E shtunë, 3 Tetor, 2026

Islam Lamçe: Partizanët dhe LANÇ janë ajka e kombit, paçavuret e ballistëve nuk e mbulojnë dot tradhtinë e Ballit Kombëtar ndaj Shqipërisë

Share

Islam Lamçe, ish-sekretar i Organizatës të Pasardhësve të Veteranëve në rrethin e Kolonjës në intervistën për gazetën “SOT”, thotë se LANÇ mbetet Epopeja më e lavdishme e Historisë së Shqipërisë. Ndërsa për Ballin Kombëtar, zoti Lamçe thotë se ka bashkëpunuar me Fashizmin, që në ditën e parë të pushtimit në 1939 dhe tradhëtia e tyre nuk mund të rehabilitohet kurrë. Madje Islam Lamçe, djali i partizanit, veteranit dhe patriot të madh kolonjar, të ndjerit Baki Lamçe thekson se paçavuret e Alimadhit nuk e mbulojnë dot tradhtinë e Ballit Kombëtar ndaj Shqipërisë.

-Zoti Lamçe, si djali i partizanit, veteranit dhe patriot të madh kolonjar, Baki Lamçe, cili është vlerësimi juaj për LANÇ dhe 5 Majin, Dita e Dëshmorëve?

Qëndrimi ndaj kësaj epopeje nga më të madhërishmet të popullit tonë, ka qenë dhe është njëkohësisht, si një gur prove, midis atdhetarëve të vërtetë dhe pseudoatdhetarëve. Fakti që këtë luftë e udhëhoqi PKSH-ja me komandant Enver Hoxhën, nuk ia ul aspak dhe asnjë grimë vlerat. Edhe nëse do të tundeshin të gjitha malet, e bashkë me ta dhe i gjithë reaksioni klasik i Ballit Kombëtar të Lumo Skëndos bashkë me “Legalistët” e që i mori lumi, bile sëbashku dhe me këta ballistët e rinj me atlete sportive e kravatë, , kjo Epope e LANÇ ngelet në këmbë, si mali i Tomorrit nga ku duhet të falemi të gjithë shqiptarët e ndershëm. Nëse kushtet historike nxorën në skenë PKSH-në, si ideatore, organizuese dhe drejtuese të kësaj lufte, kjo nuk ishte rastësi, sepse ishte e vetmja forcë politike, e cila e mori përsipër këtë mision dhe e çoi deri në fund. PKSH vuri në jetë dhe direktivat e Fuqive të Mëdha URSS Angli e Amerikë, për organizimin e luftës pa kompromis dhe krijimin e një Fronti të përbashkët popullor, kundër nazi-fashizmit “Pa dallim feje-krahine- ideje”. Nëse ballisto-zogistët e braktisën Frontin Nacional-Çlirimtar, ata jo vetëm dëshmuan se nuk dëshironin ta luftonin armikun, por dhanë dhe prova të mjaftueshme bashkëpunimi me ta. Është faj i vetë tradhtarëve, që u larguan nga lufta çlirimtare e popullit kundër fashinazizmit për të çliruar Shqipërinë.  Më 17 dhjetor të vitit 1942, Anglia, por dhe më 18 dhjetor SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, me anë të Ministrave të Jashtëm Iden Hill dhe Molotov, deklaruan botërisht se njihnin me konsideratë dhe admirim Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë, se dëshironin të shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të pavarur, se pas lufte do të respektonin lirinë dhe pavarësinë e saj. Rroftë e qoftë Pavarësia e vërtetë e Shqipërisë! Lavdi Epopesë së Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar! Rroftë 29 nëntori, Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre!

-Keni një koment mbi sulmet e drejtuesve të Ballit Kombëtar, sikundër është Adriatik Alimadhi, i cili akuzon partizanët se i kanë duart e lyera me gjak, ndërkohë që Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare e cilëson mashtrim?

Që t’i thuash popullit shqiptar se partizanët gjatë LANÇ kanë kryer krime dhe kanë lyer duart me gjak, sikurse thotë ky far ballisti, ose duhet të jesh një antishqiptar i thekur, ose një neofashist i vendosur. Por, është pikërisht ky popull patriot shqiptar dëshmitar më i mirë, për të treguar historinë e asaj epopeje të lavdishme sepse nga gjiri i tij dolën mbi 70 mijë, bij dhe bija më të devotshëm, të cilët u përballuan me armiq të pabarabartë, sikurse qenë nazifashistët, dhe fituan, duke çliruar Shqipërinë që gëzojmë sot. Në këtë përleshje, ranë mbi 28 mijë djem e vajza në lule të rinisë, të cilët për atdheun dhanë jetën, duke u ngjitur në piedestalin e pavdekësisë. Ndërsa ballistët e Alimadhit, u bashkuan dhe u shërbyen pushtuesve nazifashist, hanin e pinin me ta në qytete dhe, pastaj udhëhoqën operacionet famëkeqe të viteve 1943-1944, nëpërmjet të cilave u kryen masakra si në Borovë, 4 Shkurt në Tiranë, Shën-Vasi, Kurvelesh etj, duke marrë pleq e fëmijë, djegur e shkatërruar, grabitur gjënë e gjallë, veçanërisht, familjet e lidhura me LANÇ. Ja pra o ballist i thekur Alimadhi, janë ballistët e t’u që u bënë kriminelë dhe lanë duart e tyre me gjak shqiptari. Ishte kjo arsye që, jo pak nga këta ballistë të cilët fill pas çlirimit të Shqipërisë, ja mbathën bashkë me pushtuesit, si “qeni pas të zotit”, për ti shpëtuar përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin e tyre. Por, edhe jashtë shtetit, ballistët, u vunë në shërbim të armiqve të Shqipërisë dhe erdhën diversantë duke kryer krime, si Hamit Matjani, Hetem Çako e sa e sa të tjerë. Kjo është historia e vërtetë, shkruar me gjakun e heronjve e dëshmorëve të LANÇ, e cila nuk do cenohet kurrë, pavarësisht nga përpjekjet që bëni ju ballistë, apo balliste të tjerë, apo dhe disa pseudohistorianë, për ta ndryshuar këtë histori, me arsyetime banale, por që ka për qëllim, të errët, atë për ti kthyer tradhtarët në “patriotë”. Jo mor Alimadhër jo, kjo s’ka për të ndodhur kurrë, sepse është një popull i tërë patriot që e mbron atë, janë institucionet prestigjioze shtetërore e shoqërore, Akademia e Shkencave, janë organizatat tona prestigjioze e Veteranëve dhe e Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit” e shtrirë në tërë Shqipërinë, është Organizata Kombëtare për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut; janë shoqatat Atdhetare Kulturore – Patriotike, të cilat me qëndrimet e tyre të vendosura dhe veprimtaritë e zhvilluara që organizojnë në kujtime të këtyre ngjarjeve historike, të cilat ja u transmetojnë edhe brezave të rinj, që e mbrojnë atë histori të lavdishme, ato ideale të mëdha atdhetare, atë gjak të derdhur për Shqipërinë që gëzojmë sot. Prandaj ju ballistët e të tjerë si ju, jini damkosur me vulën e tradhtisë njëherë e përgjithmonë dhe, nuk kini asnjë të drejtë morale të pretendoni për të qenë subjekte në politikën dhe veprimtarinë shtetërore shqiptare. E nënvizojmë këtë, edhe për faktin tjetër, po kaq të rëndësishme, sepse me ndryshimin e sistemit ju ballistët dhe forca të tjera të errëta të ekstremit të djathtë, me parulla bajate të “të shkatërrojmë çdo gjë komuniste”, s’latë në këmbë jo vetëm simbolet e asaj epopeje si muzeume, lapidarë, buste, varreza dëshmorësh etj, por dhe ato objekte ekonomike të ndërtuara me djersën e popullit si fabrika, uzina, kombinate, hekurudha etj, duke i lënë njerëzit në rrugë të pa punë, për shkak të së cilës shumë nisën rrugën e emigracionit për të siguruar bukën e gojës së fëmijëve, plagë që vazhdon edhe sot. Për këto krime të rënda të kryera nga ju ballistët dhe të tjerë si ju, si gjatë LANÇ, ashtu dhe pas ndryshimit të sistemit, në vend që të kërkoni të falur popullit patriot shqiptar, kërkoni kredite morale, të cilat s’kini për t’i patur kurrë në jetë. Me këtë rast, ju bëjmë thirrje organeve më të larta të shtetit si Kuvendit, Presidentit, qeverisë qendrore e lokale, për t’ju mbyllur dyert këtyre ballistëve, dhe të tjerëve si këta, të cilët nuk duhet të kenë vend në këto organe, pa le më si përfaqësues të popullit jo e jo. Ndërsa nga ana tjetër, të mos lejojnë për t’u bërë ceremoni e nderime këtyre bastardëve të historisë, siç ka ndodhur në disa raste dhe, krahas këtij qëndrimi, të marrin masa sa më të shpejta për të rregulluar simbolet e dëmtuara, apo korrigjimin dhe zëvendësimin e emrave të heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ të hequra padrejtësisht në shkolla, rrugë e të tjera, që padrejtësisht janë hequr e zëvendësuar me emra kriminelësh e kolaboracionistësh nga forcat e djathta kur erdhën në pushtet.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera