Është përmbyllur shpërndarja e kartave të naftës pa taksa për të gjithë fermerët aplikantë përfitues, për punime të mekanizuara në bujqësi, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri sot të ditur se, “Skema Kombëtare, për masën naftë pa taksa për bujqësinë, ka mbështetur një numrin rekord prej 53.169 fermerësh në shkallë vendi, kundrejt 34 mijë përfituesve në vitin 2022”.
Denaj tha se, falë mbështetjes së qeverisë, fondi shtesë prej 1.8 miliardë lekësh është vënë në dispozicion të fermerëve përfitues që plotësojnë kushtet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.
“Për skemën e naftës falas, strukturat tona të AZHBR në bashkëpunim me AREB kanë filluar shpërndarjen e 20.645 kartave shtesë të naftës tek fermerët përfitues”, tha ministrja Denaj.
Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.
Sipas MBZHR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare ka qenë gjithnjë e në rritje dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.
MBZHR është e angazhuar për të çuar përpara mbështetjen për rritjen e prodhimin bujqësor vendas dhe njerëzit e punës.
Skema e naftës falas është një nga masat më të mirëpritura për fermerët, pasi u jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.
