Kreu i Nisma Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka paralajmëruar “ditë të zeza” për politikanët e rangut të lartë që kanë dominuar në këto 30 e kusur vite demokraci në Shqipëri, si kryeministri Edi Rama, ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. I guximshëm dhe drejtpërdrejtë në atë që thotë, zoti Shabani akuzon hapur trekëndëshi Rama-Berisha-Meta se i kanë shkaktuar vetëm vuajtje popullit shqiptar, ndërkohë që paralajmëron se pas kreut të Rithemelimit do të arrestohen ish-presidenti dhe kryeministri aktual. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Shabani akuzon hapur ish-kryeministrin Berisha se ka vrarë protestuesit në mes të ditës në bulevard dhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta se ka grabitur floririn e Krrabës. Sipas tij, ndëshkimi i Sali Berishës nga drejtësia tregon se Shqipëria po çlirohet dhe se në vend ka trokitur pandëshkueshmëria. Madje gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, kreu Nisma Thurje, Endri Shabani thekson se arrestimi i treshes Berisha-Meta-Rama do t’i hapë rrugë fundosjes së disa pronarë mediesh, oligarkësh e njerëz të fuqishëm të krimit.
-Zoti Shabani, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për vulën e PD dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me një trupë tjetër. Kjo është një fitore e vogël për Berishën që kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të 3 marsit të Apelit. Tashmë vula nuk është më në dorë të Bashës deri në një vendim të dytë të Apelit edhe pse ai në gjykatë figuron kryetar i PD. Si e shikoni këtë vendim?
Partitë Politike janë organizime vullnetare, dhe për pasojë nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike. Por si vëzhgues i jashtëm besoj se kjo çështje duhet të ishte zgjidhur nga drejtësia deri tani. Këto lloj zvarritjesh që në fakt qytetarët shqiptarë i hasin përditë në dyert e gjykatave, ndër të tjera tregojnë edhe sëmundjen kronike të drejtësisë.
-Për Sali Berishën është vendosur masa e arrestit në shtëpi me policë të dera dhe kontakte vetëm me familjarët. Mendonit se do të vinte kjo ditë për Sali Berishën, apo ky është fillimi për të për të gjithë të zezat që ka bërë?
Rotacioni i klasës politike ka nisur. Dhe ky rotacion nuk do niste ndryshe përveçse me vënien para drejtësisë të atyre që kanë ndërtuar këtë makineri 30 vjeçare, që e ka rrënuar këtë shtet. Kështu që padyshim që ky është vetëm fillimi i fundit për këtë klasë politike dhe fillimi i një Shqipërie krejt ndryshe nga ajo që kemi parë deri më sot.
-Çfarë na pret politikisht në 2024, si e shikoni opozitën me ikjen e Sali Berishës?
Opozita në një vend demokratike luan disa funksione kyçe. E para është të monitorojë punën e qeverisë, dhe të kallëzojë në prokurori çdo rast të abuzimit me pushtetin. E dyta, opozita ka detyrën të japë alternativë qeverisëse, duke dërguar në parlament projektligje alternative nga ato që sjell mazhoranca qeverisëse. E treta, opozita ka për detyrë të shërbejë si pasqyrë morale, ku përmes kontrastit votuesi të shohë korrupsionin e qeverisë. E katërta, opozita ka funksionin e dhënies së një qeverie në hije, duke mbajtur gjallë shpresën e votuesve se në zgjedhjet e ardhshme ata do kenë mundësi të kenë një qeveri më të mirë se kjo që kanë. Të gjitha këto funksione sot janë pamundësuar prej hallit personal të Sali Berishës, dhe mendësisë staliniste të të bërit politikë. Prandaj largimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës, është një çlirim i opozitës, duke i dhënë mundësi të ngrihet në nivelin ku e kërkon koha dhe shqiptarët.
-Përveç ikjes së Sali Berishës, po shohim se prej muajsh ka një tërheqje të Ilir Metës nga politika. Ai jo vetëm ka braktisur protestat që ka organizuar Berisha, por edhe nuk po shfaqet as në media. A mos vallë ish-presidenti ka frikë se mos e ndjek i njëjti fat si Berisha për shkak të dosjeve të shumta që ka në SPAK?
Pas Sali Berishës, radhën e ka Ilir Meta dhe pastaj tij e ka Edi Rama. Kështu që siç e di çdo shqiptar, këtë e di edhe Ilir Meta. Prandaj ka arsye të frikësohet, siç ka arsye të frikësohet edhe Edi Rama.
-Vetë SPAK ka nisur sekuestrime provash në familjen “Meta”, madje Kryemadhi konfirmoi se SPAK i ka futur nën hetim pasuror, a mendoni se mund t’i fundosë pasuria?
Unë nuk jam prokuror, por në 100 vjet histori, dy herë është vjedhur thesari i shtetit. Një herë kur u pushtuam nga Italianët dhe herën e dytë kur Ilir Meta erdhi në pushtet si kryeministër. Kështu që nuk do shumë mend për të kuptuar se thesi i thesarit të shqiptarëve përbën provë materiale.
-Pak ditë më parë Shkëlzen Berisha ngjiti shkallët e Gjykatës së Posaçme, ku dëshmoi për tragjedinë e “Gërdecit”. Javën që kaloi ai ju shmang thirrjes, por këtë herë u paraqit që herët në mëngjes. Si e shikoni këtë zhvillim?
Mos harroni se kjo çështje, ashtu si edhe shumë çështje të tjera ishin varrosur prej dekadash. Jo vetëm kur ishte Sali Berisha në pushtet, por edhe këto 10 vite që ka qeverisur Rama, këta kanë shijuar të patrazuar pasurinë që kanë vënë në kurrizin tonë. Prandaj fakti që po shkojnë të gjithë, njëri pas tjetrit përpara drejtësisë, tregon që i ka ardhur fundi kohës së pandëshkueshmërisë.
-Vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut për Aleks Nikën, thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes! Në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet. Pra Strasburgu i dha një goditje tronditëse Sali Berishës dhe çetës së tij që zbatuan urdhrat për vrasjet në 21 janar 2011. Si e komentoni këtë vendim?
Sali Berisha është rast unikal në Evropën Lindore që ka mbijetuar në politikë që nga koha e murit të Berlinit. Dhe është rast unikal në botë që qëndrojë në politikë, pasi ka vrarë protestuesit në mes të bulevardit. Gjykata e Strasburgut është ngritur pikërisht për të kufizuar pushtetin e diktatorëve, por ne nuk ka nevojë të shkojmë deri në Strasburg për të gjetur drejtësi mbi një krim që ka ndodhur përpara syve tanë, në mes të ditës, në mes të kryeqytetit. Këtë drejtësi duhet ta rivendosë në vend SPAK dhe GJKKO, të cilat u ngritën pikërisht për të dënuar krimin e organizuar dhe politikanët që kanë qeverisur si kryetarë bandash kriminale.
-Si i komentoni përgjimet e “SKY ECC”? Aty thuhet se dalin gazetarë të njohur që bashkëpunojnë me krimin dhe politikanë që kanë porositur vrasje.
Shiko, trekëndëshi Rama-Meta-Berisha nuk janë thjeshtë tre individë, madje nuk janë as thjeshtë tre parti. Këta janë një mekanizëm I ndërtuar prej 30 vitesh për të pasuruar një grup njerëzish duke vjedhur në komb të tërë. Prandaj kur shikoni Ramën, Metën dhe Berishën që vjedhin, ata nuk e bëjnë vetëm për vete, por për të ushqyer makinerinë që kanë ngritur dhe sofistikuar. Në këtë makineri ka nivele, detyra dhe funksione nga më të ndryshmet. Aty ka biznesmenë që kanë monopolet e sektorëve të ekonomisë. Aty ka pronarë mediash që kontrollojnë retorikën publike, dhe përpunojnë opinionin publik. Aty ka grupe kriminale të cilët shërbejnë si shtabe elektorale në terren, por edhe si një milici paralele me strukturat e shtetit. Përgjimet e SKY ECC janë vetëm një nga hapësirat ku këta flasin lirshëm duke mos u fshehur pas maskave që vënë kur dalin në media. Prandaj hetimi i këtij skandali do ekspozojë këtë klasë sunduese për atë që në fakt është: një organizatë mafioze.
-Thuhet se amerikanët dhe britanikët pritet të sjellin një tjetër “listë të zezë”. Mendoni se do të ketë emra nga opozita pasi disa prej tyre nuk po zbatojnë kërkesat e ndërkombëtarëve për shkëputjen nga mbështetja e të korruptuarve dhe “non-gratave”?
Nuk kam informacion se kush do të jetë në listë, prandaj nuk dua të spekuloj.
-Si e shikoni qeverisjen “Rama”, keni një recetë si do e rrëzoni?
Qeveria Rama ka degraduar në çdo drejtim. Sot Rama qeveris vetëm për një grusht njerëzish që jetojnë në oborrin e tij, duke i vënë shkelmin në fyt një populli të tërë. Çdo sferë publike është privatizuar, duke e përjashtuar shqiptarin e zakonshëm jo vetëm nga vendimmarrja, por nga shtëpia e tij. Sot nuk na pyet njeri as për vendime bazë, e jo më për mënyrën se si menaxhohet pasuria jonë kombëtare, apo taksat që vijnë nga puna jonë. Ky lloj përqendrimi pushteti dhe privatizimi i hapësirës publike ka detyruar shumë të rinj që ta shohin të ardhmen e tyre larg familjes së vet dhe kjo është një tragjedi që zhvillohet çdo ditë në heshtje. Prandaj të rrëzosh këtë qeveri me zgjedhje është gjëja më e lehtë, por si fillim do duhet që SPAK-u të bëjë punën e vet për t’i çmontuar grupet kriminale që qëndrojnë në bazë të këtij pushteti, dhe të konfiskojë paratë e pista që janë karburanti i kësaj makinerie. Padyshim, do ta rrëzojmë edhe duke i kthyer besimin qytetarëve tek vota e tyre dhe tek shteti ligjor. Ashtu siç në fakt ndodhi në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi. Koha ka ardhur edhe në Shqipëri për ta bërë këtë ndryshim.
– Keni një mesazh dhe urim për qytetarët shqiptarë?
Uroj që çdo shqiptarë të kuptojë ndryshimet historike që po ndodhin në Shqipëri, dhe të mos lejojë pesimizmin dhe cinizmin 30 vjeçar që ta errësojë perspektivën. Viti 2024 do jetë vit historik për Shqipërinë, prandaj uroj që këtë vit të bëhemi bashkë për ta çuar këtë vend përpara.
Intervistoi: Rigels Seliman
