E martë, 10 Nëntor, 2026

Denaj me fermerët në Vlorë: Ruajtja e resurseve autoktone, e rëndësishme për ekonomitë familjare

Share

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka zhvilluar një takim me fermerët e Vlorës, ku ka nënvizuar angazhimin e qeverisë për t’i mbështetur ata me qëllim arritjen e prodhimit të qëndrueshëm dhe konkurrues në treg.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Denaj thekson se, gjatë vizitës në Vlorë, ka vëzhguar nga afër mënyrën e këshillimit të fermerëve për mbrojtjen e bimëve dhe vreshtave nga insektet dhe viruset.

“Novoselë. Bashkë me zv/ministrin Kote, Prefektin e Vlorës, Flamur Mamaj, kryetarin Ermal Dredha dhe kolegët deputetë në një vizitë në QTTB Vlorë, ku u njoha nga afër me mënyrën e këshillimit të fermerëve për mbrojtjen e bimëve dhe vreshtave nga insektet dhe viruset”, shkruan Denaj.

Sipas saj, “në diskutimin me fermerët e kësaj zone vlerësova punën e përditshme të tyre si kultivarë, por theksova se rajonizimi i kulturave drufrutore dhe vreshtave, duke ruajtur resurset autoktone është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e ekonomive familjare dhe asaj rajonale”.

“U përqendruam në përdorimin e teknologjive moderne në kultivimin e ullirit, mbrojtjen nga sëmundjet, dhe zhvillimin e tregut të produkteve të ullirit. Mbetemi të angazhuar në mbështetjen e fermerëve për të arritur një prodhim më të qëndrueshëm dhe konkurrues në treg”, përfundoi Denaj.

Te tjera

Lajme te tjera