Industria e biznesit fason prej kohësh ndodhet në një krizë ekonomike, duke sjellë edhe mbylljen e vendeve të punës. Vetë kryeministri, Edi Rama, në 13 janar tha se biznesi fason është në një “vdekje klinike” dhe kërkoi që kjo industri të gjejë rrugët për t’ju përshtatur tregut. Në një studio televizive, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj dhe kreu i shoqatës ‘Pro Eksport Albania’, Edvin Prençe diskutuan mbi problemet me të cilat po përballen fasoneritë në vend dhe politika që mund të funksionojnë si zgjidhje të mundshme. Teksa dha disa prej shifrave lidhur me personat që rrezikohen nga falimentimi i bizneseve fason, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj theksoi se kryeministri duhet të kuptojë se ristrukturimi i ekonomisë nuk bëhet me urdhër, por sipas rregullave që i përcakton tregu. “E para të thuash ‘vdekje klinike’ është e rëndë. Është e frikshme kur shikon shifrat. 75 mijë persona janë drejtpërdrejt të punësuar, por janë edhe 60 mijë që janë pjesë e zinxhirit. 130 mijë veta me 3.5 pjesëtarë që ka një familje janë 400 mijë veta që rrezikohen në sektorin e fasonëve. Ideja që duhet ndarë me kryeministrin është që ristrukturimi i ekonomisë nuk bëhet me urdhër por sipas disa rregullave që i përcakton tregu”, deklaroi ai. Më tej ish-ministri Malaj theksoi se shkak për rënien e vlerës së euros përballë lekut, që konsiderohet një prej shkaktarëve të krizës së fasonëve, ka ndodhur jo vetëm për shkak të turizmit por edhe nga dështimi i strategjisë së Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave. “Shoqata e ekspertëve nuk kërkuan ndryshim të kursit të këmbimit. Ne të gjithë duhet të jemi fajtor. Ekspertët po dënohen shumë nga dështimi i strategjisë së bërë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave që është strategjia e deeuroizimit”, u shpreh ai. Po ashtu, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj pasi tha se duhej që ristrukturimi i biznesit fason të ndodhte komfort tregut dhe jo me urdhër, foli gjithashtu edhe për një skemë të mundshme që qeveria mund të përdorë për të ndihmuar fasonerit. Malaj theksoi se shteti nuk duhet të përjashtojë dhënien e ndihmës për biznesin fason, pasi një politikë e tillë nuk e deformon tregun. “Qeveria ka për detyrë, rritjen e aksesit në burimet financiare, nuk imponon normat e interesit, por mund të përdorë më mirë ndihmën financiare të përkohshme. Ose dhe të vendosë një normë amortizimi të përshpejtuar. Duhet një paketë e plotë nga qeveria. Kur thua që në fillim “vdekje klinike” dhe nuk japim serume, duhet të kemi parasysh se, Thesari i Shtetit në SHBA i dha ndihmë “General Motors” kur ishte në krizë, pra ka instrumente që nuk e deformojnë tregun. Kjo ka kosto. Por a ka kosto më të madhe që të rrezikohen kaq shumë veta? Këta kërkojnë politika, por bizneset fasonë do t’i shkatërrojë inovacioni nuk arrijnë të konkurrojnë”, nënvizoi ish-ministri Arben Malaj.
Kriza, shoqata e fasonëve paralajmëron shkurtim të vendeve të punës
Nga ana tjetër, kreu i shoqatës “Pro Eksport Albania”, Edvin Prençe paralajmëroi se nëse deri në qershor qeveria nuk merr masa, mund të ketë 20 mijë të larguar nga puna në industrinë e bizneseve fason. “75 mijë persona punëson sektori fason në Shqipëri. 650 milionë euro e mbylli vitin e kaluar faturimin. Zë 40 të eksporteve “Made in Albania”. 740 biznese janë në rrezik nëse qeveria nuk reagon. 3 mijë vende pune janë mbyllur prej datës 4 janar. Nëse vazhdojmë me këtë trend, do të ketë deri në 20 mijë largime. Shkaku kryesor është kursi i këmbimit. Nuk dua t’i hyj arsyeve pse ka rënë, por shifra ka rënë 16%. Është gjëja më e gabuar që mund të thuash që ky sektor ka vdekur. Paga mesatare e jona shkon 40-45 mijë lekë”, deklaroi ai, Po ashtu, Prençe shtoi se bizneset fason nuk kërkojnë lëmoshë por kredi të buta nga qeveria. në mënyrë që të bëjnë investime për modernizimin e impianteve prodhuese dhe rritjen e cilësisë.
Kriza e fasonerive, Prençe: Jemi në kufijtë e mbijetesës
Ndër të tjera kreu i shoqatës “Pro Eksport Albania”, Edvin Prençe theksoi se biznesi fason nuk kërkon lëmoshë nga qeveria por marrjen e kredive të buta. “Nuk po kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të marrim kredi të buta të kemi mundësi të bëjmë investimet e nevojshme. Vjen si pasojë e mungesës së theksuar të fondeve të likuiditetit që vjen pas tërmetit dhe pandemisë dhe tani fasoneritë janë në kufijtë e mbijetesës. Kredia do përdoret për modernizimin e impianteve prodhuese. Automatizimin, rritjen e cilësisë, promovimi që deri më tani nuk është bërë. Ky promovim na jep mundësinë që me fondet e qeverisë të promovojmë së pari Shqipërinë dhe më pas atë aktivitetin tonë”, u shpreh ai. Ndërsa më tej, teksa u pyet mbi kursin e këmbimit valutor, zoti Prençe theksoi se kriza mund të zgjidhej nëse kursi do të rikthehej siç ishte por theksoi se një rënie e tillë nuk lidhet vetëm me performancën ekonomike të vendit. “Unë nuk jam ekspert, por mendoj se një trend i rënies kaq të fortë më duket e pamundur dhe nuk mendoj se ka qenë performanca ekonomike që e ka çuar kursin në këtë situatë”, nënvizoi kreu i shoqatës “Pro Eksport Albania”, Edvin Prençe.
