndonjë rëndësi, po unë e pashë me vend ta bëj këtë saktësim! Vijmë te pyetja juaj. Përveç sa kam thënë në përgjigje të pyetjeve tuaja, kujtoj dhe gjëra të tjera. Për shembull, sapo hyra në qytetin e Shkodrës, më 5 prill 1991 në mëngjes, u ndala pak përballë ndërtesës së Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, të cilën e njihja mirë. Siç më ishte thënë, ajo digjej dhe dilte dritaresh tym i zi. Me këtë përshtypje të keqe dhe plot emocione të këqija shkova direkt e në zyrën e kryetares së Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Tereze Marubi, të cilën e gjeta në zyrë. Ajo më priti mirë dhe më njohu me gjendjen ekonomike e moralo-politike të rrethit. Po ndërsa bëheshim gati me Terezën të shkonim atje ku ishte akomoduar Xhemal Dymylja, kujtoj se hyri në zyrën e saj Shaqir Vukaj. Pasi Shaqiri iku, e pyeta Terezen : – Ku punon shoku Shaqir? – E kam vënë të punojë si përgjegjës në Sektorin Shkencor të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit – m’u përgjigj ajo. – Pse, a e njeh? – më pyeti Tereza. I thashë se për Shaqir Vukajn kam dëgjuar fjalë të mira si diplomat dhe si një ndër intelektualët e shquar të rrethit të Shkodrës. Si i tillë Shaqir Vukaj u zgjodh anëtar i Komitetit Organizator të Partisë, më 5 prill 1991. Ndërsa, më 8 qershor të vitit 1991, Konferenca e Partisë së Punës e rrethit të Shkodrës, e cila u mblodh në Teatrin “Migjeni”, e zgjodhi Sekretar të Parë të KP së Punës të rrethit, ndërsa sekretar i KP të rrethit u zgjodhi shoku Sadedin Stankaj, edhe ky ish anëtar i zgjedhur në Komitetin Organizator të Partisë të rrethit, më 5 prill 1991. Unë nuk e dija se ku ishte sistemuar shoku Dymylja, por u nisëm dhe shkuam me shoqen Tereze Marubi, atje ku ishte Xhemal Dymylja, të cilin kisha porosi nga shoku Ramiz Alia ta takoja dhe ta vija në dijeni për vendimin e udhëheqjes së lartë të Partisë. Pasi u përshëndetëm, i fola shokut Xhemal për vendimin e udhëheqjes së lartë të Partisë, por vura re se ai e priti atë krejt qetë (si duket ishte në dijeni). Po unë, pavarësisht kësaj, ia thashë të gjitha, nisur me shkarkimin e tij nga detyra e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të Punës të rrethit të Shkodrës, shkarkimin e sekretarëve të tjerë të Komitetit të Partisë të rrethit, shpërndarjen e Plenumit të Partisë të rrethit, ngritjen e Komitetit Organizator të Partisë të rrethit dhe me vendimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës për të qenë unë në krye të tij. Në mjedisin ku na priti shoku Xhemal Dymylja ishte e pranishme vetëm Tereze Marubi. Në fakt, Tereza kishte dijeni për ato që i thashë Xhemalit. Ramë dakord që mbledhjen për të komunikuar masat e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës ta bënim në pasditen e datës 5 prill 1991, në sallën e Kabinetit Pedagogjik të Shkodrës, e njohur si shtëpia e Dan Hasanit, e cila shërbeu për dy a tre ditë si Zyrë e Partisë, pastaj u gjet një godinë tjetër, ajo e Komitetit Ekzekutiv të Qytetit të Shkodrës dhe mbledhjen ta hapte shoku Xhemal Dymylja.
– Ç’kujtoni për mbledhjen e 5 prillit 1991?
Kujtoj që shoku Xhemal Dymylja erdhi në mbledhje, ndryshe nga shumë të tjerë anëtarë të Plenumit të KP të Shkodrës, që, ose nuk kishin mundur të vinin në mbledhje, ose nuk kishin dashur të vinin. Në frymë autokritike për çfarë kishte ndodhur, shoku Xhemal hapi mbledhjen, më prezantoi mua dhe më dha fjalën. Në fjalën time, kujtoj njohjen që u bëra të pranishmëve me përmbajtjen e vendimit të udhëheqjes së lartë të Partisë. Në mbledhje, më shumë vend u dhamë detyrave për qetësimin e gjendjes, për rritjen e besimit te Partia e Punës dhe pushteti popullor, organizimit të Partisë së Punës dhe përzgjedhjes së anëtarëve të Komitetit 0rganizator të Partisë. Në fakt, emrat i patëm menduar e hartuar më parë me Tereze Marubin, në zyrën e saj, por ia bëmë të ditur edhe shokut Xhemal Dymylja, i cili qe dakord. Po atë ditë kam takuar e kam biseduar me shokun Sadedin Stankaj për gjendjen e Partisë të rrethit të Shkodrës. Sadedini ishte ndër punonjësit e aparatit të Komitetit të Partisë të rrethit, që as u tremb dhe as u tërhoq nga detyrat, edhe pse në Shkodër kishin ndodhur tërë ato gjëra. Pastaj, po atë ditë kam shkuar me shokun Sadedin Stankaj dhe jam sistemuar në hotelin “Rozafa” të Shkodrës. Kujtoj se me Sadedin Stankajn kam shkuar për vizitë në shtëpinë e Asim Shaban Metanit, në lagjen “Pjacë” të qytetit të Shkodrës, djalë i guximshëm, me të cilin, për shkak të një lidhjeje miqësore krushqie, pushimet e Verës i kalonim së bashku në Burizane të Krujës, ku unë banoja. Herë-herë edhe në shtëpinë e tij në Shkodër. Duke ecur nëpër qytet, kujtoj se muret e qytetit të Shkodrës ishin “mbushur” me parulla në të cilat shkruhej se PPSH-ja është “vrasëse”, se Gramoz Ruçi (i sapo emëruar ministër i Brendshëm) është “vrasës” etj.. etj.. Kujtoj si tani bujarinë e përkrahjen e sinqertë që më është dhënë ditët që qëndrova në Shkodër nga Tereze Marubi e shokët e mi Shaqir Vukaj, Sadedin Stankaj, Mina Gera, Dashamir Dini, plaku i urtë Çun Jonuzi, ndjesë pastë, në shtëpinë e tij në Koplik, Col Cufi, ndjesë pastë, po në Koplik, Adem Vokshi në qytetin e Shkodrës, si dhe Fadil Kraja, Hysë Zaja, Vasfi Duka, Halil Vogli, ndjesë paçin etj. Nuk harroj Palin, Dilaverin, Gjekën e kuadro të tjerë të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës. Ndjej peng që nuk munda të takohesha me ish kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi, ndjesë pastë, për arsye se ishte i sëmurë. Kujtoj me nostalgji takimin e organizuar ato ditë me studentë e pedagogë në një nga sallat e Institutit Pedagogjik të Shkodrës.
– Për mbledhjen pluraliste të partive politike të Shkodrës, më 6 prill 1991, çfarë kujton?
Kujtoj që ajo mbledhje iu kushtua qetësimit të situatës në Shkodër dhe që u zhvillua nën drejtimin e kryetares së Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, Tereze Marubi. Unë përfaqësoja PPSH-së, PDSH-së e përfaqësonte Blerim Çela, Partinë e Punës të Shkodrës e përfaqësonte Shaqir Vukaj, ndërsa PD-në e Shkodrës e përfaqësonte, kryetari i saj, Pjetër Arbnori, ndjesë pastë. Kishte edhe të tjerë, po që as nuk i mbaj mend dhe as nuk i kisha shënuar. Në atë mbledhje debatet qenë të fortë. Drejtuesit e PD-së të Shkodrës, Pjetër Arbnori, Ali Spahia etj, flisnin në mbledhje me zë të lartë e me mllef, por pa fakte e argumente, se Arben Brocin me shokë i vranë Partia e Punës dhe pushteti popullor i asaj kohe. Ndryshe flisnin pjesëmarrësit e tjerë të mbledhjes, të cilët thoshin me plot besim se vrasjet u kryen nga PD-ja e opozita e kohës, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, si UDB-ja e KGB-ja. Mirë kujtoj takimet në Shkodër me shokët Hajredin Shyti dhe Vehip Proda (ky ishte edhe në mbledhjen e partive politike më 6 prill 1991) ndjesë paçin, të dy kuadro kryesorë të Ministrisë së Brendshme.
– Kam dëgjuar se gjatë kohës që ke qenë në Shkodër ke pasur një takim “kokë më kokë” me Ramiz Alinë, ish Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së?
Po, kjo është e vërtetë. Në pasditen e 8 prillit 1991, Xhelil Gjoni thotë në telefon se më 9 prill 1991 të kërkon shoku Ramiz Alia në mëngjes, në Tiranë, për t’i raportuar atij për gjendjen në Shkodër. Në fakt, biseda ishte e gjatë, mbi një orë, ndaj po them vetëm një detaj: Kur hyra në zyrën e tij, pa u ulur akoma, shoku Ramiz Alia pyeti : – Muharrem, çfarë kërkon Shkodra? Populli i Shkodrës, shoku Ramiz, ju kërkon juve të vini në Shkodër – i thashë. Nejse…… Po atë ditë, pasdite, jam kthyer në Shkodër.
-Pyetja e fundit. A kujton gjë se ku haje dhe flije?
Siç kam thënë më parë, flija në hotel “Rozafa”. Nja dy net ka fjetur në një dhomë me mua, edhe Tonin Shtjefni. Më pas, e “imponova” të shkonte në shtëpinë e tij. Ai kishte gjallë edhe prindërit. Në fakt, Tonini nuk donte të shkonte, por nuk ma prishi, shkoi. Nja dy herë për darkë (jo për të fjetur) kam shkuar edhe unë, më shumë për të biseduar për gjendjen e acaruar në Shkodër me babën e Toninit, Kolë Shtjefnin, burrë i mençur dhe i shtruar, po edhe për t’i shkuar fjalën shokut tim. Asnjë here nuk m’u nda Fetah Vika, shoferi besnik! Për të ngrënë, në darkë sidomos, kam qëndruar në një aneks a dhomë të restorantit të hotel “Rozafa”-s, ku vinin plot intelektualë e artistë për të biseduar, me bindje të ndryshme politike dhe të acaruar. Po edhe provokatorë! Ka rastisur të kem ngrënë “drekë” (në zyrat e tyre) edhe me shokë drejtues të Degës së Punës të Brendëshme të rrethit të Shkodrës. I nderuar Rigels, ju fola shkurt e në përgjithësi për ngjarjen tragjike të l2 prillit 1991 në Shkodër, për shkuarjen time atje, si edhe për punën e bërë në Shkodër. Kush ka dëshirë të dijë më shumë, mund të shfletojë librin tim “Kur tradhtohej socializmi”, botuar në vitin 2010.
Intervistoi: Rigels Seliman
