E hënë, 27 Korrik, 2026

“70 vjet dinjitet, dije dhe shërbim”/ Profesor Tritan Kalo, kolosi i mjekësisë shqiptare, që populli e nderon më shumë se shteti

Share

Nga Rigels Seliman

Profesor Tritan Kalo, një ndër mjekët infeksionistë më të shquar të Shqipërisë, feston sot 70-vjetorin e lindjes. Kjo është një ditë që të fton jo vetëm për urime, por edhe për reflektim mbi vlerën e njerëzve që ia kanë kushtuar jetën dijes, mjekësisë dhe shërbimit ndaj kombit. Për dekada me radhë, ai ka qenë simbol i profesionalizmit, përkushtimit dhe integritetit, duke fituar respektin e kolegëve dhe besimin e qytetarëve. Edhe pse sot jeton larg Shqipërisë, zemra dhe mendja e tij mbeten të lidhura ngushtë me vendin. Ai vazhdon ta ndjekë me vëmendje zhvillimin e Shqipërisë, të japë mendime, të shprehë shqetësime dhe të kontribuojë me fjalën e tij të urtë e të përgjegjëshme në fushën e mjekësisë, por edhe sa i takon aktualitetit (ngjarjeve politiko-socialo-ekonomiko-kulturore) në Shqipëri. Kjo është shenja më e qartë e dashurisë së sinqertë për atdheun.

Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëz të tillë, që e kanë ngritur emrin e saj me punë, sakrifica dhe ndershmëri. Fatkeqësisht, jo rrallëherë, shteti nuk ka ditur t’i vlerësojë siç e meritojnë personalitetet e dijes dhe të meritës. Shpesh, ata që kanë ndërtuar me mund prestigjin e institucioneve mbeten në hije, ndërsa në qendër të vëmendjes vendosen emra pa kontribut të krahasueshëm. Kjo është një padrejtësi jo vetëm ndaj individëve, por edhe ndaj vetë shoqërisë shqiptare. Një komb që nuk respekton elitën e tij intelektuale, rrezikon të humbasë busullën e zhvillimit. Plejada e njerëzve që e kanë dashur Shqipërinë pa kushte dhe që kanë kontribuar për të meriton nderim të përhershëm, jo vetëm fjalë në ditë festash, nëse edhe ato do të gjenden.

Megjithatë profesor Tritan Kalo është një nga ato figura që e kanë fituar respektin me punë dhe jo me privilegje. Ai mbetet shembull i mjekut human, i intelektualit të përgjegjshëm dhe i qytetarit që nuk resht së menduari për vendin e tij. Në këtë 70-vjetor, i uroj shëndet të plotë, jetë të gjatë, lumturi familjare dhe mbarësi në çdo hap. Urojmë që fjala, përvoja dhe mençuria e tij të vazhdojnë të jenë një udhërrëfyes për brezat e rinj. Personalitete si ai janë pasuria më e çmuar e Shqipërisë dhe nderi i saj i vërtetë. Gëzuar ditëlindjen, Profesor Tritan Kalo dhe shekullofsh!

Te tjera

Lajme te tjera