E martë, 10 Nëntor, 2026

Qeveria e terrorizuar nga SPAK, tërhiqet nga koncesioni i pagesave dhe certifikatës elektronike, zyrtarët frikë për firmat që mund t’i çojnë në burg

Share

Që në momentin kur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi hetimin për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe para disa muajsh kërkoi arrestimin e ish-zëvendës kryeministrin të pushteti aktual Arben Ahmetaj, frika ka hyrë në të gjithë piramidën shtetërore. Me goditje në këto nivele shumë të larta, drejtorët e zyrtarët në administratë e kanë kuptuar fare mirë se tashmë nuk ka më të paprekshëm dhe askush nuk mund t’i mbrojë. Frika u ka hyrë në palcë të gjithë funksionarëve të shtetit. Disa ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të lartë të “qeverisë Rama” janë hetuar, akuzuar, gjykuar e dënuar. Të tjerë po hetohen dhe presin gjykimin. Është një stuhi që nuk njeh tabu. Në këtë përshkallëzim, hetimi i ish-kryeministrit Berisha për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani” përfaqëson majën më të lartë të hetimeve të kësaj natyre deri tani. Kjo ka bërë që kohëve të fundit, qeveria “Rama” të fillojë të aplikojë më shpesh delegimin e kompetencave, do të thotë, që detyrat dhe detyrimet ministrore apo kryeministrore, t’ua japin zëvendësve të tyre, të cilët duhet të firmosin e të përgjigjen ligjërisht, ndërsa pazaret do t’i bëjnë vetë ata. Po ashtu ka dhe tërheqje vendimesh, si ky i koncesionit të pagesave dhe certifikatës elektronike.

Detajet nga vendimi

Frika nga SPAK mund të ketë detyruar qeverinë që të tërhiqet nga vendimi për të dhënë me koncesion sistemin e pagesave për shërbimet publike si dhe certifikatën dhe nënshkrimin elektronik të bizneseve. Disa ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, që shfuqizon një vendim të mëparshëm, i cili autorizonte Ministrinë e Financave si autoritet kontraktor për dhënien e këtij koncesioni. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli Ministrave vendosi: Shfuqizimin e vendimit nr.581, datë 31.8.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënien me koncension/PPP për projektin “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI),” thuhet në vendim.  

Koncesioni qindra milionë euro

Në shtator të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për të dhënë me koncesion monopol tek privati, infrastrukturën e çelësave publikë. Ligjet në fuqi detyrojnë çdo biznes që lëshon faturë, të pajiset me certifikatë elektronike, por edhe me nënshkrimin elektronik. Të dyja shërbimet sot ofrohen nga AKSHI dhe kushtojnë respektivisht 4 mijë dhe 4800 lekë në vit. Të dyja, si certifikata ashtu dhe nënshkrimi elektronik duhet të rinovohen çdo vit me po të njëjtën kosto. Pasi qeveria autorizoi ministrinë e Financave si autoritet kontraktor të koncesionit, në zyrat e shtetit doli papritur një studim fizibiliteti. Studimi përfshinte në koncesion jo vetëm certifikatën dhe nënshkrimin elektronik të bizneseve, por edhe shërbimin e pagesave publike. Pra, çdo shërbim që qytetarët do të merrnin online përmes portalit e-albania do të paguhej përmes koncesionarit privat, i cili do të arkëtonte tarifë për këtë shërbim. Nëse një qytetar kërkonte një certifikatë pronësie në Kadastër duhet të kalonte nga koncesionari privat, nëse kërkonte një certifikatë familjarë po ashtu. Praktikisht të gjitha shërbimet publike. Kjo e çonte faturën e këtij koncesioni mbi 500 milionë euro në 10 vjet. Lobimi për shtyrjen përpara të kësaj kontrate ka qenë shumë i fuqishëm. Por kishte një problem. Ministria e Financave hezitonte të niste procedurën e koncesionit për shkak të paligjshmërisë së tij, por edhe kostove të tejfryra që u sillte qytetarëve shqiptarë. Me sa duket hezitimi ministror për të firmosur koncesionin duket se e ka detyruar qeverinë të tërhiqet nga projekti. Ndërsa SPAK çon në seri urdhër arrestet pranë gjykatës për koncesionet e mëparshme të qeverisë. Vetë kryeministri Rama ka thënë pak kohë më parë se  nuk është pishman për koncesionet që qeveria e tij ka dhënë gjatë dekadës së fundit në krye të shtetit shqiptar. Ai u ka thënë gazetarëve se edhe sikur të kthehej 100 herë pas, përsëri do t’i mbështeste të ashtuquajturat PPP. “100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto PPP që kemi bërë. Sepse veprat janë ato që mbeten, ndërkohë që sigurisht, problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, jo me ata që s’kanë gjë në dorë. Kur ne kemi bërë Reformën në Drejtësi, kur unë kam thënë që dua një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas dhe të eci vetëm drejtë, unë e kam ditur”, u shpreh kryeministri.

Te tjera

Lajme te tjera