E premte, 24 Prill, 2026

“5,500 vende të lira pune”, drejtoresha Çepani zbardh detajet: Nevojat më të mëdha në sektorin e shërbimeve

Share

Agjencia Kombëtare e Punësimit ka shpallur afro 5.500 vende të lira pune në të gjithë vendin, për pozicione të ndryshme. Por nga ana tjetër, janë edhe rreth 68 mijë qytetarë që janë regjistruar të papunë. Kjo disbalancë mes vendeve të hapura dhe papunësisë së lartë reflekton probleme të cilësisë së ofertës dhe kërkesës.

“Sektorët kryesorë që kanë nevojë janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe industria përpunuese. Vendet e lira të punës janë shumë variable dhe të ndryshueshme përsa i përket kritereve. Nga punëdhënësit ka pasur interes, sepse kanë shpallur shumë vende të lira pune që lidhen me fushën e akomodimit apo shërbimit ushqimor. Ka nevojë për kamarierë, banakierë, kuzhinierë apo ndihmës kuzhinierë, recepsionistë, sanitarë. Kryesisht për pozicione që kërkojnë nivel të ulët apo të mesëm arsimor”, shprehet Gertiola Çepani, drejtore e shërbimeve të tregut të punës.

Paralelisht me nevojën për të plotësuar vendet vakante të punës në shërbim, si një nga sektorët me nevojën më të madhe, shoqatat turistike po synojnë edhe trajnimin e këtyre stafeve për të rritur cilësinë.

“Një muaj më parë na është ofruar një kompani franceze, që është interesuar për Shqipërinë. Ata kërkojnë një marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën tonë për të ofruar mundësi bashkëpunimi. Ata kërkojnë që të trajnojnë stafet profesionale për t’i përshtatur me standardin e hoteleve që ka Shqipëria. Këtu, te ne, po ngrihen dita-ditës resorte të një niveli të lartë dhe ne çalojmë te shërbimi. Duhet një marrëveshje e tillë për t’iu bashkuar tregut evropian”, tha Kujtim Dervishi, Shoqata e Restoranteve Turistike.

Për të rregulluar disi kërkesën dhe ofertën në tregun e punës, nga ana e qeverisë po promovohet arsimi profesional, me thirrje të vazhdueshme që të rinjtë të aftësohen në profesione për të cilat sot vërtet ka nevojë tregu. /vizionplus.tv

Te tjera

Lajme te tjera