Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Grupin Vullnetar për Popullsinë dhe Zhvillimin organizuan ditën e djeshme në Kryesinë e Kuvendit aktivitetin “Të luftosh kancerin e gjirit”, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kësaj sëmundjeje. Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj; ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; drejtoresha e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH), Elona Gjebrea; mjekë dhe specialistë të fushës, u ekspozuan edhe disa piktura sensibilizuese për kancerin e gjirit. Në nisje të aktivitetit, Zëvendëskryetarja e Grupit Vullnetar për Popullsinë dhe Zhvillimin, njëherazi Kryetare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë Zheni Gjergji, i bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave të ndërgjegjësohen mbi shëndetin e tyre. “Shpesh shëndeti i grave nuk konsiderohet si prioritet në shoqërinë tonë. Shumë gra e kanë humbur betejën me kancerin e gjirit. Nuk kam takuar asnjëherë një grua që nuk është e fortë. I bëj thirrje çdo gruaje dhe vajze, ndërgjegjësohuni, mos e harroni veten tuaj”, u shpreh Gjergji. Zëvendëskryetarja e Kuvendit Felaj, gjatë fjalës së saj nënvizoi se duhet të ndryshojë qasja ndaj kësaj sëmundje. “Më shumë se të trajtosh kancerin e gjirit, duhet të trajtosh një grua me tumor. Ky aktivitet dhe kjo dëgjesë do të na shërbejë për të kuptuar se cilat janë sfidat me të cilat përballemi. Mendoj se duhet t’i rrimë qasjes, jo të ndarjes se kush ja doli të fitojë dhe të humbë betejën me kancerin e gjirit, por kush arriti një ekuilibër për ta jetuar jetën”, tha Felaj. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila u shpreh se ndërgjegjësimi dhe kapja në kohë e sëmundjes është jetëshpëtuese. “Besoj fort që steriotipet dhe neglizhenca janë armiqtë tanë. Tentojmë shpesh të lëmë veten pas dore. Kujdesemi për fëmijët, familjen, të afërmit dhe jo për veten tonë. Ta kthejmë vëmendjen tek vetja, nëse ne do të jemi mirë, do të jetë mirë familja, shoqëria dhe i gjithë komuniteti. Patjetër kjo dëgjesë do të na shërbejë për të krijuar politika më të mira”, tha Koçiu. Ndërsa Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, nënvizoi se “Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht jo vetëm gjatë ‘Tetorit Rozë’ por gjatë gjithë vitit. “Kapja e hershme e kësaj sëmundjeje duhet të jetë e fokusuar në grupmosha të ndryshme. Kemi raste të kapura në moshë të re, mund të ketë faktorë të ndryshëm, gjenetika ose e trashëguar. Asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të ndërgjegjësuar”, u shpreh Tomini. Më tej aktiviteti vijoi me diskutimet mbi politikat, sfidat dhe hapat që duhet të ndërmerren në shenjë sensibilizimi dhe vetëdijësimi mbi kancerin e gjirit ndërsa mjekë të fushës referuan mbi rastet e suksesit të trajtimit të sëmundjes që në fazat e parandalimit.
